Mungesa e standardeve të njëjta në reformën në drejtësi minon besueshmërinë e gjyqësorit

Nga Vincent Van Gerven Oei
Mungesa e standardeve të njëjta në reformën në drejtësi minon besueshmërinë e gjyqësorit

Me kalimin e kohës, një numër i madh mospërputhshmërish të reformës në drejtësi po dalin në pah, të cilat cenojnë besueshmërinë e “drejtësisë së re”. Këto mospërputhshmëri logjike u vendosën në legjislacionin e ri të reformës në drejtësi nga misionet e EURALIUS dhe OPDAT dhe u miratuan me votat e shumicës socialiste në Kuvend.

Një nga këto mospërputhshmëri ka sjellë situatën paradoksale të tanishme, ku dy kandidateve për Gjykatën Kushtetuese, gjykata më e lartë e vendit, iu ndalua të bëheshin gjykatëse përmes trajnimit në Shkollën e Magjistraturës, për shkak të pikëve të ulëta që morën në provim.

Në Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve, neni 165, pika 3, përcaktohet se këshilltarët në Gjykatën Kushtetuese duhet t’i nënshtrohen të ashtuquajturit test aftësie profesionale në Shkollën e Magjistraturës, e cila u jep atyre mundësinë të bëhen gjyqtarë ose prokurorë.

Testi ndahet në dy pjesë, test logjike, me gjithsej 100 pikë, dhe testi i profesionalizmit, me 200 pikë gjithsej. Në të dy pjesët kandidati duhet të marrë të paktën 60 përqind të pikëve të testit.

Nga 47 pjesmarrës në testim, vetëm 10 këshilltarë ligjorë të Gjykatës Kushtetuese ose të Lartë dhe ndihmësa ligjorë në gjykatat e apelit e kaluan provimin.

Neni 165, pika 2 e Ligjit për Statusin i lejon këshilltarët t’i nënshtrohen procesit të vetingut për të qenë kandidatë të mundshëm për Gjykatën Kushtetuese.

Tre këshilltaret, që hynë në testin e aftësive profesionale, kaluan edhe vetingun dhe u kualifikuan për garën në Gjykatë Kushtetuese nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi janë: Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska.

Sidoqoftë, siç tregojnë dosjet e tyre të vetingut, vetëm Fiona Papajorgji e kaloi testin. Ajo mori 63 pikë në testin logjik dhe 146 në atë profesional. Si rezultat, ajo u kualifikua për të hyrë në Shkollën e Magjistraturës. Papajorgji refuzoi të shkonte në Magjistraturë dhe aplikoi për t’u bërë gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese.

Vorpsi mori 0(?)/145 pikë (pikët e testit logjik nuk përmenden në dosjen e saj të vetingut), ndërsa Toska mori 57/153 pikë. Sipas dosjeve përkatëse të vetingut, asnjëra prej tyre nuk u kualifikua për të hyrë në Shkollën e Magjistraturës, për t’u bërë gjykatëse ose prokurore.

Ndaj ne tani gjendemi përballë një situate paradoksale dhe fatkeqe — dy nga kandidatet për në gjykatën më të lartë të vendit nuk kaluan dot provimin e aftësisë profesionale për në Shkollën e Magjistraturës, pas mbarimit të së cilës do të bëheshin magjistrate — ndërkohë që ato janë lejuar të konkurrojnë për në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo lë vend për tre shpjegime:

1. Testi i aftësisë për në Shkollën e Magjistraturës nuk është zhvilluar në mënyrë të drejtë;

2. Komisioni i vetingut dhe KED nuk kanë vlerësuar si duhet profesionalitetin e kandidatëve;

3. Ligjet e reformës në drejtësi nuk vendosin standarde të njëjta dhe të drejta në sistemin gjyqësor.

Edhe pse mundësia e parë dhe e dytë janë me siguri të mundshme, tashmë e dimë se pjesë të mëdha të legjislacionit të reformës në drejtësi u miratuan me përfshirje dhe debat minimal. Madje Kryeministri Rama deklaroi se ai “as nuk e kishte lexuar” dokumentin e reformës.

Për më tepër, kontradiktat mes përkufizimeve të ndryshme të “vetingut” të përdorura nga institucionet e drejtësisë kanë treguar tashmë pabarazitë absurde dhe kontraditat brenda sistemit ligjor.

Ky legjislacion i hartuar keq ka krijuar tashmë një situate, në të cilën kandidatët për në Gjykatën Kushtetuese, me shumë gjasa edhe gjyqtarë të ardhshëm, do të kenë të shënuar në jetëshkrimin e tyre profesional se nuk kanë kaluar provimin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës, “filtri” i madh i krijuar nga reforma në drejtësi për të formësuar anëtarët e ardhshëm të gjyqësorit.

A do të ngjallë kjo besim tek qytetarët shqiptarë, siç premtohet me këmbëngulje nga BE dhe SHBA? Nuk ka të ngjarë të ndodhë kështu.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme