Peticionet si propagandë: qeveria i ben peticione vetes, ua mohon qytetarëve

Nga Rezearta Çaushaj
Peticionet si propagandë: qeveria i ben peticione vetes, ua mohon qytetarëve Kryeministri Rama duke nënshkruar peticionin e 'shoqërisë civile' në vitin 2017, që kërkonte zbatimin e reformës në drejtësi.

Një peticion online i para një muaji për heqjen e memorialit të viktimave të grushtit të shtetit në Turqi, i cili mblodhi në pak ditë mbi 10 mijë mbështetës, u shpërfill nga Bashkia Tiranë.

Disa ditë më pas, individë të paidentifikuar iu përgjigjën shpërfilljes së Bashkisë duke e vandalizuar memorialin.

Kjo ndodhi ka risjellë në vëmendje mundësinë e ndikimit të vendimmarrjes publike drejtpërdrejt nga qytetarët.

Ndërsa pushteti qendror dhe vendor shpërfillin të drejtën e qytetarëve për t’u përfshirë në vendimmarrjen publike, nga ana e tyre qytetarët nuk kanë asnjë mundësi praktike të propozojnë apo ndryshojnë politika publike.

Kushtetuta (Nenin 81) garanton se “të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës”.

Ligji kërkon mbledhjen e 20 mijë firmave me shkrim të personave me të drejtë vote, me numrin e dokumentit të identifikimit, që një nismë ligjore qytetare të zyrtarizohet. Ndoshta është pikërisht vështirësia praktike e procesit, që e ka bërë ushtrimin e kësaj të drejte kushtetuese praktikisht të pamundur.

Nga ana tjetër, edhe e drejta për peticione është praktikisht e paushtrueshme nga qytetarët për të njëjtën arsye.

Vitet e fundit teknologjia dixhitale ka forcuar ndjeshëm demokracinë e drejtpërdrejtë në shumë vende të botës, veçanërisht duke mundësuar peticionet e drejtpërdrejta online ndaj autoriteteve qeverisëse, të cilat shumë vende i kanë ligjëruar me qëllim lehtësimin e qasjes së qytetarëve në ligjbërje dhe qeverisje.

Sistemi më i hershëm për peticionet online daton më 1999, i krijuar nga parlamenti skocez, pasuar nga ai i parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, i cili ngriti më 2006 Komitetin e Peticioneve, që shqyrton peticionet e krijuara në faqen online të parlamentit. Po më 2006 u ligjëruan peticionet online në Australi e Gjermani, pasuar nga të gjitha vendet e BE-së.

Parlamenti Europian ka prej vitesh Komitetin për Peticionet (PETI), një komitet i përhershëm që administron dhe shqyrton peticionet online. Nga viti 2011, në SHBA ekziston platforma We The People, në faqen online të Shtëpisë së Bardhë, ku krijohen peticione drejtuar presidentit të vendit.

Një sërë demokracish joperëndimore, të tilla si Ukraina, gjithashtu kanë ligjëruar peticionet online vitet e fundit.

Në Shqipëri peticionet online nuk njihen ligjërisht dhe nuk ka asnjë institucion publik për mundësimin e tyre. E vetmja mundësi që shqiptarët të hartojnë peticione online është ajo e përdorimit të platformave të pavarura si change.org apo avaz.org, por që nuk mbartin asnjë detyrim për pushtetin.

Thelbi i peticioneve është pjesemarrja direkte e qytetarëve në vendimmarrje, por ironikisht ato më të suksesshmet, që janë kthyer në nisma ligjore, janë ndërrmarrë nga vetë qeveria Rama. Më i famshmi është peticioni për hartimin e një ligji për mbrojtjen e kafshëve, që u nis nga Ministri i atëhershëm i Brendshëm Saimir Tahiri në 2016. Me daljen e përgjimeve kundër tij, peticioni u la në hije.

Më tetor 2017, peticioni u ringjall dhe filloi nënshkrimi në të gjithë Shqipërinë, motivuar nga publikimi i një videoje që tregonte një adoleshent duke masakruar një qen. Mediat trumbetuan se vetë Kryetari Erion Veliaj mbështeste peticionin, nismëtarët e së cilës ishin “qytetarë”, që mbetën anonimë për publikun.

Në lajmin, të trasmetuar thuajse identik në të gjitha mediat, i cili del në krye të çdo kërkimi në Google për peticionet në Shqipëri, ishte treguar kujdes të theksohej se Bashkia Tiranë kujdesej vazhdimisht për kafshët, përfshi sterilizmin dhe matrikulimin e tyre.

Përse zoti Veliaj, një nga udhëheqësit kryesorë të partisë në pushtet, duhet të harxhonte kohë e energji me peticione, kur ai, fare mirë, mund t’i kërkonte një deputeti të partisë së tij të propozonte direkt në Parlament nismën ligjore në mbrojtje të kafshëve?

Mund të hamendësohet se qëllimi ishte propagandistik, për të kuruar imazhin e tij. Kjo gjë u përforcua nga faktet e zbuluara më vonë se në praktikë Kryebashkiaku Veliaj i neglizhonte krejtësisht të drejtat e kafshëve.

Në prill 2018, emisioni STOP! publikoi pamje të qenve të vrarë në klinikën veterinare të Bashkisë dhe të hedhur në varrezat e Sharrës. I njëjti emision publikoi sërish në korrik të atij viti një sërë faktesh e pamjesh të ambienteve të klinikës bashkiake ku sterilizohen qentë, që dëshmonin mungesën e dizinfektimit dhe praninë e feçeve e njollave të gjakut në të.

Media të tjera dokumentuan me pamje se në mjediset e klinikës së Bashkisë vriteshin qentë.

Emisioni Stop, madje, kishte zbuluar se çmimi i kontraktuar nga Bashkia për sterilizimin e qenve nga ofruesit privatë u rrit menjëherë në vitin 2017, nga 3 mijë lekë për çdo qen në 5 mijë lekë, ndërkohë çmimi në treg për të njëjtin shërbim nuk i kalonte 700 lekë për qen.

Një tjetër rast i ngjashëm ishte mbledhja e firmave për zbatimin e reformës në drejtësi, në fund të shkurtit 2017.

Iniciativa u reklamua si e shoqërisë civile, e cila në një rast të pazakontë efiasiteti të saj mblodhi mbi 31 mijë firma në vetëm 5 ditë.

Ajo që mbahet mend nga ky peticion i ‘shoqërisë civile’ drejtuar pushtetit është se Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe Kryeministri Rama iu bashkuan peticionit me bujë të madhe mediatike, duke grumbulluar deputetë e mbështetës të Partisë Socialiste pranë stendave të vendosura përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Edhe në këtë rast, peticioni kishte qëllime propagandistike. Opozita kishte ngritur çadrën në bulevard kundër përfshirjes së qeverisë në trafikun e drogës dhe në lidhje kriminale, dhe pushteti kishte nevojë ta përshkruante përpjekjen e saj si përpjekje për minimin e reformës në drejtësi.

Peticioni kishte për qëllim pikërisht të përforconte propagandën qeveritare se opozita ishte kundër reformës, që e donte populli dhe shoqëria civile.

Ky peticion ishte edhe më qesharak, ngaqë nuk propozonte ndonjë vendim apo ligj apo politikë publike, por i kërkonte Parlamentit të zbatonte një ligj, i cili tashmë ishte votuar 6 muaj më parë, më 22 korrik 2016. Madje, mes atyre që i firmosën për t’i kërkuar parlamentit zbatimin e ligjit, krahas Kryeministrit Rama ishin edhe vetë deputetët e parlamentit, që e kishin votuar këtë ligj. Pra, deputetët i bënin peticion vetes së tyre.

Sot, ky peticion është diskredituar krejtësisht, pasi e njëjta ‘shoqëri civile’ e peticionit nuk u ndie më pse reforma u zvarrit dhe u shkatërrua pikërisht nga firmëtarët e peticionit, Edi Rama dhe deputetët socialistë.

Rastet e mësipërme tregojnë se qeveria përdor peticionet, e nisura nga surrogatë apo aleatë të saj, përfshi organizatat joqeveritare, si mjete propagandistike, duke abuzuar në emër të qytetarëve të thjeshtë, ndërkohë që u mohon atyre të drejtën për të kuptuar e për të vendosur për veten e tyre.

Është pikërisht kjo arsyeja se pse qeveria duket e vendosur për të mos lehtësuar procedurat për thirrjen e referendumeve nga qytetarët dhe të hartimin prej tyre të kërkesave dhe peticioneve ndaj pushtetit.

Ndërsa mburret se ka krijuar një platformë për bashkëqeverisjen me qytetarët, qeveria u mohon atyre një të drejtë që teknologjia dhe mentaliteti demokratik ka dekada që e ka mundësuar në perëndim: rregullimin me ligj të peticioneve online nga qytetarët.

Është koha që ne qytetarët të fillojmë përpjekjen për ta fituar këtë të drejtë, duke ngritur zërin që ligji të rregullojë peticionet online.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme