Meta kthen ligjin e koncesioneve: Ahmetaj shtyu afatet për qëllime klienteliste

Meta kthen ligjin e koncesioneve: Ahmetaj shtyu afatet për qëllime klienteliste

Presidenti Ilir Meta ktheu sot për rishqyrtim ligjin që kufizonte dhënien e koncesioneve të pakërkuara nga qeveria.

Më 18 korrik socialistët miratuan ndryshimet e ligjit për koncesionet, sipas të cilit nuk do të pranoheshin më propozime të pakërkuara për “koncensionet e punëve publike për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve”.

Ligji kishte pesë muaj që ishte shqyrtuar në komisionet parlamentare. Ai parashikonte që kur të miratohej, t’i kufizonte koncesionet që nga 1 korriku, por kur kaloi për t’u votuar më 18 korrik, ish-Ministri i Financave Arben Ahmetaj propozoi ndryshimet e dy neneve të fundit, të cilat i zgjatën më tej afatet.

Presidenti Meta e ka kthyer ligjin pikërisht për këto ndryshime që i bëri ligjit Ahmetaj. Më konkretisht neneve 17 dhe 18.

Me ndryshimet e propozuara nga Ahmetaj, afatet e kufizimeve të koncesioneve u zgjatën nga 1 korriku në 1 tetor.

Në këtë mënyrë sipas Metës nuk u respektua interesi publik dhe u la hapësirë që ky ligj të shfrytëzohet dhe për disa muaj nga qeveria për qëllime klienteliste.

Nenet 17 dhe 18 të ndryshuara me propozim të Ahmetajt flasin për dispozitat e fundit dhe hyrjen në fuqi:

Neni 17

    1. Autoriteti kontraktues vazhdon procedurat për shqyrtimin dhe dhënien me koncesion vetëm për propozimet e pakërkuara, të paraqitura para datës 1 tetor 2019, për të cilat është krijuar nga autoriteti kontraktues komisioni i koncesionit/PPP.
    2. Këshilli i Ministrave, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nxjerr aktet nënligjore, të përcaktuara në nenet 3, 5, 6, 7 dhe 10 të këtij ligji.

Neni 18

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, me përjashtim të nenit 2, nenit 8, pika 1, dhe nenit 10 të këtij ligji, të cilët hyjnë në fuqi më 1 tetor 2019.

Meta në përgjithësi e konsideron ligjin për koncesionet “nisëm pozitive, por të vonuar dhe me pasoja negative për ekonominë”.

Ai thotë se Nenet 17 dhe 18 “shtyjnë subjektivisht hyrjen në fuqi të kufizimeve që vendosen në dhënien e kontratave koncesionare”. Për këtë ai kërkon:

Rishikim tërësor të këtyre dy neneve, sepse ato kompromentojnë qëllimin e të gjithë pjesës tjetër të ligjit, pasi këto dy dispozita krijojnë hapësirën e nevojshme për të prodhuar sërish pasoja dhe qëllime klienteliste.

Meta ngre shqetësimin se “duke shtyrë afatin e kufizimeve që vendos ligji i ri, për një datë të mëvonshme, 1 tetor, Kuvendi në kundërshtim me interesin publik, krijon një mundësi të re që çdo kërkesë për koncesion, që paraqitet deri në 1 tetor 2019, të shqyrtohet dhe të pranohet nga qeveria shqiptare, pa asnjë kufizim, sërish me ligjin e vjetër”.

Dy muajt e fundit ka pasur mjaft debate rreth koncesioneve të pakërkuara dhe sidomos ato të rrugëve, si në rastet e rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, të cilat edhe pse vetëm 31 kilometra u dhanë me një kosto totale 328 milionë euro.

Rasti i rrugës Thumanë-Kashar, studimi i fizibilitetit i së cilës tregoi se kishte kosto dyfish më të ulët nga sa qeveria kishte parashikuar për ta dhënë me koncesion legjitimon shqetësimet e opozitës dhe Presidentit.

Në dokumentin prej 4 faqesh të përcjellë për mediat dhe ku argumentonte kthimin e ligjit, Presidenti e lidh shtyrjen e afateve kufizuese të koncesioneve me “ndikimin e deputetëve nga interesat e koncesionimit të pronës publike”.

3 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme