Studimi: Subvencionet e industrisë së naftës prishin planet e BE për ndryshimin e klimës

Nga Erblin Vukaj
Studimi: Subvencionet e industrisë së naftës prishin planet e BE për ndryshimin e klimës

Bashkimi Evropian është zotuar prej kohësh se do t’i heqë subvencionet për hidrokarburet, por një studim i bërë së fundmi ka nxjerrë në pah se askush nuk i ka hequr, përkundrazi 5 vende anëtare po mendojnë që brenda vitit 2030 t’i shtojnë edhe më tepër.

Me hidrokarbure ose lëndë djegëse fosile përgjithësisht nënkuptohet nafta dhe nënproduktet e saj. Ndërsa subvencionet janë para që qeveritë u japin kompanive për t’u lehtësuar kostot. Përgjithësisht subvencionohet industria e nxjerrjes së naftës, kjo si mënyrë për të mbajtur çmim të ulët kur nafta, benzina, gazi të hidhen në treg.

Prej vitit 2008 BE qe zotuar t’i hiqte subvencionet për hidrokarburet si pjesë e planit të energjisë dhe ndryshimeve klimaterike (National Energy and Climate Plans – NECPs). Një nga objektivat e këtij plani qe ulja e përdorimit të lëndëve djegëse fosile dhe mbështetja e përdorimit të energjisë së pastër, kjo si masë për të reduktuar ndotjen.

Për këtë qe kërkuar që të gjitha vendet anëtare të raportonin subvencionet që bënin dhe gradualisht t’i hiqnin ato. Kjo konsiderohej si politika që do t’i shtynte më tepër kompanitë të merrnin në shqyrtim zhvillimin dhe përdorimin e alternativave të tjera të energjisë. Mirëpo kjo politikë nuk është zbatuar.

Një studim i kryer së fundmi ka nxjerrë në pah se shumë shtete në BE nuk raportojnë peridokisht subvencionet, planet e reduktimit të tyre dhe politikat që aplikojnë për të ulur përdorimin e hidrokarbureve.

Nga 28 vende anëtare, gjashtë – Britania e Madhe, Bullgaria, Danimarka, Franca, Hungaria dhe Holanda – kanë raportuar se nuk aplikojnë subvencione, por megjithatë studimi ka zbuluar se këto shtete vazhdojnë ta promovojnë përdorimin e hidrokarbureve me një politikë tjetër: shkurtimin e taksave. Nga vendet e BE, vetëm Britania e Madhe lehtëson me rreth 12 miliardë euro në vit kompanitë e hidrokarbureve.

NECPs ka treguar se nuk ka ende plan konkret për heqjen e plotë të subvencioneve ndaj prodhimit dhe përdorimit të naftës dhe nënprodukteve të saj. Ndërkohë 5 vende anëtare – Britania e Madhe, Gjermania, Polonia, Greqia dhe Sllovenia – kanë planifikuar subvencione të reja për periudhën 2021-2030.

“Nëse shtetet e BE e kanë seriozisht aksionin për klimën, duhet t’i rikthehen angazhimit afatgjatë për ta shkëputur mbështetjen me subvencione të përdorimit të hidrokarbureve me plane konkrete. Kjo do t’i hapte rrugë përdorimit të burimeve më të mira dhe më të qëndrueshme energjitike për të ardhmen.” – Laurie van der Burg, drejtuesja e grupit që ka kryer studimin.

Shtetet e BE-së kanë deklaruar dëshirën për të vepruar, por duke mbështetur me miliarda euro përdorimin e naftës dhe nënprodukteve të saj po bëjnë të kundërtën, po i zhysin vendet në ndotje përmes sistemeve të vjetëruara të cilat shtojnë rrëziqet e ndryshimit të klimës” – Ipek Ganscu, bashkëautor i studimit.

“Qeveritë duhet t’i përqendrojnë investimet e dhjetëvjeçarit të ardhshëm në tranzicionin drejt energjisë së pastër. Dhënia fund subvencioneve për lëndët djegëse fosile do të çlironte burime financiare që do t’i lejonin Evropës arritjen sa më parë të objektivit zero emetime neto.” – Markus Trilling, koordinator i politikave të Rrjetit holandez për Veprimtari ndaj Ndryshimeve Klimaterike.

Për sa i përket Shqipërisë, industria e naftës nuk përfiton subvencione direkte, por përjashtim prej taksave.

Kompanitë e nxjerrjes së naftës nuk paguajnë tatim mbi fitimin pasi deklarohen se janë me humbje për shkak të investimeve që kanë kryer. Po kështu ata përjashtohen nga tatami mbi vlerën e shtuar për pajisjet që importojnë.

Në vitin 2017 Kontrolli i Lartë i Shtetit vuri në dukje se ndikimi në ekonomi prej këtyre kompanive ka qenë minimal.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme