Rama fajëson BE-në për moshapjen e negociatave, kërcënon sërish me ndikimin rus, islamizmin dhe populizmin

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Rama fajëson BE-në për moshapjen e negociatave, kërcënon sërish me ndikimin rus, islamizmin dhe populizmin

Me gjithë problemet e mëdha me krimin e organizuar, korrupsionin dhe shtetin e së drejtës, Kryeministri Edi Rama u përpoq sërish ta zhvendosë te Bashkimi Evropian fajin për moshapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë.

Në një intervistë me gazetarin Jack Parrock të Euronews, Kryeministri Rama shpalosi disa ide, si mundësia e fundit e mbetur, duke pyetur në mënyrë retorike nëse “ka nevojë për ndonjë konflikt [që vendet] të shpërblehen” me hapjen e negociatave me BE-në?

Ai deklaroi, gjithashtu, se moshapja e negociatave të pranimit me Shqipërinë do të ishte “e dëmshme” për rajonin, dhe të krijonte një “zonë gri” në Ballkanin Perëndimor, ku “agjendat e tjera mund të mbizotërojnë për arsye të rrëmujës, mungesës së tërheqjes [ndaj Evropës] dhe zhgënjimit”.

Këto argumente nuk janë asgjë e re. Në korrik 2015, Rama deklaroi se “nëse BE nuk është në gjendje të tregohet ashtu sic pritet, atëherë do të ketë një hapësirë ​​të madhe për Islamin radikal”.

Në vitin 2016, ai shtoi edhe rusët në çorbën e tij:

“Nëse duam të kemi një Bashkim Evropian të sigurt dhe të qëndrueshëm dhe, bashkë me këto, edhe një Evropë të sigurt, nuk është mirë të ketë boshllëqe. Për më tepër, nuk duhet të harrojmë se ka edhe aktorë të tjerë, të tretë, të cilët janë duke luajtur lojën e tyre dhe të cilët mund të përfitojnë nëse BE lë një boshllëk këtu. E kam fjalën për Rusinë, por edhe për Islamin radikal.”

Me këto deklarata, Kryeministri Rama i drejtohej ligjërimit të populizmit të djathtë në BE, me shpresën se ata do t’i përgjigjeshin kauzës së tij. Kur këto forca të djathta filluan të deklaroheshin kundër hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë, Rama e zhvendosi fajin për mungesën e suksesit të tij pikërisht te “problemi i brendshëm” i populizmit të djathtë në BE.

Ky qëndrim është thelbësisht kontradiktor: nëse mbështesh te frika e BE-së nga Rusia, Islamofobia dhe racizmi, nuk mundesh që njëkohësisht ta akuzosh BE-në për racizëm antishqiptar.

Sidoqoftë, të gjitha këto kërcënime dhe paralajmërime Rama i bëri me hamendjen se BE do ta pranonte Ballkanin Perëndimor në “bllok”, domethënë në të njëjtën kohë, në veçanti Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por gjatë muajve të fundit, vendosmëria e BE-së për ta bërë këtë ka rënë, pasi Maqedonia e Veriut ka dhënë “rezultatet e prekshme” të nevojshme, duke arritur marrëveshjen për ndryshimin e emrit me Greqinë dhe duke e zbatuar atë.

Ndërkohë, Shqipëria ka mbetur prapa me reformën në drejtësi, e cila është kthyer në një karikaturë të trishtuar të arnimeve ligjore ad hocsui generis, të atypëratyshme dhe të veçanta. Në të njëjtë kohë, vendi ka rënë në një krizë të thellë kushtetuese, që përfshin zgjedhje të paligjshme lokale, lënie të mandateve të deputetëve, një sistem drejtësie tërësisht të shembur, dhe përpjekjen e qeverisë për të shkarkuar Presidentin.

Në të njëjtën kohë, krimi i organizuar dhe prodhimi i kanabisit janë ende në rritje, duke ngritur shqetësime serioze në disa vende të BE-së, përfshirë Holandën.

Si rezultat, duket se ka një konsensus në rritje midis vendeve të BE-së se Maqedonia e Veriut ka bërë më shumë përparim dhe ka një shans më të mirë që negociatat e pranimit të hapen në tetor, gjatë samitit të Këshillit Evropian.

Kjo kërcënon themelet e propagandës së Ramës, e cila i kërkon jashtë Qeverisë Rama të gjitha shkaqet për rrugën e ndërlikuar të integrimit të Shqipërisë në BE. Vetë Rama e di shumë mirë këtë. Në qershor, Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski shkroi se “Problemi më i madh tani (për hapjen e negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut) është shkëputja nga Shqipëria”, dhe Rama iu përgjigj menjëherë se:

“Presidenti @SPendarovski nënkupton favorizimin e ndarjes nga Shqipëria në vendimin për negociatat? Çudi kjo qasje, sidomos kur konsideron kontributin kyç të Shqipërisë&shqiptarëve në zhvillimet demokratike&rrugën europiane të shtetit mik. S’duket as e drejtë as praktike faktikisht!”

Problemi për Kryeministrin Rama është se në momentin që BE do të vendosë të hapë negociatat me Maqedoninë e Veriut, dhe jo me Shqipërinë, ai nuk do të ketë më mundësinë t’ia hedhë fajin problemeve “të brendshme” apo “antishqiptarizmit” të supozuar të BE-së.

Maqedonia e Veriut ka një pakicë shqiptare të madhe në numër, dhe ndryshimet e fundit kushtetuese e bënë shqipen gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes. Nëse BE-ja do ta ndante hapjen e negociatave me Shqipërinë nga hapja me Maqedoninë e Veriut (nuk është e qartë sesa janë gjasat për këtë), Rama do të përballej me realitetin e shtetit mafioz që ai ka krijuar, dhe nuk do t’i mbetej më asnjë justifikim gjeostrategjik se kjo erdhi nga “problemet e brendshme të BE-së”.

Ramës do t’i duhej të përballej edhe me faktin se teksa qeveria paraardhëse (dhe kundërshtarët e tij politikë) arritën ta anëtarësonin vendin në NATO, ta bënin kandidat për në BE-në, të hiqnin vizat për në Zonën Shengen, Rama vetë nuk ka asnjë rezultat për të treguar.

Kjo nuk do të thotë që BE-ja do të merrte vendimin e duhur duke mos hapur negociatat me Shqipërinë. Siç kam argumentuar më herët, BE-ja nuk ka zgjidhje të lehta për Shqipërinë dhe për Ballkanin Perëndimor, kryesisht për shkak të politikave të veta të dështuara të zgjerimit nën drejtimin e Presidentit Juncker, dhe për shkak të mungesës së dukshme të një qasjeje koherente gjeostrategjike.

Ndoshta Komisioni i ri Evropian do të tregohet më i mençur në qasjen e tij, por deri atëherë izolimi i Shqipërisë brenda procesit të zgjerimit vetëm sa do të rritet, dhe në një moment, Ramës do t’i mbarojnë justifikimet.

6 komente

  1. E di Rama 9 Gusht, 2019 në 10:24 pm

    Vidh vidh ti pa lere be-ne. Se ja fusin kot ata. A me prodhimin dole mire kete vit qe vit i mare, luli e beri me se miri pjesen e vet.

  2. E di Rama 10 Gusht, 2019 në 7:25 pm

    Be do vazhdoje te egzistoje dhe pa shqiperine, po shqiperia si so jete pa BE? Mendoj nje vend pa objektiv, pa mission, kaos= geto.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme