Uriahu dhe Zeusi i katundit tonë

Nga Ermal Mulosmani
Uriahu dhe Zeusi i katundit tonë

“Unë e njoh Erion Veliajn,” – fillonte spoti promovues i Kryeministrit Rama në fushatën e zgjedhjeve bashkiake të 2015-ës në Tiranë. Vazhdimi ishte i gjatë, por Rama i kishte thënë të gjitha me këtë fjali të shkurtër.

“Unë e njoh Uriah Hipin,” – më tingëllonte mua në veshë.

I kam të qarta të gjitha arsyet se pse Uriahu fitoi ndaj kandidaturave alternative për postin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Nëse mendoni se fitoi për ndonjë arsye normale, si zelli për punë, idetë novatore a gjepura të tilla, kjo do të thotë se nuk e keni idenë se kë keni kryeministër.

Ai në fjalime vërtet thotë “T’i gjejmë punës njeriun dhe jo punën njeriut”, por kjo vlen veç për fjalime.

Ndërsa në realitet Kryeministri argëtohet shumë nga konkurenca mes sivëllezërve të sojit, në përpjekjet servile për vëmendjen e Tij.

Kandidaturat ai nuk i shpall, mundësisht deri një ditë përpara afatit. Le të shpërthejnë servilizmat, lëpirjet, fantazitë, miqësitë, thashethemet, gazetat, analistët!

Zeusi i kundron nga lart, me nënqeshje dhe me ndjesinë e Perëndisë, që “vran e kthjell” mbi këtë katund, dhe shikon sesi katundarët bëjnë parashikimet e motit.

I la edhe atëherë kandidaturat të shpërthenin. I pari ishte Artan Lame, një bashkëpunëtor i vjetër i Zeusit të katundit tonë.

Lameziu, që vdes për monumente të vjetra, pulla poste, togëza këmishash e rripash të kapterëve të Zogut e gjëra të tilla, kishte 2 vjet që merrej me legalizimet. Domethënë, njeriut që për ideal të shpirtit ka mbrojtjen e monumenteve të kulturës, personit që kishte 4 vjet që bërtiste për ndërtimet kaotike, bathorizimin e Tiranës, rregullin urban, pikërisht atij i la hiç më pak sesa detyrën “t’u jepte tapinë këtyre të Bathores”.

Kokëulur, martiri Lame nisi punën nëpër getot që shante, dhe u çonte tapinë te shtëpia ndërtuesve të paligjshëm, të cilët kishin grabitur tokën e pronarëve. Lameziun, që tallej me “Tokën e Xanun”, Zeusi e çoi në negociata me Nue Rrokun. Dhe Nue Rroku, sipas gojëve të liga, nuk e la pa shpërblyer Lameziun me mirënjohje për begenisjen.

Pas dy vitesh mirëqenieje me Nuen, Lameziu deklaroi: “Më hanë duart për Tiranën!”, dhe u vetëshpall kandidat 6 muaj përpara. E mbani mend si e kundërshtoi Zeusi kandidaturën? Kur dikush e pyeti, ai u përgjigj “Pikërisht se i hanë duart, ne nuk do ta kandidojmë!” Publikisht, në televizor, ia dha shuplakën. Pas një viti Lamja kaloi në infarkt dhe mezi shpëtoi. Zoti qoftë me të në të ardhmen e inshalla nuk ka qenë deklarata e Zeusit që e bëri me zemër.

Uriahu dukej në rrugë të mbarë. Lamja iku, rruga po shtrohej. Zeusi nuk jepte shenja, por Atij i pëlqen gjendja e pezullt, ndaj kjo nuk është ndonjë shenjë e keqe.

Pastaj doli ai spoti “”Unë e njoh Uriahun”.

Pikërisht ngaqë e njihte servilizmin ekstrem, lëpirjen, nënshtrimin, imitimin deri në detaje të shefit, Ai vendosi për Uriahun. Por vetëm këto nuk mjaftonin. Zeusi ia njihte edhe aftësinë për intriga, helm, poshtërsi. Ai e dinte po kaq mirë se të gjitha këto intriga do të zhvilloheshin paralelisht me servilosjen e nënshtrimin dhe do t’i drejtoheshin vetëm atij, Zeusit të katundit tonë! Kjo gjë i pëlqente pa masë dhe kjo ishte arsyeja pse e kandidoi.

Uriahu pa t’i rritej ndikimi në katund. Ndonjë iluzion, që ia ushqenin katundarët tanë, se “tanimë ka ardhur koha jote”, i pëlqente. Jargë i dilnin nga goja, dopamina i rritej në tru. Megjithatë ai kurrë nuk mund të ishte i sigurtë, ndaj priste si Beria agoninë e Stalinit. Ditën përpiqej të imitonte deri edhe nënshkrimin, lëre pastaj fjalorin dhe gjestikulacionin.

Ndonjëherë fantazia e orëve të mëngjesit pa gjumë e çonte shumë larg, në një kohë pa Zeusin e katundit tonë. Pastaj në çast trembej se mos sinjale të veprimtarisë subversive të trurit të tij mbërrinin deri në Surrel dhe kapeshin nga antenat e Zeusit. I largonte ato mendime dhe e gjente veten fajtor pse mendja e tij nuk i bindet Zeusit si gjithë pjesa e qenies tjetër servile.

Dhe vërtet, dukej se ndonjë sinjal i tillë kishte mbërritur në Surrel. Natën e Vitit të Ri, Zeusi i katundit tonë doli në televizor e tha: “Ka një komplot dhe koka e tij është Uriah Hipi. Ai një ditë do të varet në një nga ato pemët që mbjell vetë në televizor!”

Duheshin edhe 5-6 orë të fillonte festa e Vitit të Ri. Uriahu u tmerrua. Zeusi ia kishte lexuar ëndrrën.

Oh, çfarë drame! E kishte me veten dhe me mendjen që nuk i bindej e shkonte sa andej këndej!

Ai Vit i Ri u kthye në një mynxyrë. Përpiqej ta detyronte trurin të mendonte vetëm gjëra të mira për Zeusin, me shpresën se Ai do t’ia kapte mendimet. U zotua se kurrë nuk do të mendonte më ashtu!

Mendonte si e si të gjente një mekanizëm që i tregon momentin se kur duhet të fillojë të mendojë kundër Zeusit dhe Ai të mos e pikasë. Iu kthye në një makth të madh. Dikur e gjeti një zgjidhje, duhet të gjej rezonimin me mendjen e Zeusit.

Mendja e Uriahut do të ishte e zënë vetëm me përpjekjen për të thënë ato që ai mendonte se po mendonte Zeusi. Pra, të thonte ato gjëra për të cilat ishte i sigurt se i pëlqenin Zeusit, të rriste nivelin e servilizmit dhe nënshtrimit në një shkallë të paparë deri tani.

Me shpresën se duke menduar kaq gjatë për gjëra të mira truri i tij do të zihej dhe nuk do të kishte kohë të shkonte në hone të rrezikshme për qenien e tij. Po sikur mendja të kishte ndonjë çast të lirë?!

Në një emison televiziv kuptoi që meditimi është gjendje pamendimi. Kjo ishte gjeniale! Fytyra iu ndriçua menjëherë! Duhej filluar një kurs meditimi. Sa herë mendja mund të fluturonte, pa dëshirën e tij, në zona të rrezikshme, ky mund ta zaptonte me meditimin. Kjo ishte gjetje e mrekullueshme!

Një ditë, një mik i Zeusit i tregoi atë barcaletën e akrepit që pickoi bretkosën, ndërkohë që kjo po e shpëtonte. Për forcë zakoni, Uriahu u tmerrua. Se mos e kishte me atë, me qitje të largët?!

Pastaj u kthjellua. “Unë jam kërmill, jo akrep,” — mendoi dhe u qetësua.

2 komente

  1. E di Rama 13 Gusht, 2019 në 10:23 pm

    Gjeniale

  2. Keda 16 Gusht, 2019 në 1:35 pm

    Fantastike!

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme