Aktori Neritan Liçaj rrezikon të shkarkohet nga puna në Teatrin Kombëtar

Aktori Neritan Liçaj rrezikon të shkarkohet nga puna në Teatrin Kombëtar

Aktori i njohur dhe një ndër figurat kryesore të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Neritan Liçaj ka deklaruar se ka informacion se mund të shkarkohet nga puna në Teatrin Kombëtar.

Në një intervistë për emisionin “Dita jonë” në A2, Zoti Liçaj u shpreh:

“Jam lajmëruar që po më bëhen letrat për të më pushuar nga puna. Është një lloj raprezalje, një lloj hakmarrjeje.

Nuk më tremb ky fakt, pasi shikoj se si po degradon kjo qeverisje e çartur, e cila na sulmoi politikisht në radhë të parë, na sulmoi me polici, tani po na sulmon dhe personalisht.”

Neritan Liçaj tha se ende nuk është njoftuar zyrtarisht për këtë çështje dhe u shpreh i sigurtë në prefesionalizmin dhe korrektësinë e tij gjatë punës:

“E vetmja gjë që mund të them me siguri, është se në punën time si aktor, unë nuk kam asnjë neglizhencë, apo shkelje e cila mund të sjell shkarkimin tim. Jam korrekt me punën dhe çdo gjë tjetër.”

Pyetur për informacionet nëpër media se nismëtari për shkarkimin e Liçajt nga puna është kryeministri Rama, aktori deklaroi:

“Unë e besoj këtë sepse drejtori i institucionit [i Teatrit Kombëtar] nuk do ta bënte kurrë për mendimin tim. Unë kam pasur fërkime me Hervinin [Çulin] për këtë gjë [prishjen apo jo të Teatrit Kombëtar] por nuk do arrinte kur Hervini deri këtu, kurrë nuk do më pushonte sepse ai më vlerëson si aktor.

Kam përshtypjen se është një sinjal direkt i kryeministrit për të goditur individë.

Kryeministri me gjithë enturazhin e tij sulmuan për të na asgjësuar, për të asgjësuar artin nga Tirana.

Kjo është një çartje në radhë të parë njerëzore, është një gomarllëk politik, pastaj dërgoi dhe policinë kundra nesh, tani po godet dhe personalisht.”

Aktori Neritan Liçaj punon prej vitesh në Teatrin Kombëtar dhe është ndër më të njohurit në Shqipëri.

Ai është ndër artistët, të cilët që prej shkurtit 2018 kundërshton dhe proteston kundër planit të Ramës dhe Veliaj për të shembur Teatrin Kombëtar dhe për t’ia dhënë tokën publike privatit për të ndërtuar një teatër të ri dhe gjashtë kulla të larta në krah.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme