KPK konfirmon prokuroren e Krimeve të Rënda Sonila Muhametaj

KPK konfirmon prokuroren e Krimeve të Rënda Sonila Muhametaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokuroren e Krimeve të Rënda Sonila Muhametaj.

Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Etleda Çiftja.

Në lidhje me kriterin e pasurisë KPK konstatoi disa probleme me mungesën e burimeve financiare të prourores Muhametaj. Sipas analizës së KPK zonja Muhametaj kishte mungesë burimesh financiare për për të paguar kredi dhe shlyer detyrimet pas blerjes së një apartamenti 1+1 në Tiranë në rreth 445 mijë lekë. GJithashtu në vitin 2015 kishte mungesë burimesh për një shumë në vlerën 145 mijë lekë dhe në vitin 2016 për shumën 300 mijë lekë. Gjithashtu KPK vuri në dukje se në vitin 2014 zonja Muhametaj nuk kishte burime financiare për të shlyer një kredi konsumatore në vlerën 270 mijë lekë.

Komisioni gjithashtu i kaloi barrën e provës për prokurores Muhametaj, për dy makina të parregjistruara të bashkëshortit si dhe për një ligjshmërinë e një shume prej 480 mijë lekë, hua nga vjehrra e saj për të blerë një shtëpi në 2010.

Zonja Muhametaj argumentoi se kishte burime të ligjshme, duke theksuar se vetë analiza e KPK e kishte nxjerrë me bilanc pozitiv. Ajo shtoi se kishte patur një keqputim në lidhje me dekalrimet vjetore pranë ILDKPI, duke menduar se mbledhja e të ardhurave vit pas viti i takonte ILDKPI dhe jo asaj. Në lidhje më ligjshmërinë e të ardhurave të vjehrrës, ajo paraqiti para Komisionit, një dokument nga INSIG duke vërtetuar se vjehrra I kishte përfituar ato para nga sigurimi i jetës së bashkëshortit të saj, i cili kishte vdekur në aksident.

Në lidhje me figurën DSIK hartoi një raport pozitiv për prokuroren Muhametaj, duke e konsideruar të përshtatshme për të vazhduar detyrën.

Ndërkohë, përsa i përket profesionalitetit Këshilli i Lartë i Prokurorisë kishte raportuar dy shkelje ligjore për zonjën Muhametaj. I pari i referohej shkeljeve të afateve proceduriale dhe i dyti mosnjoftim i akuzës drejt të pandehurit.

Gjithashtu u vu re masa disiplinore që Prokuroria e Përgjithshme i kishte dhënë në rastin e dosjes së Shullazit. Në shtator 2018, Sonila Muhametaj ishte një ndër tre prokurorët e transferuar me urdhër të kryeprokurores Arta Marku pas një konflikti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dosjen “Shullazi”. Muhametaj paditi zonjën Marku në Gjykatën Administrative dhe e fitoi çështjen, duke u rikthyer nga Prokuroria e Pukës në atë të Krimeve të Rënda.

KPK referoi edhe disa denoncime në lidhje me kalimin e një dosje për tjetërsimin e pronave në Karaburun nga Prokuroria e Krimeve të Rënda  në Prokurorinë e Vlorës, pushimin e hetimeve për një grup të struktuar kriminal si dhe për hetimin pa prova ndaj një personi.

Komisioni i hodhi poshtë të gjitha pretendimet e mësipërme me argumentin se ishin të pabazuara dhe nuk kishte gjetur shkelje.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme