KLSH i shtohet listës së institucioneve të bllokuara

Nga Johannes Estrada
KLSH i shtohet listës së institucioneve të bllokuara

Një nga karakteristikat kryesore të regjimeve autokratike është përpjekja e tyre e vazhdueshme për të minuar fuqinë e institucioneve të tjera. Qeverisja e Edi Ramës ka ndjekur të njëjtin model në dobësimin sistematik të çdo kontrolli dhe ekuilibri të mundshëm rreth tij.

I gjithë sistemi i drejtësisë është aktualisht i paralizuar; gjyqtarët dhe prokurorët janë nën presionin e vazhdueshëm të procesit të verifikimit, ndërsa organet përgjegjëse për emërimet e tyre janë ende në kaos; Gjykata e Lartë dhe Kushtetuese nuk janë funksionale; institucionet e pavarura janë të mbushura me militantë partiakë.

Si rrjedhojë, Parlamenti rregullisht miraton ligje anti-kushtetuese; institucionet administrative nuk njohin dhe zbatojnë dekretet e Presidentit; pushteti vendor është rindërtuar përmes një harte të re administrative që ofron i përparësi elektorale Partisë Socialiste në pushtet.

Akoma më keq, qeveria kontrollon plotësisht operatorët kryesorë të mediave në vend dhe i ka shndërruar ato në organe të bindura të propagandës së saj.

Fatkeqësisht, është koha të shtojmë një institucion tjetër kyç në listë: Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH), i cili për muaj të tërë është përfshirë në mosmarrëveshje ligjore që minojnë autoritetin dhe mundësinë e tij për të kryer detyrat që i ngarkon ligji.

Në dhjetor 2018 mbaroi mandati 7-vjeçar i Kryetarit të tanishëm të KLSH-së Bujar Leskaj. Megjithëse Ligji i KLSH-së e detyron atë të “qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”, Zoti Leskaj delegoi kalimin e kompetencave të tij tek Drejtoresha e  Përgjithshme e KLSH-së Lindita Lati “deri në paraqitjen në detyrë të Kryetarit të ri të KLSH-së.”.

Në vendimin e delegimit, zoti Leskaj i është referuar Nenit 25 të Ligjit për Kontrollin e Lartë të Shtetit, i cili përcakton se “Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit është përgjegjës dhe vendos për… (f) për kompetencat dhe detyrat e njësive organizative; […] (i) për nëpunësin e autorizuar prej tij, i cili mund të përfaqësojë Kontrollin e Lartë të Shtetit në marrëdhënie me të tretë…”

Për të ligjëruar delegimin e kompetencave të tij, zoti Leskaj mori Vendim Nr. 257, datë 31 dhjetor 2018, për ndryshimin e  rregullores sē brendëshme të KLSH-së duke shtuar përcaktimin:

“Kryetari i KLSH përcakton që kompetencat e Zëvendës/Kryetarit janë të njëjta me kompetencat e kryetarit kur delegohen me Vendim të posacëm nga ana e tij që është botuar në fletoren zyrtare.”

Por, Kodi i Procedurave Administrative përcakton se titullari i institucionit mund të delegojë kompetenca vetëm nëse ligji ja njeh këtë të drejtë. Neni 28 i Kodit përcakton se “delegimi ose zëvendësimi i kompetencave mund të bëhet vetëm nëse: a) parashikohet shprehimisht në ligj…” Në asnjë nen të ligjit Kryetarit të KLSH-së nuk i njihet e drejta e delegimit të të gjitha detyrave të kryetarit të KLSH një nëpunësi tjetër.

Një akt i nxjerrë në kundërshtim me ligjin është absolutisht i pavlefshëm, ndaj si ndryshimi i rregullores edhe vendimi i delegimit nga Zoti Leskaj kanë qenë në kapërcim të ligjit dhe nuk mund të sjellin pasoja juridike. Kjo do të thotë që të gjitha vendimet e marra nga Zonja Lati janë juridikisht nul.

Kjo situatë nuk do të ishte shumë problematike sikur pasardhësi i zotit Leskaj të ishte zgjedhur në kohë.

Por Kuvendi—nën kontrollin e plotë të Kryeministrit Rama—ka refuzuar tre kandidatë të ndryshëm të paraqitur nga Presidenti Meta për postin e Kryetarit të Kontrollit të Shtetit, deri tani.

Duket se Kryeministri Rama nuk do të lejojë që individë jo-besnikë ndaj tij të ngjiten në një pozicion kaq të rëndësishëm dhe ka interes të qartë për të bllokuar kandidatë të tillë.

Historia turbullohet edhe më tej kur në muajin maj zonja Lati që ushtronte kompetencat e deleguara të Kryetarit të KLSH-së vendosi të japë dorëhqjen dhe largohet nga KLSH.

Si rezultat i këtij zhvillimi, zoti Bujar Leskaj vendosi të rimarrë pozicionin e tij të mëparshëm duke anuluar delegimin e kompetencave të nënshkruar pesë muaj më parë. Në vendimin e firmosur prej tij, lihet te kuptohet se Zoti Leskaj nuk ishte larguar nga posti i tij, por vetëm kishte deleguar kompetencat përkohësisht dhe, tani, po i rimerrte ato deri në zgjedhjen e një kryetari të ri nga Kuvendi, sikurse e kërkon ligji.

Megjithatë, gjatë kësaj periudhe zoti Leskaj kishte paraqitur një kërkesë në Ministrinë e Financave për të përftuar tre paga shtesë që i takojnë ligjërisht si shpërblim në momentin e largimit nga detyra. Kërkesa tij është miratuar nga ana e Ministrisë së Financave në datë 16 maj 2019 me shkresën me numër protokolli 5868/3. Exit.al nuk ka mundur të vertetojë nëse pagesa e tre rrogave është bërë.

E gjitha kjo rëmujë dhe këto veprime të dyshimta ligjore, por me pasoja në menaxhimin e një prej institucioneve kryesore kushtetuese të vendit, kanë ardhur, pa dyshim, nga bllokimi që shumica socialiste i ka bërë zgjedhjes së kryetarit të ri të KLSH-së.

Përtej përpjekjes për ta kapur institucionin, duke vendosur një njeri të “përshtatshëm” në krye të tij, shumica socialiste, me gjasa, po kërkon ta mbajë KLSH-në pa një udhëheqje efektive edhe për disa muaj deri sa të marrë disa vendime të rëndësishme që duhet të kalojnë edhe përmes një vlerësimi të KLSH-së.

Sipas Kushtetutës (Neni 164), dhe Ligjit për Buxhetin (Nenet 4/1, 4/2, 27, 29, dhe 63), KLSH ka përgjegjësinë të kryejë një auditim të plotë të buxhetit të vitit paraardhës.

Në fakt, Kuvendi duhet të miratojë buxhetin faktik të vitit paraardhës para se të fillojë puna për buxhetin e vitit pasardhës. Pra, para se të fillojë hartimin e projekt buxhetit të vitit 2020 duhet të ketë miratuar buxhetin faktit të vitit 2018. Kjo bëhet sepse buxhetet duhet të mbështeten në një sërë shifrash (përfshi borxhin publik, deficitin buxhetor, statusin e kontratave publike, etj.), të cilat bëhen zyrtare vetëm pasi të jetë miratuar buxheti faktik i vitit paraardhës.

Sikuse u pa gjatë procesit të vitit të kaluar, miratimi i buxhetit faktit mund të kthehet në një çështje të nxehtë. Megjithëse Kuvendi refuzoi të njihte shumicën e gjetjeve të KLSH-së, siç kemi shpjeguar edhe më parë, këto gjetje krijuan probleme për qeverinë, sepse ato zbuluan rritjen e detyrimeve të papaguara nga qeveria ndaj palëvve të teta, nxorrën në pah keqmenaxhimin të financave publike në sektorë të rëndësishëm, si dhe përgënjeshtuan një sërë të dhënash statistikore zyrtare të qeverisë.

Në fakt, gjetjet e KLSH-së u pranuan (në heshtje) nga misioni i FMN-së në Shqipëri, i cili i ka cituar ato vazhdimisht.

Duke gjykuar nga ngjarjet e tanishme, raporti faktik i buxhetit 2018 nuk do të jetë më pak i ashpër me qeverinë qeverinë. Në fakt, siç mund të shihet nga afera e kontratës Milot-Balldren, ka të ngjarë që raporti i këtij viti të ketë qenë dukshëm më problematik.

Duke lejuar një Kryetar me mandat të mbaruar, dhe për rrjedhojë pa pushtet efektiv, në krye të KLSH-së, qeveria mund të vrasë dy zogj me një gur. Nga njëra anë, ajo mund të ndikojë më lehtësisht tek KLSH për të zbutur gjetjet, duke qenë se ka në dorë zgjedhjen e kryetarit të ri, i cili do të ketë në dorë konfirmimin në detyrë të personelit kyç të KLSH-së

Nga ana tjetër, nëse kjo nuk ndodh dhe gjetjet shqetësuese bëhen publike, qeveria mund të pretendojë se i gjithë raporti është hartuar nga individë dhe procedura të paautorizuara. Ajo mund të hedh poshtë çdo gjetje problematike duke pretenduar se raporti është i paligjshëm, pasi Kyetarri ka qenë përtej mandatit, dhe kështu të shmangë çdo detyrim ligjore që mund të lindë prej tij.

Cilido qoftë qëllimi i vërtetë pas kësaj situate, qeveria mund të përdorë statusin e mandatit të mbaruar të Kryetarit të KLSH-së për qëllimet e saj.

Mbi të gjitha, ne jemi sërish përballë faktit se edhe një nga institucionet e pavarura më të rëndësishme të vendit, garant i kontrollit të financave publike, është minuar duke e bërë ligjërisht të paaftë për të plotësuar misionin e tij. E gjitha kjo, pikërisht në momentin kur interesi publik ka nevojë më shumë për të.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme