OSBE: Veliaj siguroi mbulim të veçantë mediatik në fushatë

OSBE: Veliaj siguroi mbulim të veçantë mediatik në fushatë

Raporti i OSBE/ODHIR ka nxjerrë në pah se, ndryshe nga të gjithë kandidatët e tjerë, në zgjedhjet e 30 qershorit Veliaj siguroi transmetim televiziv, pavarësisht se kriza politike i përqendroi mediat kryesisht te deklaratat e liderëve të partive kryesore duke vënë në hije fushatën:

Monitorimi i mediave tregoi se fushata pa kanditatë u vu në hije nga vazhdimi i krizës politike, me lajmet dhe emisionet që përqendroheshin në deklaratat e nxehta të shkëmbyera mes lidershipit demokrat dhe socialist. Kjo diktoi hapësirën e informacionit rreth kandidatëve, sidomos jashtë kryeqytetit, duke kufizuar votuesit me mundësinë për t’u informuar për zgjedhjen.

Përjashtim të dukshëm nga kjo ishte mbulimi mediatik i kryebashkiakut aktual të Tiranës, kandidatit socialist, Erion Veliaj, dhe prezantimet e kandidatëve të tjerë nga Kryeministri Rama.

Në raportin e saj OSBE i përshkruan mediat në Shqipëri të varura nga lidhjet politike dhe interesat e pronarëve për biznes. Në këto kushte ajo vë në dukje vështirësitë e gazetarëve për të ushtruar profesionin, ku shpesh ata detyrohen të vetë-censurohen:

Media është e diversifikuar, por mbetet e varur nga lidhjet politike dhe interesat e pronarëve për biznes. Në mungesë të vetërregullimit të efektshëm, gazetarët veprojnë në kushte pune të pasigurta dhe shpesh përballen me vetë-censurim.

Dy vite më parë, Rrjeti Ballkanik i Gazetarëve Investigativ (BIRN) zbuloi se prezenca e shtuar në televizione e kryebashkiakut Veliaj fshihte pas një administratë të fryrë në Bashki me të paktën 18 punonjës – përfshirë edhe këshilltarin për media – të cilët merren me menaxhimin e mediave, komunikimit dixhital dhe aktiviteteve të kryebashkiakut.

Përveç kësaj, Veliaj përflitet prej kohësh për ndikimin që ka në media. Shoqatat e gazetarëve e kanë lidhur atë me largimet nga puna të Alida Totës dhe Artan Ramës, gazetarë të cilët kishin hulumtuar rreth vdekjes së adoleshentit Ardit Gjoklajt më 7 gusht 2016 në një impiant të përpunimit të plehrave.

Vdekja e adoleshentit i faturohej keqmenaxhimit dhe aferave të dyshimta me mbetjet urbane nga Veliaj si kryetar i Bashkisë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme