Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare: Distancohemi nga katolikët që janë bërë pjesë e krimit

Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare: Distancohemi nga katolikët që janë bërë pjesë e krimit

Me rastin e 5 vjetorit të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, Konferenca Ipeshkvnore Shqiptare përçoi mesazhet e Papës dhe u distancua nga katolikët që janë bërë pjesë e kriminaliteti dhe e regresit të vendit tonë.

“Distancohemi me ato raste kur katolikët nuk kanë qenë e nuk janë shembulli më i mirë i angazhimit shoqëror dhe janë bërë pjesë e kriminalitetit dhe e regresit të vendit tonë”.

Më tej, në komunikim për shtyp, Konferenca Ipeshkvnore deklaroi se:

[N]uk mund të mos konstatojmë me keqardhje se situata e vazhdueshme e tensionuar shoqërore, mungesa e një zhvillimi ekonomik integral dhe gjithëpërfshirës, mungesa e vendeve të punës ose ekzistenca e vendeve të punës të nënpaguara e jo të paguara mjaftueshëm, niveli i ulët shkollor si dhe ofrimi i vakët i asistencës mjekësore, kanë qenë dhe janë shkaqet e largimit të shumë njerëzve.

Prosperiteti ekonomik nuk mund të shkëputet nga ai i vlerave njerëzore, morale e shpirtërore. Për sa të jetë në fuqitë e në dorën tonë si Kishë katolike do të bëjmë më të mirën tonë.

Ne duhet, së bashku me të gjithë njerëzit vullnetmirë, pavarësisht bindjeve politike e fetare, e përtej tyre, të zhvillojmë ndjeshmërinë e punës dhe interesit për të mirën e vendit.

Nuk është detyra e ne ipeshkvijve të japim zgjidhje politike apo ekonomike, por të inkurajojmë e nxisim ato zgjidhje që shkojnë në drejtimin e duhur. Njëkohësisht duam të jemi zëri i atyre që janë viktima të varfërisë e të përjashtimit social e kundër atyre zgjidhjeve që dëmtojnë dinjitetin e njeriut dhe të familjeve shqiptare.

Zbrazja e “folesë” së përbashkët mbetet një plagë e hapur që na rëndon të gjithëve.
Në fjalimin e tij Papa Françesku na porositi edhe që të krishterët katolikë, së bashku me ne ipeshkvijtë, të gjejnë mënyra të reja pranie në shoqërinë shqiptare.

Ky është sensi i misionit: gjetja e rrugëve të reja që Shpirti i Shenjtë na sugjeron për të qenë një prani krijuese dhe pozitive në shoqëri. Ne jemi bartës të një mesazhi shprese dhe dashurie për të gjithë njerëzit në emër të Krishtit.

Prandaj nuk duhet të kemi frikë si Kishë dhe si të krishterë të dalim jashtë prej frikës e të provojmë rrugë të reja misionare. Kremtimet e muajit të tetorit, në Shkodër me datë 1 tetor dhe në Vlorë me datë 26 tetor, duan të jenë nisja e një epoke të re të Kishës tonë në Shqipëri.

 

1 koment

  1. M 21 Shtator, 2019 në 3:18 pm

    Dmth, Rama, Frroku, Lleshaj psh, jane keta katoliket prej te cileve distancohet Kisha? Ngjashem, ckisherim iu be dhe mafieve ne Itali para ca vitesh. Por mafiet vazhdojne punen andej Njesoj si qeveria jone ketej…mire do ishte sikur te thonin troc mos votoni me Rilindjen.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme