Çekisë, së kritikuar për gjendjen e shtetit të së drejtës, i jepet portofoli i ‘shtetit të së drejtës’ në Komisionin e ri Europian

Çekisë, së kritikuar për gjendjen e shtetit të së drejtës, i jepet portofoli i ‘shtetit të së drejtës’ në Komisionin e ri Europian

Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian Ursula fon der Lejen ka propozuar komisioneren e propozuar nga Çekia, Vera Jurova, të mbulojë portofolin e shtetit të së drejtës në Komisionin e ri Europian.

Jurova është propozim i Kryeministrit çek Andrej Babish, nën drejtimin e të cilit Çekia është kritikuar nga BE-ja pikërisht për dobësimin e shtetit të së drejtës. Komisioni Europian ka shprehur shqetësime serioze për prirjet autokratike, dëmtimin e ndarjes së pushteteve, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit në Poloni, Hungari dhe Çeki gjatë viteve të fundit.

Portofoli i Jurovës do të përfshijë zbatimin e ligjit në vendet e BE-së, demokracinë, dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes, sipas medias amerikane Politico.

Që prej vitit 2014 ajo ka qenë Komisionerja për Drejtësinë, Konsumatorët dhe Barazinë Gjinore në Komisionin Evropian të drejtuar nga Zhan Klod Junker. Ky do të jetë mandati i saj i dytë në komision.

Jurova është ende anëtare e partisë së Kryeministrit Babish, megjithëse në Çeki shihet si një personalitet politik me njëfarë pavarësie nga vetë Babishi dhe partia e tyre.

Deri tani, problemet me shtetin e së drejtës në vendet e Evropës i ka mbuluar zëvendëspresidenti i KE-së, Frans Timermans, i cili ka qenë një ndër zërat më të ashpër në BE kundër qeverive gjithnjë e më autoritare të Hungarisë dhe Polonisë.

Presidentja e zgjedhur e KE-së fon der Lejen duket se mund të shtyhet drejt zgjedhjes së Jurovës për të mbuluar këto çështje, pasi nën drejtimin e Junkerit KE-ja është kritikuar nga disa drejtues të Evropës Qendrore dhe Jugore (EQJ) se është përqendruar padrejtësisht te ky rajon për të hetuar shkelje në shtetin e së drejtës.

Mediat raportojnë se fon der Lejen donte një komisioner nga ndonjë vend ish-komunist nga EQJ për t’u marrë me shtetin e së drejtës.

BE-ja e ka pasur të vështirë të trajtonte çështje të mosrespektimit të shtetit të së drejtës në disa vende evropiane, kryesisht në Poloni dhe Hungari, ku shumë analistë mendojnë se demokracia ka bërë hapa pas.

Mekanizmi mbrojtës i BE-së ndaj vendeve anëtare që shkelin vlerat themeltare të BE-së (shteti i së drejtës, respekti për dinjitetin e njeriut, liria, demokracia, barazia, të drejtat e njeriut) është Neni 7 i Traktatit për Bashkimin Evropian, i cili parashikon ndëshkime për vendet me pezullim të të drejtave të caktuara në BE.

Gjatë vitit të fundit, Parlamenti dhe Komisioni Evropian kanë bërë përpjekje ta zbatojnë deri në fund këtë nen kundër Hungarisë dhe Polonisë.

Qeveria e Hungarisë u akuzua për dhunim të së drejtës së fjalën e lirë dhe të organizatave joqeveritare, si dhe për heqjen nga puna të gjykatësve, sipas parapëlqimeve politike.

Qeveria e Polonisë u akuzuar për dhunim të shtetit të së drejtës dhe për përpjekjet për të kontrolluar gjyqësorin përmes një reforme në drejtësi.

Në Këshillin Evropian vendet duhet të votojnë në unanimitet se një vend anëtar i ka kryer shkeljet e vlerave themeltare të BE-së, por kjo është e vështirë të arrihet në praktikë. Në rastin e Hungarisë dhe Polonisë, qeveritë e të dyja vendeve do të votonin kundër sanksioneve ndaj njërës prej tyre. Për këtë arsye, marrrja e masave ndëshkuese sipas Nenit 7 ka ngecur në vend deri tani.

Presidentja e re e KE-së ka premtuar se do të mbështesë miratimin e dy mekanizmave të reja për të kontrolluar respektimin e ligjit në BE.

Së pari, një raport të përvitshëm për çdo shtet të BE-së, të fokusuar te shteti i së drejtës; pra, te respektimi i vlerave themeltare të BE-së.

Së dyti, financimet e BE-së në çdo shtet të kushtëzohen me nivelin e respektimit për shtetin e së drejtës, bazuar në raportin e përvitshëm.

Të dyja këto propozime pritet të hasin së paku kundërshtimin e vendeve si Polonia dhe Hungaria, por edhe Çekia e afërt me to. Mbetet e paqartë se si mund të ndihmojë zonja Jukova në realizimin e kësaj axhende të Presidentes së KE-së, kur ajo është caktuar të përfaqësojë Çekinë nga një kryeministër i akuzuar për ato që Jukova pritet të mbrojë.

Kryeministri Babish i partisë ANO (e njëjta parti e Jukovës) është nën hetim me akuzat se ka përfituar në mënyrë të paligjshme 2 milionë euro fonde nga BE-ja, kur ishte biznesmen, dhe qeveria e tij është përballur vazhdimisht me kritika për respektimin e shtetit të së drejtës.

Si rrjedhojë, nëse zgjidhet në Komision, puna e Vera Jukovës duket se do të jetë e vështirë dhe nën vëzhgimin e vazhdueshëm të eurodeputetëve.

1 koment

  1. N 6 Shtator, 2019 në 11:16 am

    Obobo

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme