Shkodër, vendimi i vetëm që mund të merret sot është konstituimi i Këshillit Bashkiak

Shkodër, vendimi i vetëm që mund të merret sot është konstituimi i Këshillit Bashkiak

Prefekti i Shkodrës Cesk Millja do të mbledhë sot për herë të parë Këshillin e ri Bashkiak, të dalë nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit.  Anëtarët e rinj do të zgjedhin, Kryetarin, dy nënkryetarët dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit.

Mbledhja do të zhvillohet në orën 11:00, në mjediset e bibliotekës së Universitetit të Shkodrës, të rrethuar nga forca të shumta policie.

Opozita ka paralajmëruar protesta kundër konstituimit të këshillit. Jashtë godinës së Universitetit të Shkodrës ndodhen dhe deputetë  të opozitës.

Siç Exit.al ka shpjeguar më parë, me dorëheqjen e Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së kryebashkiakut, ka një ngërç ligjor për ushtrimin e pushtetit vendor.

Ndërkohë media pranë qeverisë kanë filluar të përgatisin opinionin publik se kryebashkiakja e tanishme Voltana Ademi duhet të largohet nga detyra më 20 gusht, data e fundit kur duhej të merrte detyrën kryebashkiaku i ri, dhe funksionet e kryebashkiakut t’i komandohen përkohësisht njërit prej nënkryetarëve aktualë të Bashkisë Shkodër.

Sipas kësaj linje qeveritare, Këshilli i ri Bashkiak i Shkodrës sot duhet të shpallë dhe mbarimin e mandatit të zonjës Ademi dhe të bëjë zëvendësimin e saj me një nga nënkryetarët.

Por nëse qeveria do të zbatojë këtë skenar, ajo do të shkelë në mënyrë flagrante ligjet që rregullojnë pushtetin vendor.

Ligji për Qeverisjen Vendore përcakton qartë se kur mbaron mandati i një krebashkiaku. Neni 60 pika 4 përcakton:

“Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.”

Kjo do të thotë se, ndryshe nga pretendimi që po qarkullon qeveria, mandati i zonjës Ademi përfundon në momentin kur do të betohet kryebashkiaku i ri i dalë nga zgjedhjet lokale.

Kjo do të thotë se ajo duhet të qëndrojë në zyrë deri në zgjedhjen e kryebashkiakut të ri, kurdoqoftë ky moment.

Data 20 gusht që propagandojnë mediat qeveritare, do ishte data e mbarimit të mandatit të saj, nëse atë ditë do të betohej Valdrin Pjetri, por duke qenë se ai është dorëhequr dhe nuk do të betohet, bie data 20 si datë e mbarimit të mandatit të Zonjës Ademi.

Nëse Këshilli Bashkiak i ri i Shkodrës do të përpiqet ta zëvendësojë zonjën Ademi me ndonjë nga nënkryetarët apo çdo person tjetër të komanduar, ai do të shkelte si frymën edhe gërmën e ligjit.

Ligji nuk i jep asnjë komptencë Këshillit në një gjendje si e tanishmja. Në rastin më të mirë, ai duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për intepretim, por kjo Gjykatë nuk ekziston.

2 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme