Teatri Kombëtar – Aleanca aplikon ta përfshijë në listën e trashëgimisë europiane

Nga Gerard Gega
Teatri Kombëtar – Aleanca aplikon ta përfshijë në listën e trashëgimisë europiane

Teatri Kombëtar mund të përfshihet në listën e Federatës Pan-Evropiane për Trashëgiminë Kulturore Europa Nostra për 7 sitet kulturore më të rrezikuara të Europës.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka aplikuar dhe ka marrë konfirmim nga kjo organizatë ditët e fundit.

Europa Nostra është organizata më e madhe me shtrirje në hapësirën mbarë evropiane që merret me ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Ajo funksionon si një federatë me pjesëmarrës nga e gjithë Evropa dhe ka status këshillimor për UNESCO-n dhe Bashkimin Evropian.

Njoftimi i përzgjedhjes ose jo, pritet të bëhet në fillim të shtatorit.

Nëse Teatri Kombëtar do të përzgjidhet në listën e 7 siteve më të rrezikuara, atëherë Europa Nostra do të përdorë të gjithë rrjetin e saj për të sugjeruar mundësi për mbrojtjen e tij, përmes projekteve restauruese.

Sipas artistëve dhe mbështetësve të Aleancës, kjo është një mundësi e përkryer për kauzën e tyre, pasi godina e Teatrit Kombëtar ka mbetur e pambrojtur dhe qeveria do ta shembë atë.

Prej vitit 2017, Teatri Kombëtar është hequr nga ansambli kulturor që e përfshinte atë në qendrën historike të Tiranës.

Sikurse Exit.al e ka shpjeguar prej kohësh, godina rrezikohet nga një pazar mes qeverisë dhe ndërtuesve privatë që kërkojnë të përfitojnë sipërfaqe prone duke marrë përsipër ndërtimin e një godine të re.

Projekti i tyre është ndërtimi i një godine të vetme teatri dhe pas tyre 6 kulla të mëdha.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, prej 18 muajsh, e kundërshton këtë projekt. Përveç artistëve dhe qytetarëve të shumtë, përkrahës të kauzës së tyre janë edhe shumë arkitektë.

Rreth 80 arkitektë dhe urbanistë janë shprehur prej kohësh pro-mbrojtjes së godinës.

Mes tyre ka emra të njohur si Artan Raça, Besnik Aliaj, Ledian Bregasi apo Maks Velo, ndërsa arkitektë të tjerë janë angazhuar bashkë me Aleancën për të përgatitur edhe aplikimin për te Europa Nostra.

Kreshnik Merxhani, Doriana Musai dhe Astrit Seranaj kanë dhënë kontribut si ekspertë të arkitekturës për këtë çështje.

“Kjo godinë, pronë publike, ka vlera të spikatura europiane që tejkalojnë çdo përfitim afatshkurtër, që mund të vijë nga shkatërrimi i saj”, u shpreh Doriana Musai për gazetën Panorama.

Vitin e shkuar organizata Europa Nostra i kërkoi Kryeministrit të mos e prishë Teatrin Kombëtar, pasi godina e saj konsiderohet si objekt me vlera.

Në letrën e saj Europa Nostra shprehej:

Nxisim qeverinë, Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Kulturës dhe gjithë grupet e tjera të interesit ta rishikojnë vendimin për ta prishur këtë pikë historike evropiane dhe të marrin në konsideratë restaurimin e tij për ta për ta bërë atë një teatër me standarde evropiane.

Kjo organizatë ka shfaqur vlerësime edhe për zona të tjera të rëndësishme për trashëgiminë në Shqipëri.

Europa Nostra ka ndjekur punimet në amfiteatrin romak të Durrësit, kishat post-bizantine në Voskopojë e Vithkuq, të cilat arritën të përfshiheshin në listën e “7 objekteve më të rrezikuara” të trashëgimisë në Europë.

Aktualisht kjo organizatë po ndjek edhe zhvillimet në Berat e Gjirokastër për t’i përfshirë ato në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme