Serbia akuzohet se korruptoi ministren afrikane për të tërhequr njohjen e Kosovës

Serbia akuzohet se korruptoi ministren afrikane për të tërhequr njohjen e Kosovës Ivica Daçiç

Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Afrikës Qendrore ka pranuar një rryshfet prej afro 300 mijë eurosh për t’i lëshuar Serbisë një dokument për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga ky shtet, sipas një gazete lokale.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Afrikës Qendrore Silvi Temon

Një investigim i CNC (CorbeauNews) ka zbuluar se më 24 korrik 2019 Ministrja Silvi Temon ka nënshkruar një dokument për tërheqjen e njohjes së Kosovës, pasi kjo i ishte kërkuar në Paris nga përfaqësues të qeverisë serbe. Ministrja kishte vepruar pa dijeninë e Kryeministrit, të Këshillit të Ministrave dhe Presidentit.

Në mes të muajit korrik, Ministrja Temon ishte takuar në Paris me një person të quajtur Vladimir, i cili ishte paraqitur si këshilltar i Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiç. Vladimiri, sipas investigimit të gazetës afrikano-qendrore, i kishte ofruar rreth 300 mijë euro (200 milion franga të Republikës së Afrikës Qendrore) ministres për shërbimin.

Më 24 korrik, një i dërguar i Vladimirit, i quajtur Tanja, i cili raportohet të jetë anëtar i shërbimit sekret serb në Republikën e Afrikës Qendrore, mori në dorë dokumentin dhe e dërgoi në Serbi.

Tri ditë më pas, Ministri Daçiç e paraqiti këtë dokument për mediat në Serbi si një arritje të diplomacisë serbe nën drejtimin e tij.

Gazeta, që ka bërë zbulimin, shton se ministrja e kishte ndërmarrë këtë veprim me besimin se Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergei Lavrov do t’i bindte më vonë drejtuesit e vendit të saj për ta pranuar dokumentin e firmosur prej saj në mënyrë joligjore.

Ministrja, e cila e mori këtë detyrë në dhjetor 2018, është gjithashtu e përfshirë në një skandal tjetër me pasaportat diplomatike në vend.

Politika e jashtme e Serbisë për të lobuar për tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga shtetet me demokraci të dobët, autoritare apo nën diktaturë ishte një ndër arsyet kryesore që çuan në ngrirjen e dialogut mes dy vendeve. Arsyet e tjera ishin bllokimi nga ana e Serbisë e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL, si dhe plani Vuçiç-Thaçiç, mbështetur nga Kryeministri Rama, për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.

Rasti i korrupsionit të mundshëm të ministres së Republikës së Afrikës Qendrore sjell në vëmendje edhe një tjetër detaj. Siç shihet në fotot në vijim, deklaratat e Togos dhe Burundit për tërheqjen e njohjes së Kosovës kanë tekst identik.

Mundësia që këto tekste të jenë shkruar në mënyrë identike nga kabinete të ndryshme të dy shteteve të ndryshme është praktikisht pranë zeros. Kjo forcon dyshimet se këto tekste janë hartuar nga një dorë e vetme, sipas kërkesës së shtetit të interesuar – Serbisë.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme