Rumunia Laura Kovesi pritet të zgjidhet kryeprokurorja e BE-së

Rumunia Laura Kovesi pritet të zgjidhet kryeprokurorja e BE-së

Ish-drejtuesja e prokurorisë speciale kundër korrupsionit në Rumani, Laura Kodruta Kovesi duket se do të jetë kryeprokurorja e parë e Bashkimit Evropian, pavarësisht se qeveria e vendit të saj është kundër.

Ambasadorët e 17 nga 22 vendet anëtare në nismën për një kryeprokuror evropian votuan të enjten për kandidaturën e Kovesit, e cila konkurron kundër francezit Zhan-Fransua Bohner dhe gjermanit Andre Ritter. Kovesit i duhen votat e 12 qeverive evropiane, ndërkohë që qeveria e vendit të saj loboi fuqimisht kundër prokurores.

Kjo votë paralajmëron zhbllokimin përfundimtar të ngërçit që ka shoqëruar zgjedhjen e kryeprokurorit evropian për shkak të procedurës, që kërkon dakordësinë e Parlamentit Evropian dhe të Këshillit Evropian, të përbërë nga krerët e qeverive.

Shumica e qeverive evropiane votuan në muajin shkurt për kandidatin Zhan-Fransua Bohner, të mbështetur nga qeveria e Francës, pas një fushate të ashpër të Rumanisë kundër kandidaturës së Kovesit.

Ndërsa Parlamenti Evropian votoi për Kovesin. Përveç se në mëbshtejtje të profesionalizmit të Kovesit, vota erdhi edhe si kundër-reagim ndaj lobimit rumun dhe bjerrjes së shtetit të së drejtës nga qeveria e Rumanisë.

Votime e ndryshme në Këshill dhe në Parlament krijuan një ngërç në përzgjedhjen e kryeprokurorit evropian, pasi këto dy institutucione duhet të bien dakord për zgjedhjen.

Krijimi i Zyrës Evropiane të Prokurorit Publik (EPPO) u vendos në vitin 2017, nëpërmjet një bashkëpunimi mes 22 nga 28 vendet anëtare të BE-së. Ajo pritet të nisë punën në fund të vitit 2020 dhe selia e saj do të jetë në Luksemburg.

EPPO do të jetë zyra e parë e prokurorit në nivel evropian, që do të mbulojjë kryesisht çështje të keqpërdorimit të fondeve të BE-së, korrupsionit, pastrimit të parasë, mashtrimit dhe shmangies së taksave. Aktualisht këto krime hetohen vetëm në nivel kombëtar në secilin vend të BE-së.

Ngërçi i muajit shkurt bëri që Franca dhe disa vende të tjera të ndryshonin votën e tyre. Ndërsa qeveria e Rumanisë nuk e ndryshoi votën kundër Kovalesit.

Kovalesi drejtoi Drejtorinë Kombëtare Anti-Korrupsion në Rumani për pak më tepër se 5 vite (2012–2018). Në drejtimin e saj prokurorët hetuan dhe gjykuan dhjetëra kryetarë bashkish, dhjetëra deputetë e ish-ministra, një ish-kryeministër, si dhe qindra ish prokurorë dhe gjyqtarë.

Mes luftës të shtuar të prokurorëve ndaj krimit në Rumani, qeveria e Partisë Social-Demokrate vendosi ta shkarkonte Kovesin. Qeveria ngriti një institucion për të hetuar shkeljet në gjyqësor, veprim që u kritikua nga Komisioni i Venecias.

Megjithatë, qeveria ngriti akuza përmes këtij institucioni ndaj Kovesit për shpërdorim detyre, korrupsion dhe dëshmi të rreme, bazuar në dëshminë e një politikani-biznesmen të akuzuar për korrupsion.

Në shkurt 2018, Ministri i Drejtësisë Tudorel Toader e shkarkoi kryeprokuroren Kovesi, me argumentin se ajo kishte tejkaluar autoritetin e saj dhe kishte prishur imazhin e Rumanisë në botë. Protestuesit mbushën sheshet kundër këtij vendimi.

Presidenti nuk e miratoi shkarkimin si fillim, por u detyrua më vonë, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se ai nuk kishte të drejtë të mos e dekretonte shkarkimin e Kovesit nga qeveria.

Partia Social-Demokrate në pushtet në Rumani dhe qeveria e saj janë kritikuar vazhdimisht nga BE-ja për bjerrjen e shtetit të së drejtës, pasi ato kanë ndryshuar ligjet për organet e drejtësisë për t’i kontrolluar ato.

Liviu Dragnea, kryetari i partisë PSD gjatë kohës kur qeveria shkarkoi Kovesin, u dënua me 3.5 vite burg për korrupsion në maj 2019 dhe SHBA i ndaloi atij hyrjen në këtë vend. Dragnea konsiderohej politikani më i fuqishëm në Rumani.

Pas votimit të ambasadorëve të BE-së për të, Kovesi tha se kjo mbështetje do të inkurajonte të gjithë prokurorët që të vazhdojnë të luftojnë korrupsionin.

Prokurorja Kovesi pritet të konfirmohet në Parlamentin Evropian si drejtuesja e parë e Zyrës së rë Evropiane të Prokurorit Publik.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme