Komisioni i Venecias: Presidenti tejkaloi kompetencat, shkarkimi mund të cenojë unitetin

Komisioni i Venecias: Presidenti tejkaloi kompetencat, shkarkimi mund të cenojë unitetin

Komisioni i Venecias mendon se Presidenti “i tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese” kur anuloi dhe shtyu zgjedhjet e 30 qershorit, sipas një projekt-opinioni të rrjedhur në media.

Por opinioni pohon se tejkalimet e Presidentit mund të mos jenë “shkelje serioze” që të justifikojnë shkarkimin e tij.

Opinioni deklaron se i takon Kuvendit të Shqipërisë dhe Gjykatës Kushtetuese që të vendosin nëse shkeljet janë serioze. Sidoqoftë, Komisioni i Venecias shprehet se këto shkelje “nuk duhet të çojnë domosdoshmërisht në shkarkimin” e Presidentit, pasi kjo gjë do të shkelte parimin e balancimit të pushteteve.

Komisioni ka arritur në përfundimin se Presidenti mund t’i anulojë zgjedhjet vetëm në një situatë kur përmbushen kriteret për një gjendje të jashtëzakonshme. Sipas tyre, ky nuk ishte rasti në Shqipëri. Informacioni i Presidentit se godina e Kuvendit mund të digjej nuk është arsye e mjaftueshme, ndërkohë që Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mendonte se situata ishte “e menaxhueshme” dhe pa rrezik për djegie.

Gjithashtu, sipas opinionit, nëse do të kishte pasur konsensus politik për anulimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve, si ka ndodhur në raste të tjera, kjo mund të krijonte një bazë ligjore, por as kjo nuk ndodhi.

Nga ana tjetë, Komisioni i Venecias sjell në vëmendje se vendimi i Presidentit u mor pasi ofroi në mënyrë të përsëritur mbështetjen dhe ndihmën e tij që shumica dhe pakica të arrinin një marrëveshje. “Qëllimi i Presidentit ishte të parandalonte zgjedhjet jokonkurruese, pa pjesëmarrjen e partive opozitare,” – shkruhet në projekt-opinion.

Komisioni sqaron se veprimet e Presidentit treguan se ai nuk kishte qëllim të shtynte në një afat të pacaktuar zgjedhjet, dhe se ai nuk ndërmorri ndonjë veprim për të ndaluar organizimin e zgjedhjeve.

Për këto dhe të tjera arsye, Komisioni pohon se veprimet e Presidentit mund të mos jenë shkelje “mjaftueshëm serioze” sa të kërkojnë shkarkimin e tij.

Ai pohon se vendimin përfundimtar për shkarkimin e Presidentit e ka Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese, por sugjeron se shkarkimi mund t’i rriste tensionet në vend dhe mund të dëmtonte ekuilibrin e pushteteve, ndërkohë që parlamenti dhe pushteti lokal janë në zotërimin e një partie.

Së fundmi, Komisioni i Venecias shtron pyetjen nëse shkarkimi i Presidentit do t’i shërbente unitetit të popullit dhe nëse do t’ia rriste besueshmërinë Shqipërisë në botë.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme