Si u bë përfaqësuesja e Kosovës skuadra me serinë e rezultateve më të mira në Evropë

Nga Erblin Vukaj
Si u bë përfaqësuesja e Kosovës skuadra me serinë e rezultateve më të mira në Evropë

Fitorja me përmbysje 2-1 ndaj Çekisë ishte ndeshja e 15 radhazi pa humbje për Kosovën. Ajo e ngjiti përkohësisht mbi Anglinë në krye të Grupit A kualifikues për Evropianin 2020.

Foto të renditjes dhe të ndryshimit rrënjësor prej viteve ’90 u shpërndanë gjerësisht në internet.

Tre vite pas pranimit në UEFA dhe FIFA Kosova është sot e pamposhtur prej 13 nëntorit 2017 dhe në lojë për t’u kualifikuar në Evropian.

Por si nisi rrugëtimi i saj?

Në fillim të viteve ’90 pas vendimit të klubeve për t’u tërhequr nga liga jugosllave futbolli kosovar u izolua dhe përndoq. Regjimi ndaloi përdorimin e stadiumeve.

Deri në atë kohë Kosova kishte treguar ngritje në cilësi duke nxjerrë futbollistë të kalibrit Fadil Vokrri, tejet i suksesshëm me Partizanin e Beogradit.

Megjithatë klubet kosovare formuan federatë dhe kampionat të ri dhe nisën të luanin në fusha të sajuara. Fotoja që ushpërnda më së shumti me futbollistë kosovarë që lajnë këpucët në një lum të rrethinave të Prishtinës është pikërisht e asaj periudhe.

Llukar, Prishtinë, 1997/Fotoja e qarkulluar në internet.

Mes atyre vështirësive, një brez si ai i Muharrem Sahitit e Ahmet Beselicës u përpoqën të krijonin identititetin post-jugosllav kosovar duke luajtur për një përfaqësuese që u ngrit asokohe.

Mirëpo lufta dhe çështjet politike e bllokuan njohjen e përfaqësueses kosovare deri në vitin 2016 kur federata e saj – e riorganizuar – u pranua në organizatat ndërkombëtare UEFA dhe FIFA.

Çfarë ndodhi pas njohjes?

Në kohën kur u njoh nga UEFA e FIFA, Federata e Kosovës (FFK) kishte 7 vite që përpiqej për të ngritur përfaqësuesen.

Projekti i kryetarit të FFK, Fadil Vokrri, i qe besuar Albert Bunjakit. Atij më shumë se sa rezultatet në fushë, i qenë kërkuar rezultate me diasporën.

Prej dhjetëvjeçarësh, familje të shumta qenë shpërngulur në Zvicër, Gjermani, Belgjikë, Angli apo vendet skandinave.

Brezi i Xhakës, Shaqirit apo Januzajt – të cilët tashmë luajnë për Arsenalin, Liverpoolin dhe Real Sociedadin – janë një nga brezat më të suksesshëm të kësaj diaspore, por ata përfaqësojnë Zvicrën dhe Belgjikën.

Përpjekja e Bunjakit për të bindur raste të ngjashme të përfaqësojnë Kosovën nisi të japë frute kur emra si Valon Berisha, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Bersant Celina, Mërgim Vojvoda e Amir Rrahmani vendosën të vishnin fanellën.

Bunjaki u dorëhoq në vitin 2017, pas një serie prej 9 humbjesh radhazi. Megjithatë ai la një projekt dhe skuadër të ngritur me disa lojtarë, të cilët ishin premtues.

Si u arrit niveli tanishëm?

Pasi u largua Bunjaki, skuadra u drejtua përkohësisht nga Muharrem Sahiti, brez i lojtarëve që veshën fanellën e Kosovës në viteve ’90 edhe pse vetëm për ndeshje miqësore.

Ai korri gëzimin e kthesës me fitoren 4-3 ndaj Letonisë në nëntor të 2017-ës. Sahiti dhe Ahmet Beselica, do të mbeteshin në stafin e Kosovës edhe kur më 2 mars 2018, presidenti i ndjer i FFK, Fadil Vokrri angazhoi zviceranin Bernard Challandes si trajner.

Challandes, 68-vjeç, me vetëm 1 vit përvojë me përfaqësueset (Armeninë), u pa me skepticizëm nga shtypi. Por Vokrri garantoi sukses duke i besuar idesë së tij se Kosova duhej orientuar nga futbolli zviceran.

Kështu trajneri i fundit që ka shpallur kampione Zurihun në Zvicër (2009), filloi punën. Rezultati qe me 3 fitore miqësore – mes të cilave një 3-0 Shqipërisë.

Më tej barazim me Azerbajxhanin, fitore me Ishujt Faroe, fitore me Maltën, barazim në vajtje me Ishujt Faroe, fitore 5-0 në vajtje me Maltën dhe një 4-0 tjetër në kthim me Azerbajxhanin. Kjo ishte fryma e parë në grupet e Ligës së Kombeve që e dalloi Kosovën menjëherë.

Ndërkohë fitore pati edhe jashtë fushe. Plot lojtarë nisën të pranonin ftesat. Talentet: Florent Hadergjonaj, Edon Zhegrova, Arbër Zeneli, Lirim Kastrati, Arton Zekaj, apo Ismet Sinani pranuan Kosovën duke lënë menjëanë edhe Shqipërinë.

Loja e Kosovës u përmirësua kryesisht në nivelin atletik. Zhdërvjelltësia e lojtarëve të krahut dhe kundërsulmet e shpejta janë lidhur më tepër me sulmin.

Pas barazimeve me Danimarkën, Bullgarinë dhe Malin e Zi, prej kësaj mënyre loje u arritën dy fitoret 3-2 dhe 2-1 ndaj Bullgarisë dhe Çekisë dhe si total, tashmë janë 15 ndeshje pa humbje.

Besimi te një projekt i nisur më parë, te – pothuajse – i njëjti grup dhe staf. Puna e vazhdueshme me afrimet e reja, përqendrimi vetëm te ndeshja e radhës dhe mbështetja e tifozerisë kanë bërë deri më tani që Kosova të spikasë si Zvicra e Ballkanit.

Ajo është skuadër me moshë mesatare 24 vjeç, por që sot ka formën më të mirë në Evropë, e pa mposhtur prej 13 nëntorit 2017.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme