Kosovë, Vetëvendosja dhe LDK drejt formimit të qeverisë

Kosovë, Vetëvendosja dhe LDK drejt formimit të qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dy partitë opozitare, do të formojnë bashkë qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Vendimin e dy partive e bëri publik kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani përmes një statusi në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Duke falenderuar qytetarët për mbështetjen në votimet e 6 tetorit, ku LDK u rendit partia e dytë me 24,82 për qind të votave, Vjosa Osmani shkruan:

“Qytetarët përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës.”

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, në përfundim të numërimit të 100 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 25,49 për qind të votave, ndërsa LDK 24,82 për qind të votave. Diferenca mes dy partive është vetëm 5350 vota.

Që mbrëmjen e 6 tetorit, me daljen e rezultateve të para, kreu i LVV-së dhe kandidati kryesor për kryeministër Albin Kurti shprehu dëshirën dhe gadishmërinë për të bashkëpunuar me partinë tjetër opozitare LDK.

Por qëndrimi zyrtar nga LDK ishte të pritej përfundimi i procesit të votimit dhe certifikimi i rezultatit zyrtar nga KQZ-ja.

Pyetur dje se çfarë do të ndodhte nëse nuk formon dot koalicion, kreu i LVV-së Albin Kurti u përgjigj:

“Unë besoj se do të arrijmë që të krijojmë koalicionin, nëse larg qoftë nuk arrijmë që të krijojmë koalicionin atëherë nuk e di se kujt do t’i jepet shansi i dytë.

Ka mundësi që sërish neve dhe ashtu do duhej që të ishte, por po nuk arrit kjo gjë atëherë shkojmë në zgjedhje të reja sërish dhe ne mbase nuk i kemi pasur qejf zgjedhjet dikur para shumë viteve, por tash që ua kemi marrë dorën nuk ju përtojmë atyre.”

Megjithëse Presidenti Hashim Thaçi ende nuk i ka dhënë Kurtit mandatin për formimin e qeverisë, duket se tashmë dy partitë kanë rënë pranuar fitoren, megjithëse me diferencë të vogël, të LVV-së dhe të drejtën e Kurtit për postin e kryeministrit.

Në rast të formimit të koalcionit, kjo do të jetë hera e parë që Lëvizja Vetëvendosje është pjesë e qeverisë kosovare.

 

 

 

2 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme