Franca shtyn për vitin tjetër hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Nga Erblin Vukaj
Franca shtyn për vitin tjetër hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut Presidenti Francez, Manuel Macron.

Franca u ka bërë me dije vendeve të tjera të BE-së se “tani për tani është kundër nisjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

Lajmi u raportua nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, e cila iu referua disa burimeve të sajat diplomatike.

Sipas Reuters Parisi thotë se “momentalisht BE ka shumë sfida përpara për të lejuar që të bëhen pjesë e saj edhe dy vende të tjera të Ballkanit, rajon ende i trazuar nga luftërat e viteve ’90 dhe krimi dhe korrupsioni”.

Franca thotë se së pari BE “duhet reformuar nga brenda për t’u përballur me më shumë energji dhe unitet ndaj sfidave të tilla si ndryshimi i klimës dhe migracioni” dhe se “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të kryejnë reforma të mëtejshme”.

Reuters citon një zyrtar francez:

“Ata (Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut) nuk janë ende gati. Ne po u kërkojmë të bëjnë përpjekje shtesë. Negociatat nuk mund të hapen në tetor 2019, kemi nevojë për siguri të tjera diku nga viti 2020”.

Bashkimi Evropian do ta diskutojë çështjen e hapjes ose jo të negociatave të martën më 15 tetor në Luksemburg. Më tej liderët e vendeve të BE-së do të mblidhen në Bruksel për të votuar. Votimi duhet të jetë unanim, që do të thotë se qëndrimi i Francës për të shtyrë negociatat vitin tjetër mund ta mbyllë përfundimisht çështjen për këtë vit.

Holanda dhe Danimarka kanë qenë gjithashtu kundër Shqipërisë në momentin kur përfaqësuesit e BE-së kanë diskutuar temën e hapjes së negociatave.

Burime pranë qeverisë së Holandës, thanë për Exit se “Holanda do ta konsideronte ndryshimin e votës në pro, nëse do të ishte vendi i vetëm kundër negociatave”. Por tashmë që Franca e ka deklaruar qëndrimin për t’i shtyrë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kjo ka pak gjasa të ndodhë.

Lajmi për vendimin e Francës për të shtyrë negociatat u raportua edhe nga gazetarja Erisa Zykaj. Duke folur për ABC News, ajo tha:

Burime në France më kanë vënë në dijeni me planin konkret për të mos hapur negociatat këtë vit. Propozimi i Francës mbështetet në dy boshte siç janë respektimi i shtetit të së drejtës dhe lufta ndaj korrupsionit.

Franca pozicionohet kështu në një qëndrim edhe më kritik në raport me Shqipërinë krahasuar me pozicionin që vendosi Gjermania. Kjo e fundit u deklarua pro, por vota e saj ishte e kushtëzuar për vendin tonë me krijimin e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe miratimi i reformës zgjedhore.

 

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme