Basha: BE duhet të hapë negociatat me Shqipërinë

Basha: BE duhet të hapë negociatat me Shqipërinë

Lulzim Basha deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të hapë bisedimet me Shqipërinë për të shtuar kështu presionin mbi qeverinë.

Në një intervistë për gazetaren Erisa Zyka ai u shpreh se hapja e negociatave kërkon një vendim politik për të treguar se Europa i ka dyert e hapura. Sipas, kryetarit të opozitës:

“Është shumë më e vështirë se më përpara. Është fakti se Shqipëria nuk ka bërë progres në kushtet e vendosura. Tashmë e pranon çdokush se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet e vëna për të hapur negociatat, lypset një vendim politik.

Një vendim politik i cili t’i sinjalizojë popullit shqiptar se Europa në të vërtetë i mban dyert e hapura dhe nga ana tjetër për t’i dhënë një mesazh të qartë autoriteteve shqiptare se BE tashmë përmes procesit të negociatave do të ushtrojnë presion të shtuar mbi qeverinë.  Ky presion do të shërbejë për të kapërcyer krizën kushtetuese dhe institucionale të vendit.”

Në lidhje me hapjen e negociatave me kushte, zoti Basha deklaroi  se kjo do të ndihmonte Shqipërinë për “tu rivendosur në shinat e ligjit, të ndëshkimit të politikanëve të lidhur me krimin, por mbi të gjitha zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

“Hapja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim. Që nga hapja e negociatave e deri te procesi i anëtarësimit kalojnë vite të tëra, si vendi sillet në raport me kriteret, shtetin e së drejtës. Hapja e negociatave nuk është gjë tjetër veçse një impuls për të vazhduar punën për përmbushjen e kritereve.

Një përqasje e tillë nëse do të realizohet nga BE veçse do të ndihmonte përpjekjen jo vetëm të opozitës por të të gjithë shqiptarëve për të rivendosur vendin në shinat e ligjit, të ndëshkimit të politikanëve të lidhur me krimin, por mbi të gjitha zgjedhje të lira dhe të ndershme që do të jenë i vetmi hap që mund ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë ku gjendet”, — u shpreh Basha.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme