Pas formimit, Gjykata e re Kushtetuese nuk do të ketë kuorumin e duhur

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Pas formimit, Gjykata e re Kushtetuese nuk do të ketë kuorumin e duhur

Si qeveria shqiptare, ashtu dhe ndërkombëtarët, kanë vendosur bast për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese pas verës. Në një intervistë dje, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA Matthew Palmer (duke e ngatërruar Gjykatën e Lartë me Gjykatën Kushtetuese) deklaroi:

“Ajo që na shqetëson është se nuk ka Gjykatë [Kushtetuese]. Ne do të dëshironim që Gjykata të kosntituohej […] Pikërisht për këtë arsye ne do të dëshironim që Gjykata [Kushtetuese] të ngrihet, duke përfshirë gjyqtarë që kanë kaluar procesin e nevojshëm të vetingut.”

Si kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Ardian Dvorani, pranoi së fundmi, se aktet nënligjore të miratuara nga KED nuk kërkojnë që kandidatët e Gjykatës Kushtetuese të kenë kaluar me sukses “procesin e nevojshëm të vetingut” me vendim përfundimtar nga të dy institucionet e vetingut KPK dhe KPA.

Ky fakt vë në pikëpyetje cilësinë e magjistratëve të rinj të caktuar në gjykatën më të lartë të vendit, e cila pritet të vendosë për çështje të ndjeshme politike, siç janë zgjedhjet e 30 qershorit dhe Ligji i Teatrit Kombëtar.

Sidoqoftë, tani duket se ekziston një rrezik i konsiderueshëm që edhe me kandidatët e aprovuar nga KED, disa prej të cilëve ende nuk kanë marrë një vendim përfundimtar të konfirmimit në detyrë, Gjykata Kushtetuese nuk do të bëhet funksionale brenda këtij vit.

Problemi i parë është ai që kam theksuar më parë, përkatësisht sipas dispozitave kalimtare të Kushtetutës, gjyqtarët e rinj në Gjykatën Kushtetuese emërohen me rotacion:

Neni 179, pika 2: Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Kjo do të thotë që pa funksionuar Gjykata e Lartë, maksimumi dy gjyqtarë të rinj mund të emërohen në Gjykatën Kushtetuese. Edhe pse eksperti i EURALIUS-it, Klodian Rado i rekomandoi Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGj) që të transferojë përkohësisht gjyqtarët nga gjykatat e ulta në Gjykatën e Lartë (e cila ka mbetur vetëm me një gjyqtar), KLGj së fundmi vendosi të përdorë skemën e tranferimit të përkohshëm vetëm për rastet urgjentet të ekstradimit.

Për më tepër, KED ende nuk ka filluar të vlerësojë dhe rendisë kandidatët për vendet e lira në Gjykatën Kushtetuese për t’u plotësuar nga kandidatët e zgjedhur nga Gjykata e Lartë. Kjo do të thotë që sipas Kushtetutës vetëm dy kandidatë të rinj nga ata që janë zgjedhur aktualisht nga KED mund të emërohen: një nga Presidenti dhe një nga Parlamenti

Por edhe nëse do të shkelet Kushtetuta, dhe të gjithë kandidatët e aprovuar nga KED-i, të cilët i propozohen Presidentit dhe Parlamentit, emërohen, ekziston rreziku i vërtetë se kuorumi i nevojshëm për seanca plenare të Gjykatës Kushtetuese prej 6 gjyqtarësh nuk do të plotësohet.

Deri më tani KED ka renditur këto kandidatura:

1 – Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Regleta Panajoti, Elsa Toska për vendin vakant të shpallur nga Presidenti më 7 shkurt të 2018;

2 – Besnik Muçi, Regleta Panajoti për vakancën e parakohshme të shpallur nga Presidenti më 7 shkurt 2018;

3 – Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Elsa Toska për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi më 12 shkurt 2018;

4 – Për vakancën e 28 gushtit të 2018, asnjë kandidat nuk u miratua;

5 – Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Elsa Toska për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi më 4 mars 2019;

6 – Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Elsa Toska për vendin vakant të shpallur nga Kuvendi më 4 mars 2019;

Asnjë kandidat nuk u miratua për vakancën e shpallur nga Parlamenti më 28 gusht 2018.

Miratimi i pesë kandidatëve për pesë vendet e tjera të lira do të kërkojë koordinim midis Presidentit dhe Parlamentit, sepse jo të gjithë kandidatët janë cilësor për të gjitha vendet e lira.

Duke marrë parasysh armiqësinë aktuale midis dy institucioneve, kjo duket se nuk ka gjasa të ndodhë.

Por edhe nëse Presidenti dhe Parlamenti do të koordinonin përpjekjet e tyre, Gjykata Kushtetuese do të kishte sërish me një kandidat më pak se kuorumi për të dhënë gjykimin. Kjo do të thotë që e gjithë procedura e emërimit do të duhej të rifillohet nga e para, dhe mund t’i marrim me mend vonesat që do të ketë.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme