PD: Kriza zgjidhet me zgjedhje të parakohshme që garantohen nga qeveri tranzitore

Nga Gerard Gega
PD: Kriza zgjidhet me zgjedhje të parakohshme që garantohen nga qeveri tranzitore Kryetari i PD, Lulzim Basha, gjatë një takimi.

Partia Demokratike mbetet me qëndrimin se kriza politike zgjidhet me zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale në një ditë, zgjedhje, të cilat mund t’i garantojë vetëm një qeveri tranzitore.

Ky qëndrim është ritheksuar pas takimeve që kryetari Lulzim Basha pati me kryetarët e partisë në rrethe, kryesinë dhe ish-grupin parlamentar, takime që janë zhvilluar këtë fundjavë.

Lajmi është bërë me dije nga zyra për shtyp e PD-ës, e cila tha se në takime Basha kishte theksuar se “tashmë PD duhet të fillojë menjëherë përgatitjet elektorale për aksion politik”:

Vendi është në një krizë të thellë shumëpalëshe dhe detyra e PD dhe opozitës është të angazhohet seriozisht për të qenë pranë njerëzve dhe për t’i hapur rrugë perspektives europine të Shqipërisë. Opozita ka dhënë propozimet e veta për zgjidhjen e krizës në vend, që kalon përmes zgjedhjeve të njëkohshme parlamentare dhe lokale të parakohshme, me qeveri tranzitore që garanton standardet për zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Mes të tjerash PD thuhet se do të përqendrohet “në ofrimin e zgjidhjes për qytetarët, denoncimin e aferave korruptive, bashkimin e faktorëve dhe aktorëve me potencial njerëzor dhe elektoral si dhe hapjen e partisë për njerëz me integritet profesional dhe moral”.

Në aksionin politik, bie në sy se për “format dhe afatet e protestave” do të vendoset në një moment të dytë “për të shmangur shfokusimin nga çështjet kryesore që janë aktualisht me vëmendje: faza finale e zgjidhjes së krizës dhe procesi i integrimit”.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme