A mundet BE të ndihmojë Ballkanin për të ndalur ikjen e të rinjve

Nga Alida Vračić
A mundet BE të ndihmojë Ballkanin për të ndalur ikjen e të rinjve

Migrimi masiv i të rinjve nga Ballkani vazhdon të mbetet problem kryesor në rajon. Në një takim të nivelit të lartë në Slloveni, Ministri i Jashtëm Nikola Dimitrov u shpreh se hapja e negociatave më Maqedoninë e Veriut në tetor, do të ndihmonte në uljen e numrit të të rinjve që largohen për një jetë më të mirë.

Por sipas Balkan Insight, anëtarësimi në Bashkimin Europian jo gjithmonë ka rezultuar të ketë ndikim pozitiv përsa i përket migrimit të të rinjve. Shembulli më i mirë është ai i Kroacisë, ku numri i emigrantëve vazhdon të jetë i lartë pavarësisht se ajo është anëtare e BE-së që në vitin 2013.

Studimet e fundit në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor tregojnë se numri i të rinjve që kanë ikur është 230 mijë. Shqipëria renditet e para me 62 mijë të rinj të larguar, ndjekur nga Bosnje Hercegoniva (53,500), Serbia (51,000), Kosova (34,500), Maqedonia e Veriut (24,300) dhe Mali i Zi (3000).

Studimet tregojnë se faktor për emigrimin e të rinjve nuk janë vetëm çështjet ekonomike, por dhe mungesa e shpresës së ndërtimit të një jete të mirë në vendet e tyre.

Krahasuar me zhvillimin ekonomik në vendet e BE-së, vendet e rajonit kanë pak për të ofruar. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende ndër më të varfërit në Evropë dhe ritmi i tyre i afrimit me standardet evropiane është i ngadaltë.

Shumica e elitave politike e ekonimike në këto vende janë më shumë të përqendruar në rritjen e përfitimeve personale sesa në të mirën publike. Punët e mirëpaguara dhe të vlerësuara janë të pakta.

Në vitin 2018, 1.15 milion njerëz në vendet e BP-së ishin të papunë.

Për shumë qytetarë të vendeve ballkanike anëtarësimi në BE do të ishte “shpëtim” që do të sillte standard më të mirë jetese, ekonomi më të mirë, më shumë punë për të rinjtë, etj.

Por hapja e negociatave për shtetet e Ballkanit Perëndimor ende duket e largët ndaj qytetarët e tyre vendosin të emigrojnë.

Presidentja e sapo zgjedhur në krye të Komisionit Europian Ursula von den Leyen ka deklaruar se “Ballkani Perëndimor  është i rëndësishëm për BE, dhe do të mbështes atë”, por mbetet për tu parë se sa frymë ‘europiane’ dhe shpresë do të mund të sjellë realisht presidenca e re në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nëse nuk do të ketë përmirësime të rëndësishme së shpejti, rajoni i Ballkanit Perëndimor do të pësojë me siguri humbje të mëdha të popullisë. Emigracioni masiv do të shkaktojë mungesë të madhe në tregun e punës, veçanërisht të ekspertëve. Kjo do të ketë pasoja negative të menjëhershme dhe afatgjata, si në ekonomi ashtu dhe në jetën sociale të vendeve.

Por kostoja më e madhe për të gjithë, e sidomos BE-në, do të jetë të ndihmojë vendet e shkretuara – nga ku njerëzit më të ndritur e më të aftë do të jenë larguar.


Përshtatur nga Exit.al nga shkrimi i Alida Vračić për Balkan Insight.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme