2 mijë kërkesa çdo muaj, Shqipëria vendi me më shumë azilkërkues drejt BE-së

Nga Gerard Gega
2 mijë kërkesa çdo muaj, Shqipëria vendi me më shumë azilkërkues drejt BE-së

Të dhëna të përpunuara nga Monitor, të cilat i referohen Eurostat dhe Zyrës Evropiane të Mbështetjes së Azilantëve (EASO) tregojnë se, në raport me popullsinë, shqiptarët janë të parët në botë për kërkesat për azil në BE.

Për periudhën janar-korrik ndër 100 mijë shqiptarë, 55 aplikuan për azil. Siria, vend në luftë, këtë raport e ka 29 aplikime për 100 mijë banorë.

Në 7 muajt e fundit aplikimet e shqiptarëve për azil në vendet e Bashkimit Evropian ishin rreth 14,000. Kjo shifër sipas Monitor ishte 24 për qind më e lartë krahasuar me vitin e shkuar, ndërsa rreth 90 për qind kanë qenë aplikime të para.

Mesatarisht, rreth 2,000 persona në muaj kërkuan këtë vit të largohen nga Shqipëria duke aplikuar për azil, situatë kjo e cila tregon se shumë pak ka ndryshuar që prej vitit 2015 kur kërkesat për azil u kthyen në problem për vendet e BE-së.

Situata u përmend sot edhe nga Ministri i Jashtëm i Austrisë Alexander Schallenberg, i cili vizitoi Tiranën. Schallenberg tha se kjo çështje e prekte më pak Austrinë, por që për të ka patur “diskutime të përsëritura me kolegët francezë”.

Prej vitit 2013 numri i azilkërkuesve nga Shqipëria ka qenë mbi 11,000 në vit.

Viti 2015 kishte dhe numrin më të lartë 68,945 aplikime, pjesa më e madhe e të cilëve pati përgjigjie negative.

Gjatë kësaj periudhe, shqiptarët janë renditur pas sirianëve dhe irakenëve për numrin e kërkesave për azil. Në Siri dhe Irak arsyet e largimit nga vendi kanë qenë konfiltet, ndërsa për Shqipërinë nuk ndodh kështu.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme