Profesori i Kolumbias: Marrëdhënia Rama-Erdogan cënon sovranitetin e Shqipërisë

Profesori i Kolumbias: Marrëdhënia Rama-Erdogan cënon sovranitetin e Shqipërisë David Phillips gjatë intervistës për VOA.

David Phillips, profesor në Universitetin e Kolombias, deklaroi për Zërin e Amerikës se “institucionet shqiptare ngritën memorialin te Parku i Liqenit për përkujtimin e viktimave të grushtit të shtetit të 15 korrikut në Turqi , në shkelje të procedurës ligjore dhe në fshehtësi të plotë, madje ato vazhdojnë të heshtin lidhur me këtë fakt”.

Ai shtoi se “memoriali është rezultat i marrëdhënies së ngushtë midis kryeministrit Edi Rama dhe presidentit turk Rexhep Taip Erdogan”, e cila sipas Philips “cënon sovranitetin e Shqipërisë”.

David Phillips është drejtori i programit për ruajtjen e paqes dhe të drejtave në institutin e studimit të të drejtave të njeriut në universitetin e Kolombias në SHBA.

Zëri i Amerikës kërkoi informacion në Bashkinë e Tiranës, e cila u përgjigj se “informacionet e nevojshme i ka Ministria e Jashtme”. Përkundër kërkesave ligjore , në faqen zyrtare të Bashkisë nuk ka asnjë informacion të publikuar. Ndërkohë Ministria i tha Zërit të Amerikës se “nuk ishte e përfshirë në këtë çështje”.

Exit sjell më poshtë pikat kryesore të intervistës së David Phillips për Zërin e Amerikës të martën:

  • Procesi i vendimmarrjes nga autoritetet nuk ishte transparent, ai nuk arriti të merrte mendimin e publikut dhe u bë në fshehtësi. Është e panjohur kush e sugjeroi idenë, mbi çfarë baze, për cilat motive, kush e pagoi atë, çfarë lloj procesi të vendimmarrjes kaloi ai? Zyrtarët përgjegjës për procesin duhet të përgjigjen.
  • Memoriali përkujton një ngjarje në Turqi, rrethanat e së cilës mbeten ende të paqarta.
  • Viktima e vërtetë e grushtit të shtetit të vitit 2016 është populli turk. Përpjekja për grusht shteti u përdor nga Presidenti Erdogan si një premisë për të shtypur shoqërinë turke, duke burgosur dhjetëra mijëra opozitarë, përfshirë qindra gazetarë, duke e kthyer Turqinë në një “gulag gjigant”.
  • Memoriali i shërben qëllimeve të propagandës së Presidentit Erdogan në Turqi dhe në Shqipëri.
  • Memoriali është një “shprehje flagrante e tiranisë” së Presidentit Erdogan mbi njerëzit e vet dhe rajonin. Ajo vë në dyshim sovranitetin e Shqipërisë.
  • Mungesa e informacionit zyrtar tregon se ajo ështe bërë në bazë të një marrëveshje personale midis kryeministrit Rama dhe presidentit Erdogan. Fitimet personale të liderëve të të dy vendeve nuk janë në interes të popullit shqiptar.
  • Mungesa e transparencës shton dyshimet në lidhje me shkeljet e mundshme ligjore të disa investimeve turke në Shqipëri. Parlamenti shqiptar duhet të formojë një komision për të hetuar në lidhje me investimet turke në vend.
  • Ai i dërgon një sinjal negativ Bashkimit Evropian përpara vendimit të tij në tetor për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë.
  • SHBA nuk duhet t’i lejojë vendet e Ballkanit të bien më tej nën ndikimin e qeverisë së Presidentit Erdogan. Vendet në Ballkan duhet të forcojnë demokracitë e tyre dhe tregjet e lira. Në këtë drejtim, SH.B.A. duhet të jetë më pro-aktive në rajon.

 

1 koment

  1. X 15 Gusht, 2019 në 10:41 pm

    Futja pordhes David Phillips, presim komision nga ERDOGONI PER ZGJIDHJEN E KRIZES APO NGA TRAMPI? Une e kam ndare mendjen : Jam me teorite dhe mendimet i TE MADHIT SIMON JUBANI.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme