Fshehu Qemal Stafën nga fashistët, komunistët e pushkatuan si tradhtar

Fshehu Qemal Stafën nga fashistët, komunistët e pushkatuan si tradhtar

Zija Luniku ishte personi që strehoi dhe fshehu në Shkodër Qemal Stafën – një prej themeluesit dhe drejtuesit e Partisë Komuniste – por kjo nuk ia shmangu dot pushkatimin sapo komunistët morën pushtetin.

Historia e Lunikut është ajo e intelektualit idealist e të shkolluar jashtë, por i cili u nëpërkëmb dhe u dënua rëndë nga regjimi, ndërsa familja iu persekutua.

Luniku u lind në Elbasan në vitin 1907. U shkollua në Itali për drejtësi dhe ushtroi profesionin e avokatit.

U kthye në Shqipëri me ëndrrat për të ndihmuar në zhvillimin e vendit. U martua me Nashifer Kamber Sejdinin, kushërirë e Qemal Stafës. Ajo e bëri baba të tre vajzave.

Ervin Lamçja, djali i Fatmirës, një prej vajzave të Zijasë, ka treguar për Kujto.al detaje nga jeta e gjyshit të tij.

Gjatë pushtimit italian, Luniku qe inspektor në qytetin e Shkodrës, por pavarësisht postit që mbante, nuk e tradhtoi lidhjen familjare që kishte dhe nuk ua dorëzoi fashistëve Qemal Stafën.

Stafa kërkohej nga fashistët pasi qe dënuar si aktivist komunist. Megjithatë sipas Lamçes, Luniku iu përgjigj kërkesave për informacion të autoriteteve duke i gënjyer se kinse “Qemal Stafa nuk ishte në Shkodër” edhe pse realisht ai ndodhej në shtëpinë e tij.

Sidoqoftë përpjekja e Lunikut për ta mbrojtur nuk do t’ia shmangte dot fatin Qemal Stafës, i cili u vra në moshën 22-vjeçare, më 5 maj 1942, por jo në Shkodër, në Tiranë, një ditë pasi Enver Hoxha i pati thënë që të lëvizte nga një shtëpi për në një tjetër kinse më të sigurt.

Më vonë, Luniku la detyrën si inspektor në Shkodër dhe u kthye në qytetin e vendlindjes, në Elbasan, ku punon si avokat.

Pas Çlirimit, Zija Luniku spikati si avokat në disa nga gjyqet që u bënë kundër personaliteteve të qytetit të Elbasanit.

Kjo gjë dhe influencat që kishte familja Luniku, i ranë në sy për keq regjimit që po ngrihej.

Në mendjen diabolike dhe paranojake të atyre qe kishin pushtetin u krijuan insinuata të tmerrshme që çuan në arrestimin e tij (Zija Lunikut) në dhjetor 1946. Mbas dy ditësh, çakejt e Sigurimit bastisën shtëpinë dhe morën të gjitha çfarë gjetën duke lënë në mes të dimrit pa ushqim, pa rroba dhe pa mbulesa, gruan dhe tri vajzat.

Qe një hetuesi e tmerrshme, siç dinin vetëm komunistët ta bënin. Një burrë në lulën e moshës u arrestua dhe mbas 11 muaj hetuesi, doli në gjyq pa dhëmbë, pa thonj dhe pa flokë. Dhe absurditeti ishte se u dënua nga gjyqtarë injorantë, ai që kishte shkëlqyer në shkollën e tij dhe me krenarinë e shqiptarit kishte mbrojtur temë diplome me ligjin bazë të shqiptarëve në shekuj, Kanunin e Lekë Dukagjinit”, tregon për Kujto.al, Ervin Lamçja, nipi i Zija Lunikut.

Fatos Salliu//Fjala e fundit e thënë nga Xhaferr Miraku, Mahmut Maçi dhe Zija Luniku.

Zija Luniku u akuza për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, pjesëmarrje në organizatën e Ballit Kombëtar, sabotator i zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945”. Pas më shumë se një viti burg, më 15 dhjetor 1947, dënua me vdekje nga Gjykata Ushtarake e Elbasanit .

Dëshmitë dokumentare kanë treguar për një qëndrim të jashtëzakonshëm të avokatit edhe në çastet kur u nxorr përpara togës më 9 mars 1948, bashkë me tre intelektualë të tjerë elbasanas, Fadil Gurmanin, Xhaferr Mirakun dhe Mahmut Maçin.

Aty ai tregoi sërish karakterin e tij idealist dhe atdhedashurinë, që e kishin kthyer në këtë vend, me shumë ëndrra. Para pushkatimit ai tha: “Të rrojë Shqipëria!”

Pasi pushkatuan Zijanë, komunistët persekutuan familjen e tij. I vëllai, Abdurrahimi, edhe ai jurist, u dënua me burg të gjatë, ndërsa të gjitha pasuritë iu sekuestruan.

2 komente

  1. morri 6 Shtator, 2019 në 10:21 am

    i bie qe dhe qemali si komunist qe ishte po kete persekutim do ti bente lunikut

  2. Alfred 6 Shtator, 2019 në 3:32 pm

    Jo o Morr se Qemali kishte ideale dhe ligavecet qe shkelen idealet ben masakrat. Qemali ishte vetem 22 vjec dhe nuk kishte faj qe idelet e tij ishin te parealizueshme…ai u vra pikerisht se nuk ishte i pershtatshme per sojin e komunistave qe na sundojne dhe sot…

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme