Rama heq çdo dyshim – Tenderi për Teatrin Kombëtar fasadë, fituesi i paracaktuar

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Rama heq çdo dyshim – Tenderi për Teatrin Kombëtar fasadë, fituesi i paracaktuar

Përmes një postimi në Facebook, Kryeministri Edi Rama na i hoqi të gjitha dyshimet se procedura e tenderit për Teatrin Kombëtar dhe zonën përreth, bazuar në Ligjin special, do të jetë “e hapur dhe e drejtë”, siç dëshironte Ambasdori i BE-së, Luigi Soreca.

Në të njëjtin postim, Kryeministri Rama lajmëroi dhe rikonstruktimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, teksa konfirmoi se është i vendosur për të shembur Teatrin Kombëtar dhe për t’ia dhënë tokën publike, ndër më të vlefshmet në Tiranë, privatit:

“Ja kështu, njësoj, do të shkëlqejë nesër edhe Teatri i ri Kombëtar, i cili përveçse do të jetë një gëzim nga brenda për çdo artist e artdashës, do të rrezatojë edhe nga jashtë, si një kryevepër e arkitekturës bashkëkohore, falë talentit të arkitektit të famshëm danez Bjarke Ingels e të studios së tij prestigjoze ‘BIG’.”

Duke konfirmuar se firma daneze e arkitekturës BIG do të projektojë Teatrin e ri Kombëtar, Kryeministri Rama indirekt konfirmoi se kompania Fusha do të fitojë tenderin për ndërtimin e tij. Në faqen zyrtare të BIG-ut, Fusha përmendet si klienti kryesor për projektin e teatrit.

Fillimisht, Bjarke Ingels pretendoi se kishte fituar “konkursin” për projektimin e teatrit, por kur Exit.al i kërkoi informacion për ‘konkursin’, BIG përdori si justifikim për të mos dhënë informacione “një marrëveshje kontraktuale për atë se çfarë mund të themi në publik” me Bashkinë e Tiranës. Është e paqartë sesi Bashkia e Tiranës është përfshirë në këtë konkurs imagjinar apo në  marrëveshje me kompaninë Fusha, veçanërisht kur tenderi është ende në zhvillim e sipër.

Bjarke Ingels dhe studioja e tij BIG kanë refuzuar të përgjigjen për çdo pyetje nga Exit dhe i kanë bllokuar gazetarët e Exit në Twitter.

Tani që është e qartë se Kryeministri Rama këmbëngul në projektin e studios BIG, nuk duhet të ketë më asnjë dyshim se është kompania Fusha ajo që do të fitojë tenderin për Teatrin Kombëtar. Dhe për shkak se fituesi ka qenë i paracaktuar qartë, duket gjithashtu se këmbëngulja e guximshme e Ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca, për një “procedurë të lirë dhe të drejtë” nuk ishte vetëm e gabuar, por edhe plotësisht e keqinformuar.

5 komente

  1. t 7 Gusht, 2019 në 10:30 pm

    Teatri do jete gracka ku do bjerë brenda ramëlaraska

  2. Avni Agaci 10 Gusht, 2019 në 10:12 am

    Do te jete nje nder veprat me te arrira ne fushen e artit.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme