Diplomacia serbe, korrupsion dhe mashtrim për mosnjohjen e Kosovës

Historia që fshihet pas fushatës së qeverisë së Serbisë për të delegjitimuar Kosovën ndërkombëtarisht, duke përdorur "ndërmjetësin" Vladimir Cizelj, një individ i njohur për skandalet korruptive shumëmilionëshe, që nga Beogradi e deri në Botsvana.

Nga Petrit Selimi
Diplomacia serbe, korrupsion dhe mashtrim për mosnjohjen e Kosovës

Në një skandal të botuar së fundmi në Republikën e Afrikës Qendrore (RAQ), mediat lokale zbuluan se qeveria e Serbisë i kishte dhënë mbi 300 mijë euro rryshfet ministres së Punëve të Jashtme të këtij vendi, në këmbim të një letre për “tërheqjen e njohjes” së shtetit të Kosovës.

Sipas ekipit të gazetarëve investigativë të medias Corbeau News, një person misterioz me emrin “Vladimir alias Vlad” kishte negociuar në Paris me ministren e Punëve të Jashtme të RAQ, Silvi Baipo-Temon, për t’i dhënë asaj mbi 300 mijë euro rryshfet në këmbim të dhënies së një letre nga RAQ për “tërheqjen e njohjes së Kosovës”.

Në fakt, personi me emrin “Vlad” nuk është edhe aq misterioz. Ai nuk është as rus, pavarësisht emrit dhe pavarësisht se, sipas medias Radio Free Europe, Rusia po luan një rol aktiv në ndihmë të Serbisë për të siguruar letra të tërheqjes së njohjeve.

Ajo që është e sigurtë, është se ky “ndërmjetësues” serb, që nxit vendet e Afrikës dhe të Karaibeve të dërgojnë letra në Beograd për “tërheqjen e njohjeve”, është Vladimir Cizelji.

Emri i tij është përmendur edhe më herët në lidhje me fushatën e Beogradit kundër njohjes së shtetit të Kosovës. Gazeta Koha Ditore ka botuar një artikull, ku përmend një burim të sajin, sipas të cilit “Cizelj është përfshirë drejtpërsëdrejti në lobimin për tërheqjen e njohjes nga shtetet Surinami, Komoret, Lesoto dhe Burundi”.

“Ai ka korruptuar zyrtarë të lartë në këto vende, për t’i bërë ata të lëshojnë nota verbale false dhe të arrijnë marrëveshje të fshehta me diktatorë për të shitur armë serbe dhe teknologji të prodhuara nga kompania Vlatacom” – i tha Kohës një burim, sipas një tjetër artikulli në Kosovo Spectator.

Vladimir Cizelji njihet në Afrikë për disa nga skandalet korruptive më të rënda në dekadën e fundit. Në vitin 2015, media në Botsvana raportoi se shërbimi sekret i këtij vendi i kishte dhënë rreth 50 milionë euro Cizeljit në kontrata që nuk u zbatuan kurrë.

Sipas gazetës investigative Mnegi: “Dokumentet tregojnë se zyrtarë të lartë të qeverisë kanë bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me një person kontrovers serbo-izraelit, të identifikuar si Vladimir Cizelj, për të kanalizuar miliona nga paratë e taksapaguesve. Investigimi i gazetës Mnegi tregon se kompania Vlatacom e Cizeljit përfitoi një kontratë të mbyllur me vlerë mbi 40 milionë euro në vitin 2010 për t’i dhënë qeverisë së Botsvanës sisteme të Infrastrukturës Qendrore Publike. Kontrata iu dha [kompanisë Vlatacom] pa ndjekur proceset e tenderimit pasi u klasifikua si “çështje e sigurisë kombëtare”.

Vladimir Cizelji bëri një vizitë edhe në Surinam përpara se të mbërrinte në Beograd një letër, që “konfrimonte” se ky vend e kishte “tërhequr njohjen e Kosovës”.

Cizelji nuk e ka fshehur marrëdhënien e tij me qeverinë e Serbisë gjatë vizitave si këto. Ai është prezantuar në Palau si “këshilltar special” i qeverisë së Serbisë, ku ka premtuar “programe bashkëpunimi për zhvillimin e sporteve” në vendin e vogël të Paqësorit.

Akoma më ogurzezë është vizita e Vladimr Cizeljit në Venezuelë dhe marrëdhënia e tij e regjimit e Maduros. Sipas deklaratës zyrtare të qeverisë së Venezuelës, këshilltari special i Serbisë mbajti një prezantim atje mbi “teknologjitë që prodhojnë dhe sesi ato mund të forcojnë sigurinë në Venezuelë”.

Qeveria e Maduros ishte shumë e interesuar për të “lidhur aleancë teknologjike me Serbinë për të garantuar mbrojtjen e popullit venezuelian”.

Regjimi i Maduros: “Venezuela dhe Serbia lidhin aleanca teknologjike për të garantuar mbrojtjen e popullit venezuelian”

Është e rëndësishme të vërehet lloji i produkteve që shet compania e Cizeljit. I dërguari i qeverisë serbe ka shitur më parë në Afrikë teknologji që, sipas shtypit lokal, “[…] bllokonin stacionet private të radiove. Ka pasur dyshime se pajisjet mund të përdoreshin kundër medias gjatë zgjedhjeve.

Një diplomat perëndimor i tha personalisht autorit të këtij artikulli se “kryeqytetet perëndimore janë të ndërgjegjshëm për manovrimet e Serbisë dhe i kanë thënë Beogradit në mënyrë krejt të qartë se kjo sjellje duhet të marrë fund.”

I njëjti diplomat u shpreh se qeveria serbe po u paguante qindra mijëra euro anëtarëve të familjes së presidentit të një shteti, si dhurim për të “rindërtuar një stadium”, por dihej gjerësisht se këto para po shkonin për shkëmbimin e drejtpërdrejtë me një letër “për tërheqjen e njohjes”.

Megjithëse ka qenë aktiv përgjatë gjithë kontinentit të Afrikës këto 20 vite, Vladimir Cizelji nuk është i panjohur as në Serbi. Miqësia e tij me ministrin e tanishëm të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, është e hershme. Ajo shkon pas në kohë të paktën në vitin 2006, kur të dy këta qenë aktorë të njërit prej skandaleve më të mëdha të korrupsionit të pas-luftës: “Çështja e Valixhes” (koferće).

Cilat janë efektet e fushatës korruptive të Serbisë kundër Kosovës?

Megjithëse Beogradi këmbëngul se këto vende e kanë “tërhequr njohjen e Kosovës”, ka ca prova të padiskutueshmë se së paku disa nga deklaratat e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë janë në hapësirën e lajmit të rremë (fake news).

Një rast i tillë tipik është ai i “tërheqjes së njohjes” nga Liberia. Ministri i Punëve të Jashtme Gbehzohngar Milton Findley shkoi në Beograd vitin e shkuar, bashkë me një delegacion zyrtarësh qeveritarë, për nëj ceremoni të veçantë, ku deklaroi se Liberia po e kthente mbrapsht vendimin e saj të para dhjetë viteve për njohjen e Kosovës.

Disa ditë pasi ministri i Liberisë deklaroi në Beograd se “Liberia nuk e njeh më Kosovën”, presidenti i këtij vendi e hodhi poshtë deklaratën e tij, dhe Ministria e Punëve të Jashtme konfirmoi përmes një deklarate zyrtare se “Liberia rikonfirmon njohjen e Kosovës”. Administrata e Presidentit Weah e përforcoi këtë deklaratë, duke kujtuar se vendi i tij ishte ndër të parët që njohu sovranitetin e Kosovës më 30 maj 2008, pak pas shpalljes së pavarësisë.

Në mënyrë të ngjashme, ministri i Punë të Jashtme të Serbisë deklaroi në 2017 se “Kryeministri i Giunea-Bisaut më informoi sot se ka tërhequr njohjen e Kosovës”. Më pak se një vit më pas, Guinea-Bisau pranoi të shkëmbente ambasadorë me Kosovën dhe akreditoi ambasadorin e Kosovës në Senegal të mbulonte edhe këtë vend.

Disa letra për “tërheqjen e njohjeve” duken akoma më të dyshimta. Letra e dërguar nga Burundi është identike me atë të dërguar nga Togo, përfshi edhe gabimet në drejtshkrim, çka bëri që një gazetar serb të vërente me gjysmë shaka se ato mund të ishin të fotoshopuara.

Fushata për “tërheqjen e njohjeve” ka rritur tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës. Ajo ka shtyrë qeverinë e Kosovës t’i përgjigjet kësaj fushate me tarifat mbi mallrat serbe. Këto veprime flakë për flakë e kanë ndalur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Vendet e Kuintit (SHBA, Britani e Madhe, Francë, Itali, Gjermani), të cilat e mbështetën pavarësinë e Kosovës, i kanë nxitur të dyja palët të heqin pengesat drejt një dialogu që të synojë njohjen reciproke. Në deklaratën e tyre të fundit, ato i kërkojnë Serbisë të “ndal[ë] fushatën e tërheqjeve të njohjeve kundër Kosovës”, dhe qeverisë së Kosovës të “ndal[ë] tarifat e vëna ndaj Serbisë”.

Ndërkohë që efektet e fushatës së Serbisë janë të dyshimta në planin diplomatik, historia e aktorëve kryesorë të përfshirë thuajse garanton se, teksa Serbia përpiqet për anëtarësim në BE, paratë e taksapaguesve serbë nuk po përdoren për të zhvilluar shtetin e së drejtës. Në të kundërt, atop o përdoren për të zgjatur gjatë e gjerë tentakulat e korrupsionit.

Ky tekst u botua fillimisht në gjuhën angleze, në blog-un personal të zotit Petrit Selimi në platformën Medium. Përkthimi dhe titulli nga redaksia Exit.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme