Kastrati dhe Edil-al fitojnë koncesionin për portin e jahteve në Sarandë

Nga Gerard Gega
Kastrati dhe Edil-al fitojnë koncesionin për portin e jahteve në Sarandë Pamje ilustruese nga porti i Sarandes.

Koncesioni i portit të jahteve “Marina Limion” në Sarandë duket se është fituar nga Kastrati dhe Edil-Al. Sipas Open Data Albania në fillim të muajit tetor, dy kompanitë kanë themeluar një shoqëri të përbashkët me emrin Marina Limion shpk.

Ndërkohë qeveria nuk ka lëshuar asnjë njoftim zyrtar se kush ishin ofertat për këtë koncesion dhe si u vlerësuan ato.

Koncesioni 35-vjeçar për portin turistik në Sarandë u hap nga Ministria e Infrastrukturës më 1 gusht. Afati për dorëzimin e ofertave – 30 gusht – u shty deri më datë 2 shtator duke vënë si kusht, që porti i Limionit t’i mbetej me qira kompanisë Concord Investment. Ky kusht mund të ketë paracaktuar fituesin.

Në vitin 2018 Concord Investment lidhi kontratë qiraje 20-vjeçare me Ministrinë e Ekonomisë. Vlera “simbolike 1 euro” në këmbim të investimit prej rreth 4 milionë euro që parashikonte kontrata.

Për koncesionin e portit të jahteve, sipas Scan-TV kompanitë e interesuara do të duhet të investojnë “jo më pak se 11.2 milionë euro”.

Pa patur njoftim zyrtar nga qeveria, në Regjistrin Kombëtar të Bizneseve është regjistruar një kompani me emrin Marina Limion shpk me aksione 50/50 nga Kastrati sha d he Edil-Al-it.

Kjo kompani ka si veprimtari:

Zbatimin… e konçesionit që do të lidhet midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe konçensionarit, me objekt “Rikonstruksionin, Operimin dhe Transferimin e portit turistik “Marina Limion”, si dhe kryerjen e çdo aktiviteti tjetër të nevojshëm, ndihmës apo plotësues në funksion të zbatimit dhe përmbushjes së kushteve të kontratës së konçensionit”.

Ekstraktet e nga QKR të kompanisë Marina Limion.

Edil-Al zotërohet nga kompania Iner e cila ka të njejtët pronarë sikurse edhe Concord Investment.

Adresa e zyrave qendrore të Marina Limion shpk është porti detar i Limionit – me numër pasurie 5/232 – i cili i është dhënë me qira për 20 vite Concord Investment.

Ajo që nisi si kontratë qiraje 20 vitesh u kthye në koncesion 35-vjeçar, për të cilin qeveria nuk ka bërë ende transparencë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme