Emërimi nga Meta i gjyqtarit kushtetues Muçi, sprovë për reformën e çalë në drejtësi

Emërimi nga Meta i gjyqtarit kushtetues Muçi, sprovë për reformën e çalë në drejtësi Besnik Muçi

Me nxjerrjen e dekretit për emërimin e Besnik Muçit si anëtar në Gjykatën Kushtetuese, Presidenti Meta dje ka ekspozuar një nga të metat themelore në hartimin e reformës në drejtësi.

Reforma në drejtësi u konceptua për t’u zbatuar nga sipër poshtë. Institucionet e vetingut do të formoheshin përmes një procedure mjaft të ndërlikuar, që synonte të minimizonte përdorimin nga politika. Këto institucione të vetingut më pas do të bënin verifikimin e kandidatëve për në institucionet e sistemit të ri të drejtësisë, si psh Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), i cili më pas do të emëronte gjyqtarët e rinj në Gjykatën Kushtetuese, për të zëvendësuar ata që u pushuan nga vetingu. Kjo ishte ideja.

Në asnjë moment nuk u parashikua nga hartuesit e reformës, – burokratë anonimë dhe ekspertë pa ndonjë përgjegjësi publike, – se Gjykata Kushtetuese do të bëhej jofunksionale. Dhe në asnjë moment nuk ia mori kujt mendja se Gjykata Kushtetuese do të mbushej me gjyqtarë të rinj, që nuk e kishin kaluar vetingun. E megjithatë, sot jemi pikërisht në një situatë të tillë.

Në përpjekje për të zgjidhur krizën kushtetuese të shkaktuar nga mungesa de facto e Gjykatës Kushtetuese, dhe nën presionin e Partisë Socialiste, e cila premtoi se gjykata do të ishte funksionale deri në fund të verës, në mars KED vendosi të hiqte dorë nga procesi i plotë i vetingut për kandidatët.

Në vend që të priste për vendimin e formës së prerë, KED vendosi që konfirmimi paraprak nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ishte i mjaftueshëm për t’u zgjedhur në gjykatën më të lartë të vendit. Në vendimin nr. 4 të 11 marsit shkruhet:

Procedurat e verifikimit të kandidaturave për pozicionet vakante nuk mund të përfundojnë përpara se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të ketë dhënë vendim lidhur me kandidatët magjistratë dhe subjekte të tjerë sipas procedurës së rivlerësimit kalimtar në zbatim të ligjit nr. 84/2016.”

Pavarësisht thirrjeve boshe të Ambasadës amerikane për “veting rigoroz”, ky vendim nënkupton se KED i fillon procedurat e verifikimit kur kandidati është konfirmuar vetëm nga KPK-ja, pa pritur vendimin e formës së prerë të KPA-së.

Ky ishte pikërisht rasti për Besnik Muçin, një ish-kandidat për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ish-kandidat për Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm dhe kandidat aktual për në SPAK. Muçi u konfirmua nga KPK më 30 korrik 2018, vendimi u publikua në 1 gusht dhe Komisioneri Publik e ankimoi atë në 12 nëntor.

Ankimimi aktualisht po merret në shqyrtim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Komisioneri Publik pretendon se Muçi nuk mund ta justifikojë pasurinë e tij, ndërsa KPA po pret që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) të deklasifikojë dokumentet e çështjes së Muçit. Asnjë nga këta tregues nuk është në anën e Muçit, veçanërisht po të kemi parasysh sesa shpesh i ka hedhur poshtë KPA-ja vendimet e KPK-së, sidomos në rastet e magjistratëve me profil të lartë.

Nuk ka dyshim se Presidenti Meta ishte në dijeni të të gjitha këtyre çështjeve, veçanërisht pasi të tre kandidatët e tjerë për vendin në Gjykatën Kushtetuese e kanë kaluar vetingun me vendime të formës së prerë dhe, për rrjedhojë, ata do të ishin një zgjedhje “e sigurtë”. Presidenti zgjodhi kandidatin “me rrezik”.

Tani ekzistojnë dy skenarë të mundshëm. Së pari, nëse KPA e konfirmon Muçin në detyrë, konfirmimi do të mbajë gjithnjë njollën e presionit të fortë kombëtar dhe ndërkombëtar për të krijuar një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Sidomos nëse vendimi argumentohet dobët, ai do të merret si shenjë e politizimit të institucioneve të vetingut.

Së dyti, nëse KPA e shkarkon Muçin, krijimi i një Gjykate Kushtetuese funksionale do të jetë edhe më larg se më parë. Vendi për një anëtar duhet të shpallet bosh, dhe KED do të duhet të fillojë të gjithë procedurën e përzgjedhjes nga e para, përfshirë edhe vetingun e nivelit të parë të kandidatëve të rinj.

Këto procedura mund të kërkojnë lehtësisht disa muaj të tjerë. Sidomos nëse realizohet skenari i dytë, besueshmëria e reformës në drejtësi do të dëmtohej seriozisht.

Që këta skenarë mund të mos jenë fort të pamundur, kjo vërtetohet nga heshtja e plotë pas emërimit të Muçit në profilet e mediave sociale të Delegacionit të BE-së, Ambasadës Amerikane dhe qeverisë shqiptare.

Jam i bindur që përzgjedhja e ndonjë kandidati tjetër në Gjykatën Kushtetuese do të ishte përshëndetur me mesazhe urimi dhe duartrokitje nga të gjitha drejtimet, si një “hap në drejtimin e duhur”, si një “zhvillim pozitiv” dhe “dëshmi konkrete e përparimit të qëndrueshëm.”

Emërimi i Muçit do të ishte përdorur menjëherë nga Kryeministri Edi Rama dhe zëvendësministri i Jashtëm Gent Cakaj për të shpallur suksesin e reformës në drejtësi, në një përpjekje të fundit për të bindur BE-në për hapjen e negociatave. Në vend të këtyre, heshtje e plotë.

Dihet tashmë që Presidenti Meta ka qenë kritik në të kaluarën për mënyrën se si po zbatohet reforma në drejtësi. Në muajin maj, kjo gjë u kritikua nga Delegacioni i BE-së, që tha se “reforma në drejtësi po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin përkatës kombëtar.”

Me emërimin e Muçit, Presidenti ka zbatuar fije për pe Kushtetutën dhe ligjet. Le të presim rezultatin përfundimtar tani.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme