‘Opozita e butë’ e Bashës përballë mafia-shtetit të Ramës

Nga Vehap Kola
‘Opozita e butë’ e Bashës përballë mafia-shtetit të Ramës

“Opozita është e dobët!” Kjo është akuza më në mode, që një përzierje social-politike, e përbërë nga elektorat gri, kritikë të opozitës apo edhe oficerë të propagandës së Rilindjes, ia drejtojnë sot grupimit politik që udhëheq Lulzim Basha.

Me një stil në dukje të lehtë të të bërit opozitë, Lulzim Basha është duke bërë atë që mund të dukej e pamundur: ditë për ditë dhe pak nga pak ai po i heq nga një tullë kështjellës arrogante të regjimit mafioz të Ramës dhe Veliajt.

Si Perseu që, për të prerë kokën e Meduzës para se ajo të nguroset, mbështetet te diçka krejt e lehtë si era dhe retë, kryetari i kontestuar i PD-së është mbështetur në një strategji krejt të pafuqishme për të ngrënë themelet e sistemit faraonik të Ramës.

Me gjasë, i vetëdijshëm se nuk mund ta sfidojë Ramën në fushëbetejën e ‘të fortëve’, Lulzim Basha ka zgjedhur ta gërryejë pak nga pak regjimin mafiokratik, sigurisht duke i hequr gurë-themele të rëndësishëm.

Figurat e shahut të Ramës të gllabëruara nga opozita mund të duken politikanë të dorës së dytë, por janë pikërisht këta lojtarë të botës së krimit dhe mafias me të cilët Rama ka sfiduar dhe mundur opozitën pikërisht në bastionet e saj tradicionale.

Elvis Rroshi në Kavajë, Armando Prenga dhe Arben Ndoka në Lezhë, Mark Frroku dhe Valdrin Pjetri në Shkodër, e së fundi Agim Kajmaku në Vorë janë ‘të fortët’ e Ramës, që pasi i kishin ngjyer në mavi krahinat e tyre, u bënë ‘viktima’ të strategjisë padurueshmërisht të butë të opozitës: ligjit të dekriminalizimit.

Për ta bërë edhe më të papërballueshme luftën gandiste të opozitës, vetë ikona e kësaj metode është sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi. I kritikuar për korrektësinë dhe qëndrimin e tij prej “djali të urtë”, ai doli të ishte një darë e vendosur dhe moskokëçarëse përballë furisë së mburravecërisë së ‘të fortëve’ të Rilindjes. Ditë për ditë, sipas një saktësie të përllogaritur laboratorike, ai tërheq prenë e tij drejt rrjetës, duke u drejtuar nga një listë pyetjesh.

Ashtu si në mitin e lashtë, pesha e rëndë e regjimit u kthye në të kundërtën e saj nga një shqelm i brishtë i opozitës mu në pikën më të brishtë të tij.

Ndokush mund të orvatet të zbehë rolin e opozitës në këtë ndërmarrje politike, duke provuar se informacionet për politikanët e inkriminuar i kanë ardhur asaj nga të pakënaqurit e Rilindjes. Por kjo është pikërisht në favor të opozitës së Bashës, sepse vetëm banorët e asaj bote të errët mund t’ia dinë të fshehtat njëri-tjetrit. S’do mend se opozita do t’i marrë prej tyre ato të dhëna kompromentuese.

Edhe në këtë pikë, duket se miti ka parathënë fatin e aksionit opozitar, pasi edhe sandalet e gurta me krahë Perseu i merr nga bota e përbindëshave, pikërisht nga motrat e Meduzës, Grajet me një sy të vetëm.

Ajo që opozita mund të bëjë, nëse nuk e ka bërë tashmë, është ngritja e kësaj strategjie të provuar me sukses në nivel mekanizmi të përhershëm pranë saj. Me këtë shkallë të shkrirjes së kufijve ndërmjet pushtetit dhe mafias, opozita duhet të përfshijë në strukturën e saj organizative një njësi të specializuar për investigimin dhe zbardhjen e lidhjeve të politikanëve me krimin dhe oligarkinë.

Një parti që i ka dhënë vendit 4 qeveri nuk duhet të vuajë mungesën e kapaciteteve profesionale, të praktikave dhe kanaleve të komunikimit me partnerët e huaj për të hedhur dritë mbi të vërtetat kompromentuese të politikanëve nga të gjithë krahët politikë.

Në fund të herës, opozita do të garantojë që sistemi i karrierës brenda radhëve të saj të mos manipulohet nga interesat kriminale. Nëse opozita ka për detyrë të rrëzojë regjimin e Rama-Veliajt, ajo ka një detyrim edhe më të madh për t’u ofruar zgjedhësve një ekip të paprekur nga ameba e mafias dhe krimit të organizuar.

Duke qenë se mafia dhe oligarkia janë në shumicën e herëve e njëjta gjë, ky mekanizëm anti-mafia i opozitës duhet të shërbejë edhe si një skaner anti-oligarki. Identifikimi dhe zbardhja e lidhjeve të politikanëve me oligarkë duhet të përbëjë një përparësi emergjente të opozitës.

Është në interesin më të mirë të publikut që politikanët e sponsorizuar nga oligarkia, në të dy krahët e politikës shqiptare, të njihen nga publiku përmes transparencës së të gjitha lidhjeve financiare. Lidhjet e oligarkisë me buxhetin e shtetit dhe burimet natyrore nuk kalojnë të gjitha përmes zyrës së Edi Ramës apo Erion Veliajt. Me dhjetëra agjentë në nivelet e larta të politikës gumëzhijnë korridoreve të pushtetit në përpjekje për të zhvatur një copë nga Shqipëria.

Oligarkia është treguar mjaft e kthjellët për t’u kujdesur edhe për një mundësi sado të vogël të ndryshimit të regjimit. Politikanët e sponsorizuar prej saj shpalosin ligjërimin anti-oligarki sa janë në opozitë dhe shantazhojnë luftën e vërtetë anti-oligarki nesër, kur opozita të vijë në pushtet.

Pastrimi i radhëve të opozitës nga këta përfaqësues të interesave të oligarkisë është një përgjegjësi edhe më e madhe se zbulimi i lidhjeve ndërmjet oligarkëve dhe politikanëve të regjimit Rama-Veliaj.

Lufta ndaj lidhjeve të krimit në politikë, pa prekur lidhjet me oligarkinë, është jo vetëm politikë gjysmake, por edhe e keqe. Një luftë e tillë pjesore nënkuptohet edhe nga etiketimi i pasaktë i regjimit të Ramës si një narko-shtet.

Sipas përkufizimeve të DEA-s amerikane, narko-shteti përfaqëson shtetin në shërbim të trafikut të drogës, ndërsa mafia-shteti shndërrohet në atdhe të krimeve financiare, pastrimit të parasë, grabitjes dhe të të gjitha llojeve të trafiqeve. Shembulli tipik i kalimit nga narko-shteti në mafia-shtet është Venezuela e Maduros.

Në një mafia-shtet, rrjeta e dendur e lidhjeve ndërmjet oligarkisë dhe krimit të organizuar shtrihet në financimin e projekteve kontroverse të ndërtimit, dërrmimit të sipërmarrjes përmes fuqisë së parave të pista dhe përqëndrimin e tregut në pak duar.

Sado kohë të marrë kjo rrugë e butë e opozitës, gjurma që ajo do të lerë në ndërtimin e shtetit dhe në perspektivën evropiane të shqiptarëve do të jetë e pashlyeshme. Si e vetmja rrugë që shmang konfliktin civil, ajo do të ketë shtruar themelet e politikës evropiane në Tiranë, ku ‘të fortët’, liderët tribalë dhe lidhjet e shkurtra nuk do të vlejnë më.

Nëse Lulzim Basha do t’ia dalë ta rrëzojë mafia-shtetin e Ramës në këtë rrugë, ai do t’i ketë dhënë ngjyrën epokës post-tranzicion dhe do të ketë themeluar një republikë evropiane në Shqipëri. Ai do të ishte edhe ‘viktima’ e parë e kësaj kulture politike, sepse do t’i duhej të largohej pa bujë si kryeministër i një republike evropiane.

3 komente

  1. t 5 Shtator, 2019 në 8:54 am

    Luli hyri ne çader per te kundershtuar zgjedhje me ramen km.Nderkombetaret i thane se do ti njohim zgjedhjet edhe pa opoziten.Luli u terhoq dhe ndodhi katrahura e 2017 qe do ngelet njolle e zeze ne karrieren e bashes.
    Po e njejta strategji u perserit per zgjedhjet e 2019.Nderkombetaret perseri kundra bojkotit te zgjedhjeve.
    Per te dyten here luli merr 2 goditje rjesht knockdown krejtesisht per faj te tij.
    Ne te gjitha protestat nga shkurti deri nekorrik luli bertiste e : ka populli ne dore.Dhe sapo populli fillonte te tregonte forcen,Luli e kthente ne marshim.Asnjehere nuk pranoi qe populli te reagonte me ate çka ndjente vete ne zemer.Çfare arriti me protestat?Asgje,vecse i zgenjeu protestuesit.
    Po kur lane mandatet a thua nuk e dinin se ato do te zevendesoheshin me ata te listes.Driteshkurtesi apo…?Gje qe pothuajse e nulizoi lenien e mandateve.Ka edhe te tjera te cilat vertetojne se kjo opozita e lulit nuk eshte e dobet por e gabuar dhe pa ndjenje pergjegjesie

  2. Mark 5 Shtator, 2019 në 6:19 pm

    Komentuesi i pare i kesaj analize te zotit Kola ska kuptuar asgje nga analiza. Nje skaner i plote dhe ne pak rreshta. Basha po e ben mjaft mire opozitarizmin Po kerkon ta zhbej relubliken e mafies me mjete politike e argumeta thelbesor Hap pas hapi ka nxjerre Ramen mafien e rames ne drite Beri shume mire qe la mandatet Beri shume mire qe nuk hyri ne zgjedhje Kaq mjaftoj per te mbetur rama me uji deri ne gjunj . Tani Raporti i zgjedhjeve tha : Dekreti i Metes per 13 tetorin duhej botuar ne zbatim te ligjit ne fletoren zyrtare Shkurt tha Ne 30 qershor kishte nje proces te paligjshem. Edhe ne proces te paligjshem e pa alternative e shkatrroj duke e shtuar me shume paligjshmerine e paligjshmerise Euroatlantiket kane zbritur me urgjence ne tirane. Cfare ka ndodhur Ata erdhen se basha ka bindur se ne cfare situate eshte liria demokracia shteti e ekonomia. Jemi ne emergjence kombetare Dokrrat me realizim te detyrave per negociata jane bere me te keqija se vete dokrra si pjese e bisedave te pamendta

    • t 8 Shtator, 2019 në 8:28 am

      Mos u nerr me komentuesin e pare o lulzims,por me ato qe ka thene luli deri tani dhe nuk i kabere

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme