Mediat keqinterpretuan deklaratat, Komisioni i Venecias nuk ka rrëzuar asnjë dekret të Metës

Nga Alba Mborja
Mediat keqinterpretuan deklaratat, Komisioni i Venecias nuk ka rrëzuar asnjë dekret të Metës Gazetarja e A2, Marsela Karapanço duke intervistuar Thomas Markert.

Një deklaratë e përfaqësuesit të Komisionit të Venecias Thomas Markert, në lidhje me dekretin e Presidentit për zgjedhjet vendore të datës 13 tetor, është keqinterpretuar gjërësisht nga mediat për të arritur në përfundimin se Komisioni i Venecias ka “rrëzuar” Presidentin.

Në një intervistë për televizionin A2, zoti Markert u shpreh:

“De fakto, nuk mendoj se janë duke u bërë përgatitje për mbajtjen e zgjedhjeve, me aq sa unë jam në dijeni.”

Ky konstatim i faktit që qeveria nuk po përgatit zgjedhje më 13 tetor është shtrembëruar së pari nga vetë televizioni A2 duke e etiketuar atë si qëndrim të Komisionit të Venecias se nuk mund të mbahen zgjedhje në 13 tetor dhe pastaj është marrë si i tillë nga shumë media të tjera.

Zoti Markert pohoi vetëm një fakt të thjeshtë se institucionet të caktuara me ligj për mbajtjen e zgjedhjeve nuk po bëjnë asnjë përgatitje për zgjedhjet e 13 tetorit.

Mediat e kanë nxjerrë jashtë konteksti këtë pohim të zotit Markert duke keqinformuar publikun.

Deklarata e zotit Markert nuk është qëndrimi zyrtar i Komisionit të Venecias. Përfaqësuesit e Komsionit ishin për dy ditë në Tiranë, ku patën takime me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës.  Qëllimi i vizitës të përfaqësueve të komisionit në Tiranë ishte për të mbledhur fakte dhe të dhëna në lidhje me kërkesën e bërë nga Kuvendi më datë 22 korrik. Të dhënat që misioni ka grumbulluar gjatë qëndrimit në Tiranë do të shërbejnë për hartimin e mendimit ligjor mbi ligjshmërinë e dekreteve të Presidentit Meta.

Qëndrimi zyrtar i Komisionit të Venecias do të jepet në datën 11 tetor, kur të publikohet mendimi ligjor.

Komisioni i Venecias është një strukturë ndihmëse e Këshillit të Europës për çështje kushtetuese. Roli i tij kryesor është që të ofrojë mendime ligjore, të cilat nuk janë detyruese, por në kuadër të përmirësimit të legjislacioneve të këtyre vendeve.

Titujt e mediave që iu referuan raportimit të A2.Më poshtë mediat që qarkulluan lajmin e A2:

Newsbomb.al: Komisioni i Venecias ‘rrëzon’ Metën: Nuk ka zgjedhje më 13 tetor

Gazeta Shqiptare: Komisioni i Venecias “rrëzon” Metën për 13 tetorin: Nuk ka zgjedhje në këtë datë!

Realstory: Venecia i jep goditjen e parë Metës, rrëzon dekretin për 13 tetorin

Gazeta Sot: Komisionerët e Venecias shuplakë Metës, deklarojnë se nuk mund të ketë zgjedhje në 13 tetor, ja si pritet të fundoset presidenti

Politiko.al: Venecia zhdekreton 13 tetorin e Presidentit Meta: Nuk do të ketë zgjedhje

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme