PD: qeveria, tjetër ligj special për të tjetërsuar pronat e bashkive te privatët

PD: qeveria, tjetër ligj special për të tjetërsuar pronat e bashkive te privatët

Qeveria ka ndryshuar ligjin për vetëqeverisjen vendore dhe tashmë tjetërsimi i pronave publike te privatët do të bëhet me shumicë të thjeshtë në këshillet bashkiake, pa pasur nevojë për dakordësi me opozitën apo për ligje speciale nga parlamenti.

Këtë gjë e ka denoncuar sot në një dalje për mediat ish-deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi.

Çfarë parashikonte ligji pa u ndryshuar:

Neni 54 “Detyrat dhe kompetencat e këshillit bashkiak” thoshte se një nga detyrat ishte:

e) miratimi i tjetërsimit ose dhënia në përdorim e pronave të tretëve.

Neni 55 “Votimi” thoshte:

4. Vendimet merren me jo më pak se tre të pestat e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit për rastin e parashikuar në shkronën “e” të nenit 54.

Si u ndryshua:

Nenit 54 “Detyrat dhe kompetencat e këshillit bashkiak” u ndryshua:

e) miraton tjetërsimin e pronave të tretëve
U shtua shkronja “e/1” me përmbajtje: Miraton dhënien në përdorim të pronave të tretëve ose dhënien për zhvillim të pronës përmes bashkëpunimi me subjete private

Neni 55 “Votimi”  u ndryshua:

Në pikën 3 – që thoshte: Vendimet merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të këshillit për rastet e parashikuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “d”, “dh”, “f”, “g”, “gj”, “i” dhe “j”, të nenit 54, të ligjit – u shtua shkronja “e/1”.

Pra tanimë tjetërsimet e pronave të bashkive nuk kanë nevojë për t’u votuar nga një shumicë e cilësuar në këshillat bashkiake.

Në të kaluarën, për shkak të këtyre neneve dhe faktit se socialistët kishin vetëm shumicë të thjeshtë në Bashkinë Tiranë, tjetërsimi i pronës publike të Teatrit Kombëtar kërkoi ligj të posaçëm.

Për këtë në denoncimin e saj ish-deputetja e PD, Dhurata Çupi tha:

Asgjë nuk ndodh rastësisht. Shqiptarët janë dëshmitarë sesi Bashkia e Tiranës, për shkak të kundërshtimit të opozitës në Këshilin Bashkiak, dështoi që t’ia kalojë në pronësi kompanisë Fusha pronën e Bashkisë pas Teatrit. Por me shfuqizimin e ketij neni, asgjë nuk e ndalon më Edi Ramën dhe uzurpatoret e tij në bashki që të vjedhin pasurinë publike, duke ua dhënë atë klientëve, me të cilët ndajnë fitimet.

Ndryshimet e ligjit për vetëqeverisjen vendore u miratuan më 20 qershor në parlament, por Presidenti i ktheu për rishqyrtim.

Megjithatë më 6 shtator, socialistët e rrëzuan dekretin e Presidentit në komisionin e ligjeve dhe do t’i ri-miratojnë këto ndryshime në seancën e radhës të parlamentit.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme