Rritja e afërsisë ndërmjet Serbisë dhe Rusisë rrezikon ambiciet e saj në BE

Nga Alice Elizabeth Taylor
Rritja e afërsisë ndërmjet Serbisë dhe Rusisë rrezikon ambiciet e saj në BE

Serbia po vazhdon të afrohet me Rusinë dhe aleatët e saj lindorë, duke u larguar nga BE dhe nga perëndimi.

Në janar 2014, Serbia nisi procesin e anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe hapi kapitujt e parë në fund të 2015-ës.

Pavarësisht kësaj, veprimet e Serbisë kanë qenë gjithçka, përveçse evropiane, veçanërisht për sa i përket marrëdhënieve gjithnjë e më miqësore dhe bashkëpunuese me Rusinë.

Në qershor, Ministri serb i Mbrojtjes Aleksander Vulin u mburr se Serbia nuk ishte “më vetëm” nëse do të niste ndonëj luftë në Ballkan. Këto deklarata ai i bëri pas pas stërvitjeve ushtarake mes trupave serbe, ruse dhe bjelloruse.

‘Ne kemi miq. Ai moment i tmerrshëm në historinë tonë kur ishim vetëm, nuk do të përsëritet më kurrë’, deklaroi Vulin, duke iu referuar Rusisë si vendi ‘mik’ dhe bombardimeve të NATO-s të udhëhequra nga SHBA në vitin 1999 si ‘momenti i tmerrshëm’.

Pastaj vetëm një muaj më vonë u bë publike se Serbia akuzoi Rumaninë për shkelje të Konventës në lidhje me Regjimin e Lundrimit në Danub duke mos lejuar transportimin e automjeteve ushtarake nëpër lumejtë e shtrirë në territorin e saj. Refuzimi i Rumanisë ishte për shkak të një embargoje të BE-së në blerjen e armëve ruse, e cila u vendos pas aneksimit të Krimesë.

Me sa duket Rusia i kishte “dhuruar” Serbisë 30 tanke T-72 dhe 30 mjete luftarake të blinduara BRDM-2.

Qeveria serbe, e pyetur nga BIRN për këtë dhuratë, nuk pranoi të fliste duke deklaruar se kushtet e marrëveshjes “janë të dhëna të huaja sekrete” dhe se ata kanë një detyrim ndaj Moskës që “t’i mbajë sekret”.

Në gusht të këtij viti, Serbia njoftoi se në tetor do të bëhet pjesë e Bashkimit Ekonomik Euro-Aziatik (EAEU) të udhëhequr nga Moska, së bashku me shtete si Armenia, Bjellorusia, Kazakistani dhe Kirgistani.

Pas këtij njoftimi, u raportua se Komisioni Evropian i bëri të qartë Serbisë se do të duhet të tërhiqej nga të gjitha marrëveshjet dypalëshe ekzistuese tregtare përpara se të hynte në BE, duke përfshirë dhe ato marrëveshje të bëra në kaudër të anëtarësimit në EAEU-në.

Marrëveshje e tregtisë së lirë me Rusinë dhe aleatët e saj do t’i jepte Serbisë mundësinë për të hyrë në një treg me gjithsej 180 milion njerëz dhe me vlerë 5 trilion dollarë. Ndërsa anëtarësimi i Serbisë në BE mund t’i sigurojë asaj akses në mbi 500 milion konsumatorë në një treg me vlerë prej rreth 17 trilionë €.

Por anëtarësimi në BE vjen me koston e përafrimit të politikave serbe me ato të BE-së, që do të thotë se mund t’i duhet të vendosë sanksione tregtare ndaj Rusisë për shkak të vendimeve të qeverisë ruse ndaj Ukrainës, duke dalë kundër kushteve të anëtarësimit në EAEU.

Në një vizitë shtetërore në Serbi në janar 2019, ku Putin u prit si hero, ai tha se BE po e detyronte Serbinë të bëjë një “zgjedhje artificiale” midis Moskës dhe Perëndimit.

Gjatë vizitës së tij, Aleksandar Vucic dhe Putin diskutuan për zgjidhje të mundshme ë ndërmjetësuar nga BE për konfliktin Serbi-Kosovë. Në përfundim, Vuçiç i dhuroi udhëheqësit rus një qenush.

Si Serbisë, ashtu edhe Kosovës u është thënë që të zgjidhin mosmarrëveshjet në mënyrë që të rifillojnë bisedimet për anëtarësimin në BE. Bisedimet midis dy vendeve u ndalën në nëntor 2018 pasi Kosova vendosi tarifën 100 për qind mbi produktet serbe që importoheshin në Serbi. Tarifa erdhi si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare si UNESCO, INTERPOL etj.

Më pas në prilll, Ministri i Jashtëm Serb Ivica Dacic deklaroi se “Serbia nuk mund të mbrojë interesat e saj pa ndihmën e Federatës Ruse.” Ai shtoi se Serbia “nuk do të bëjë asgjë pa u këshilluar më parë me Rusinë” dhe se “Rusia është miku ynë më i madh”.

Këto komente i referoheshin qartësisht çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe në fakt, Rusia ka bërë papushim fushatë për ta mbajtur Kosovën jashtë Kombeve të Bashkuara që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Veprimet pro-ruse të Serbisë nuk kanë kaluar pa u vënë re nga vendet e BE-së. Në fillim të këtij viti, politikanët francezë deklaruan qartë se nuk e shikojnë me simpani idenë e anëtarësimit të Serbisë në BE në vitin 2025. Gjatë një debate televiziv në emisonin “L’Emission Politique”, nëntë nga 12 kandidatët për eurodeputetë votuan kundër pranimit të Serbisë.

Përveç kësaj, rreth 52 përqind e të anketuarve francezë në një studim të fundit të YouGov thanë që ishin kundër anëtarësimit të Serbisë në BE. Demokracia e pazhvilluar dhe korrupsioni i përhapur janë vetëm dy nga arsyet e shumta të hezitimit të francezëve.

Duket se marrëdhëniet e Moskës dhe Beogradit po forcohen dhe thellohen muaj pas muaji, ndërsa marrëdhëniet e saj me BE-në kanë ngecur në vend numëro.

Me rritjen e tensionit në Ballkanin Perëndimor midis Serbisë dhe Kosovës, aleanca gjithnjë e më e fortë me Rusinë është një arsye për tu shqetësuar, veçanërisht për Kosovën, e cila mbështetet nga SHBA-të dhe shumica e shteteve të tjera perëndimore.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme