137 kilogramë kokainë në Durrës – Çfarë dimë deri më tani për operacionin e përbashkët Greqi-Shqipëri

137 kilogramë kokainë në Durrës – Çfarë dimë deri më tani për operacionin e përbashkët Greqi-Shqipëri

137 kilogramë kokainë u kapën sot nga policia shqiptare në portin e Durrësit, si pjesë e një operacioni të përbashkët me policinë greke dhe DEA-n, nisur në gusht 2019.

Për këtë ngarkesë policia arrestoi dy persona, Altin Myslimhaka e Ardian Bega, dhe shpalli në kërkim Gentian Malindin.

Lajmin e bëri të ditur Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu në një konferencë për shtyp të përbashkët me Prokurorinë e Përgjithshme.

Lënda narkotike u kap brenda 4 konteinerëve me banane që erdhën në portin e Durrësit nga Porti i Pireut, dhe fillimisht ishin nisur nga Ekuadori.

Policia greke, e cila e ka nisur këtë operacion që më 2 gusht, ka pikasur kokainën në konteinerë, por nuk e kanë sekuestruar atë për të gjetur destinacionin dhe pritësit finalë të drogës.

Policia greke zëvendësoi pjesën më të madhe të kokainës me oriz për të mos rënë në sy tek trafikantët, pajisi konteinerët me gjurmues GPS dhe lajmëroi policinë shqiptare.

Pas mbërritjen në portin e Durrësit, konteinerët kanë ndenjur aty për tre ditë. Pas tre ditësh, për të marrë lëndën narkotike tek konteinerët kanë shkuar Ardian Bega, oficer sigurie në portin e Durrësit dhe Altin Myslimhaka, punonjës pastrimi në një anije peshkimi.

Të dy kanë përdorur kartat si staf i portit për të hyrë lirshëm në port. Ata kanë marrë vetëm një pjesë të lëndës narkotike dhe e kanë transportuar me një makinë, në drejtim të Shkëmbit të Kavajës. Gjatë ecjes ata kanë hapur pakot dhe kanë kuptuar se diçka nuk shkonte pasi në vend të kokainës kanë gjetur pako me oriz. Ata kanë hedhur pakot me drogë nga makina dhe kanë tentuar të arratisen, por policia i ka pasur në mbikëqyrje përmes gjurmuesve GPS, dhe ka bërë të mundur arrestimin e tyre në flagrancë.

Sipas policisë, pritësi i ngarkesës së kokainës është Gentian Malindi, pronari i anijes së peshkimit ku punonte Altin Myslimhaka dhe i një kompanie që tregton produkte peshku. Gentian Malindi është person me precedent penal. Ai  është arrestuar më 8 qershor 2013 pasi u kap me 500 kilogramë kanabis.

Të tre të dyshuarit akuzohen për ‘trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, i kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal’.

Dy të arrestuarit morën masën e arrestit me burg nga Gjykata për Krime të Rënda.

Çfarë nuk sqaroi drejtori Ardi Veliu?

Gjatë deklaratës për shtyp, Ardi Veliu u shpreh se ‘këta shtetas [Ardian Bega dhe Altin Myslimhaka] në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në portin e Durrësit, duke shfrytëzuar faktin që kishin akses në hyrje dhe dalje në Port bënë të mundur nxjerrjen e një sasie të lëndës narkotike nga kontejneri.’

Zoti Veliu nuk shpjegoi se kush ishin personat e tjerë dhe se përse ata nuk janë arrestuar.

Po ashtu, zoti Veliu nuk informoi se njëri prej të arrestuarve, Ardian Bega, ishte oficer sigurie në portin e Durrësit.

Si ka nisur operacioni në Greqi

Hetimet për këtë rast kanë nisur që në fillim të gushtit, kur policia greke mori informacion se një ngarkesë e madhe kokaine do të vinte nga Amerika Latine në Athinë dhe Selanik.

Më 2 gusht, policia greke kapi ngarkesën e parë prej 52 kilogramësh kokainë, e cila ishte futur në një enë frigoriferike me banane dhe kishte ardhur në portin e Selanikut nga Ekuadori. Më 13 gusht, policia kapi 24 kilogramë kokainë të tjera.

Më pas, më 14 gusht policia greke kapi rreth 500 kilogramë kokainë në disa kontejnerë me banane në portin e Pireut. Sërish origjina e kokainës ishte Ekuadori. Për këtë ngarkesë, policia arrestoi katër persona dhe thelloi më tej hetimet për të gjetur nëse ngarkesat ishin të lidhura me njëra-tjetrën dhe ku ishte destinacioni final.

Në ngarkesën e radhës, policia greke nuk e sekuestroi të gjithë sasinë e kokainës por e gjurmoi atë deri në Shqipëri, ku dhe më pas u kap.

 

2 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme