Rritja e çmimit dhe dhjetëra milionë euro kredi nuk zgjidhin problemin e ujit në Tiranë

Nga Gerard Gega
Rritja e çmimit dhe dhjetëra milionë euro kredi nuk zgjidhin problemin e ujit në Tiranë

Bashkia Tiranë propagandon furnizim me 14 orë ujë të kryeqytetit, por pas 40 milionë eurove kredi dhe pas rritjes 40 për qind të çmimit ky nivel furnizimi nuk është arritur, përkundrazi.

Edhe gjatë kësaj vere Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) dështoi të sigurojë furnizim të rregullt për shumicën e banorëve dhe situata nuk po gjen zgjidhje as në fund të shtatorit.

Bashkia dhe UKT është justifikuar me punimet që po kryen sipas një plani 5-vjeçar për të arritur 24 orë furnizim. Por Exit.al analizoi të dhënat e tenderave dhe vuri re se investimet qenë më pak nga sa u premtua dhe se pothuajse gjysma e fondeve kanë shkuar për roje private, makina, karburant dhe zyra.

Vetëm për roje private UKT dha në vitin 2018 €5 milionë.

Kur Bashkia rriti çmimin me 20 lekë, UKT kishte €28 milionë kredi të pashlyer, më shumë se 65 për qind të ujit që i shkonte pa faturuar dhe pothuajse çerekun e konsumatorëve që nuk paguanin.

Sot gjendja e performancës ekonomike është pothuajse njësoj, por UKT ka edhe €40 milionë të tjera kredi.

Bashkia po i përdor fondet kryesisht për zyra të reja të UKT dhe anën estetike të kësaj kompanie, ndërsa qytetarët mbeten pa u shërbyer me ujë rregullisht.

Plani 2017-2021 me ujë më të shtrenjtë për më shumë kredi

Në korrik të vitit 2017, Kryetari Bashkisë Veliaj u ankua se nuk mjaftonin fondet. Për këtë rriti çmimin e ujit me 40 për qind duke premtuar se, sipas një plani me kosto totale €173 milionë, deri në vitin 2021 do të arrihej 24 orë furnizim.

Por për atë vit UKT përdori vetëm 79,68 për qind të fondeve të investimeve, thënë ndryshe vetëm €10,5 milionë.

Plani 5-vjeçar parashikonte për vitin 2018 katërfishin e buxhetit: €40 milionë (5,4 miliardë lekë), €30 milionë  do të vinin prej kredisë së Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim dhe rritja e çmimit të ujit.

Exit.al shqyrtoi 127 tenderat që UKT hapi për vitin 2018. Në total u shpenzuan €28 milionë (3,3 miliardë lekë).

Pothuajse gjysma e tenderave, me vlerë €10 milionë (1,2 miliardë lekë), nuk shkuan për investime në sistemin e furnizimit me ujë, por kryesisht për roje private, makina, zyra dhe karburant.

Për roje private UKT i dha €5 milionë bashkimit të kompanive Global Security, Breçani, Eurogjici, Port-Construction, të cilat kishin ofruar sa 99.99 për qind të fondit limit.

Për vitin 2019 plani 5-vjeçar i Veliajt parashikonte buxhet €48 milionë (6,1 miliardë lekë). Në prill qeveria e mbështeti duke siguruar €10,5 milionë kredi.

Në mungesë të të dhënave nga UKT, tenderat japin idenë se sa mund të jenë fondet e këtij viti.

Deri në gusht UKT hapi rreth 50 tendera me vlerë totale €7,3 milionë (890 milionë lekë), por vetëm 18 prej tyre me vlerë €4,5 milionë (555 milionë lekë) ishin për ndërhyrje në rrjet apo përmirësimin e furnizimit me ujë.

Prej tenderave të dy viteve të fundit, rezulton se UKT ka patur të paktën 35 milionë euro fonde, por që rreth 13 milionë nuk i ka përdorur për ndërhyrje në rrjet.

Ndërkohë që sipas planit 5-vjeçar, për vitet 2018 dhe 2019 kostoja e ndërhyrjeve duhej të ishte rreth 90 milionë euro (11,5 miliardë lekë).

Plani 5-vjeçar 2017-2021 dhe gjendja me kreditë e UKT në 2016.

Premtimi për 24 orë ujë dhe gjendja e UKT

Në korrik 2017 Kryetari Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, premtoi furnizim me 24 orë ujë brenda vitit 2021:

Duam që brenda 5 viteve, me planin tonë të investimeve, Tirana të ketë ujë 24 orë.

Kjo ishte ripërsëritje e deklaratave të bëra edhe në një intervistë për gazetaren Ilva Tare.

Përballë pakënaqësive të qytetarëve, Veliaj e konsideroi të papërfillshme rritjen e çmimit të ujit:

Nëse ndokush është i shqetësuar për atë 20 lekëshin (rritja e çmimit) mjafton vetëm 10 sekonda të mbyllë çezmën. Sikur 10 sekonda ujë të kursejë në ditë, as nuk e ndjen fare në faturë difrencën e çmimit.

Rritja e çmimit u bë si rruga më e lehtë për të siguruar kredi. Në fund të vitit 2016, UKT kishte €28 milionë kredi për të shlyer prej 7 huave afatgjata të siguruara ndër vite.

Me planin e Veliajt UKT-ës iu shtuan dhe rreth €40 milionë kredi.

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) tregoi në vitin 2018 se më tepër se çereku i abonentëve të UKT – në shifra: nga 250 mijë, rreth 82 mijë, ose 33 për qind – nuk kishin paguar ujin. Totali i detyrimeve? Rreth €30 milionë (4,2 miliardë lekë).

Edhe faturimi ishte në nivele shqetësuese. Deri në gusht të vitit 2018, faturohej 37 për qind e ujit të prodhuar – në planin 5-vjeçar të Bashkisë parashikohej 40 – duke “cënuar performancën ekonomiko-financiare të shoqërisë”.

Për periudhën 2013-2017, UKT kishte €1,2 milionë (157 milionë lekë) detyrime dhe gjoba tatimore, por Ministria e Financave vendosi t’ia hiqte me 91%.

Të dhënat tregojnë se UKT nuk ka ndryshuar shumë treguesit e saj ekonomikë krahasuar me periudhën përpara se të rritej çmimi i ujit me 20 lekë.

UKT nuk ka vepruar qartë për vjeljen e detyrimeve nga abonentët debitorë. Shuma 30 milionë euro debi e abonentëve është si një kredi pa interes që UKT mund ta shqyrtonte shumë herë përpara se t’i drejtohej bankave.

Po kështu rritja e nivelit të faturimeve nuk ka qenë e lartë. Mosarritja e parashikimit prej 40 për qind faturim nga prodhimi total i ujit është tregues i keq, pasi kontribuuesit në arkat e UKT nuk po shtohen.

Kështu investimet me huamarrje të mëdha po bien në kurriz të qytetarëve të ndershëm të cilët megjithëse paguajnë rregullisht faturat vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit.

2 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme