Ministri turk: Me Ramën dhe Lleshajn, ‘vendime të rëndësishme’ për Lëvizjen Gylen

Nga Alba Mborja
Ministri turk: Me Ramën dhe Lleshajn, ‘vendime të rëndësishme’ për Lëvizjen Gylen

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Sylejman Sojllu ka deklaruar se gjatë takimeve në Tiranë, më 26 korrik, me Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj dhe me Kryeministrin Edi Rama ata kanë marrë “vendime të rëndësishme” lidhur me atë që shteti turk e quan FETO – “Organizata Terroriste e Fet’hullahistëve”, në Shqipëri dhe në botë e njohur si “Lëvizja Gylen”.

Në intervistat e tij dhe në artikujt në shtypin turk, Ministri Sojllu ka theksuar se lufta ndaj kësaj organizate ka qenë pjesë e bisedimeve të tij me Leshajn dhe Ramën.

Në njoftimet e qeverisë shqiptare për vizitën e ministrit turk nuk përmendet fare kjo temë bisedimi. Në njoftimin e rastit, Ministri Lleshaj nënvizoi në mënyrë të përgjithshme se bashkëpunimi mes dy ministrive do të thellohej. Ndërsa Kryeministri Rama, në një konferencë për shtyp më vonë tha “Patjetër kemi diskutuar, po!”, në përgjigje të pyetjes nëse kishte biseduar me Ministrin Sojllu për për të ashtuquajturën FETO.

Që prej grushtit të dështuar të shtetit në Turqi në korrik 2016, qeveria e Presidentit Erdogan e ka sulmuar Lëvizjen Gylen në të gjithë botën. Ajo ka ushtruar presion të vazhdueshëm mbi qeveritë e vendeve ku kjo lëvizje ushtron aktivitetin e saj, kryesisht në fushën e arsimit. Në dhjetëra prej tyre, një numër shkollash dhe universitetesh janë mbyllur. Ato i kanë kaluar ose qeverive të vendeve përkatëse, ose Fondacionit Maarif, të cilin Presidenti Erdogan e krijoi pikërisht me qëllimin për të marrë të gjitha institucionet arsimore të Lëvizjes Gylen në botë.

Qeveria turke ka rrëmbyer qindra anëtarë të dyshuar të lëvizjës nga vende të ndryshme, për t’i gjykuar në Turqi. Qindra gazetarë mbeten ende të pagjykuar në burgjet turke, pasi dyshohen si anëtarë ose bashkëpunëtorë të kësaj lëvizjeje, ose janë dënuar për akuza që vlerësohen gjerësisht si të pabaza. Burgosja dhe gjyqet ndaj tyre janë kritikuar nga organizata në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe nga shumë vende demokratike.

Ndër rastet më të afërta me Shqipërinë ka qenë rrëmbimi i gjashtë mësuesve turq nga shkollat e lëvizjes në Kosovë, në një bashkëpunim mes shërbimeve sekrete të të dy vendeve, dhe dërgimi i tyre në Turqi. Kryeministri Haradinaj u shpreh atëherë se ai nuk kishte qenë në dijeni për aksionin e rrëmbimit të tyre. Komisioni parlamentar i ngritur për këtë çështje thirri Presidentin Thaçi për t’u pyetur, por ai refuzoi. Komisioni arriti në përfundimin se rrëmbimin e mësuesve dhe deportimin e tyre e kishte urdhëruar Presidenti Thaçi. Raporti i tij gjeti dhjetëra shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës në rastin e këtij rrëmbimi.

Praktikisht kjo lëvizje ka reshtur së ekzistuari në Turqi, pas sulmeve të ashpra të qeverisë. Qindra mijëra vetë, të dyshuar si anëtarë të saj, janë prekur në mënyra të ndryshme, pasi shteti turk e shpalli lëvizjen organizatë terroriste.

Deklarata e Ministrit Sojllu se bashkë me Kryeministrin Edi Rama dhe me Mninistrin Lleshaj kanë marrë “vendime të rëndësishme” në lidhje me Lëvizjen Gylen në Shqipëri ngre disa shqetësime.

Fotografi gjatë takimit të Süleyman Soylu me Kryeministrin Rama në Tiranë.

Së pari, është shumë shqetësues fakti se Rama, në mënyrë të ngjashme me Erdoganin, nuk bën dallim mes organizatorëve të grushtit të shtetit në Turqi, dhe anëtarëve të Lëvizjes Gylen në Shqipëri. Vitin e shkuar, ai tha se:

“Unë di të them që ai rrjet që organizoi përmbysjen me dhunë të një qeverie të zgjedhur në Turqi është një rrjet i rrezikshëm. Kur vjen puna tek Shqipëria, ne sigurisht që njerëz, të cilët supozohen të lidhur me atë rrjet, i mbajmë në vëzhgim.”

Rama nuk është shprehur kurrë, siç kanë bërë drejtues të tjerë evropianë, për domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të njeriut në luftën e qeverisë turke kundër ‘terrorizmit’. Rama kurrë nuk e ka ndarë shapin nga sheqeri: dënimin e atyre që kryen një grusht shteti dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të drejtuesve të Lëvizjes Gylen në Shqipëri apo të mësuesve të shkollave turke këtu. Për sa kohë këtë nuk e ka bërë në publik, është e vështirë të besohet se mund ta ketë bërë në takime me drejtues të qeverisë turke.

Kjo të çon te dyshimi i arsyeshëm se bisedimet e tij dhe të Lleshajt me Ministrin Sojllu, mund veç t’i jenë përmbajtur drejtimit që pala turke ka dashur t’i japë. Publikisht Presidenti Erdogan dhe ministra të tij kanë kërkuar vazhdimisht mbylljen e shkollave turke. Jopublikisht, siç ka ndodhur në shumë vende të tjera me demokraci të dobëta, është kërkuar dhe arritur edhe deportimi i disa anëtarëve të Lëvizjes Gylen drejt Turqisë.

Së dyti, ish-Ministri i Punë të Jashtme Ditmir Bushati është treguar vazhdimisht i kujdesshëm në deklaratat e tij lidhur me Lëvizjen Gylen në Shqipëri. Ai ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë kundër organizatorëve të grushtit të shtetit, por ka shmangur lidhjen e shkurtër mes tyre dhe kësaj lëvizjeje në Shqipëri.

Deklarata e Ministrit Sojllu se në Tiranë ai dhe Kryeministri Rama ka marrë “vendime të rëndësishme” ngjall shqetësimin se kjo vizitë mund të shënojë një kthesë në politikën e qeverisë shqiptare lidhur me Lëvizjen Gylen. Paqartësia e deklaratave të Ramës dhe mospërmendja e kësaj teme nga Ministri Lleshaj veçse i shtojnë këto dyshime.

Së treti, lidhjet personale të Kryeministrit Rama me Presidentin Erdogan janë gjithashtu shqetësuese, ndër të tjera, në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Një javë përpara vitizës së Ministrit Sojllu në Tiranë, Kryeministri Rama postoi, më 18 korrik, një foto të tij dhe të Presidentit Erdogan, duke biseduar në kopshtin e njërës prej rezidencave të drejtuesit turk. Ata të dy e kanë deklaruar shpesh marrëdhënien e shkëlqyer personale mes tyre, sadoqë në pamje të parë kjo duket e pabesueshme: Rama, një artist evropian me veshje të pazakontë dhe Erdogani, një tradicionalist në gjithçka të tijën.

Rasti i rrëmbimit të mësuesve turq me urdhër të Presidentit Thaçi, i cili po ashtu ka marrëdhënie të afërta personale me Presidentin Erdogan, tregon qartë se si drejtuesit autoritarë mund të përdhosin Kushtetutën e të gjitha ligjet ndërkombëtare, kur ua do puna.

Rama, sigurisht që ka një presion edhe më të shtuar ndërkombëtar për të mos bërë ndonjë marrëzi të shkallës së Thaçit ndaj Lëvizjes Gylen. Nga ana tjetër, autoritarizmi i tij në rritje në Shqipëri, dhe mungesa e një sistemi të pavarur gjyqësor, për të cilin ai akuzohet se e kontrollon, ashtu siç kontrollon edhe Parlamentin, nuk mund të sigurojnë kënd se Kryeministri Rama do të garantojë sigurinë e atyre që supozohen si anëtarë të Lëvizjes Gylen në Shqipëri.

Kryeministrit Rama, me gjithë përgjegjësitë që i ngarkon posti, i takon t’i sigurojë në mënyrë të qartë, pa dykuptimësi, shqiptarët dhe turqit që jetojnë këtu, se si e konsideron qeveria e tij veprimtarinë e Lëvizjes Gylen në Shqipëri. Ai e ka për detyrë të sqarojë nëse është e vërtetë deklarata e Ministrit Sojllu se ata të dy kanë marrë “vendime të rëndësishme” në lidhje me këtë lëvizje dhe, nëse po, çfarë vendimesh?

3 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme