Gjykata pranon padinë e UT-së për Kopshtin Botanik, nuk ka datë për seancën tjetër

Gjykata pranon padinë e UT-së për Kopshtin Botanik, nuk ka datë për seancën tjetër Kopshti Botanik

Gjykata Administrative e Apelit vendosi sot sot pranimin e padisë së Universitetit të Tiranës për të mbajtur në pronësi Kopshtin Botanik dhe për të rrëzuar vendimin e qeverisë për t’ia kaluar kopshtin Bashkisë Tiranë.

Bashkia Tiranë kishte kërkuar që padia e UT-së të mos pranohej, por gjykata e hodhi poshtë këtë kërkesë.

Në seancat e radhës, gjykata do të marrë në shqyrtim padinë e UT-së dhe do të vendosë për pronësinë e Kopshtit Botanik. Data e seancës së radhës nuk është njoftuar ende nga gjykata.

Në korrik 2019, qeveria vendosi të transferojë pronësinë dhe administrimin e Kopshtit Botanik të Tiranës nga qeveria dhe Universiteti i Tiranës tek Bashkia Tiranë.

Vendimi i jep të drejtën bashkisë ta përdorë kopshtin “për ushtrimin e funksioneve të veta”, pa qartësuar këto “qëllime”, duke i lënë hapësirë bashkisë për çdo gjë.

Deri tani, Kopshti ka qenë pronë shtetërore nën administrimin e Universitetit të Tiranës. Si pronë shtetërore, kopshti nuk mund të tjetërsohej veçse me procedurë të hapur konkurimi dhe me vendime qeverie e ligje Kuvendi.

Por nëse ai kalon si pronë e Bashkisë Tiranë, ai mund të tjetërsohet me një vendim të thjeshtë të Këshillit Bashkiak Tiranë.

Këtë vendim të qeverisë e kundërshtuan studentë, pedagogë dhe administrata e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të cilët edhe sot bojkotuan mësimin dhe pritën para Gjykatës Administrative dhënien e vendimit.

Kopshti Botanik është ndërtuar si laborator kërkimor shkencor pranë Fakultetit të Shkencave që në 1965-ën . Ai shërben si laborator dhe  bazë ruajtjeje për bimët endemike që po shkojnë drejt zhdukjes.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme