Linja e drogës Ekuador-Shqipëri ‘u dogj’ pa kuptuar se e kujt ishte dhe sa kokainë do të trafikonte

Nga Gerard Gega
Linja e drogës Ekuador-Shqipëri ‘u dogj’ pa kuptuar se e kujt ishte dhe sa kokainë do të trafikonte Ilustrim i një kontenieri frigoriferik dhe foto të aksionit Quito.

Gazeta greke Kathimerini ka raportuar se pas plot 700 kilogramëve kokainë të kapura në gusht-shtator, 300 skanime kontenierësh të dyshimtë nuk zbuluan asnjë rast tjetër.

Mbulimi mediatik dhe mangësia në rezultate prej operacioneve të policisë mund të kenë djegur një nga linjat më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës në Ballkan, pa nxjerrë në pah se kush qëndronte pas saj dhe çfarë sasie ishte parashikuar të transportohej.

Në gusht-shtator autoritetet greke kapën 700 kilogramë kokainë të fshehur në 12 kontenierë bananesh që vinte nga Ekuadori. Bashkë me portin e Pireut dhe Selanikut, porti i Durrësit ishte një nga pikat e mbërritjes së ngarkesës.

Gazeta Kathimerini tregoi se antidroga greke dhe ajo amerikane u vunë në lëvizje pas një telefonate anonime. Më 2 gusht një person i paidentifikuar informoi policinë se në portin e Selanikut kishte ardhur ngarkesë kokaine e fshehur në kontenierë bananesh.

Pas kontrollit policia gjeti 51 kilogramë kokainë. Më 3 gusht mediat e raportuan me bujë ndërsa policia mori informacion për tjetër ngarkesë.

Prej asaj dite policia kaloi në skaner të gjithë kontenierët e dyshimtë me prejardhje nga Amerika e Jugut dhe për dy javë pikasi rreth 700 kilogramë kokainë të fshehura në 12 kontenierë, 4 prej të cilëve, me 137 kilogramë kokainë, do të liheshin për t’u transportuar me mbikëqyrje në Durrës më 19 shtator.

Policia shqiptare qe informuar për ngarkesën, se ajo qe e gjurmuar, por jo se kokaina ishte zëvendësuar me oriz të bluar.

Për 8 ditë ngarkesa qëndroi nën mbikëqyrje në portin e Durrësit deri sa finalizimi i operacionit të ashtuquajtur Quito solli si rezultat arrestimin e vetëm 2 personave dhe shpalljen në kërkim të një të treti.

Hetimet nuk janë mbyllur, Kathimerini thotë se autoritetet greke dhe ato shqiptare janë të bindura se pas këtyre ngarkesave të importuara nga Amerika Latine qëndron mafia shqiptare.

Gazeta greke citon mediat shqiptare, të cilat hedhin dyshimet se grupet që qëndrojnë pas kokainës së kapur janë me bazë në Fier dhe Elbasan.

Megjithatë nga të arrestuatit, asnjë nuk lidhet me ndonjë bandë.

1 koment

  1. Gimi 9 Tetor, 2019 në 12:02 am

    tani do shpikin ndonje linje tjeter, tipit me kafe, se edhe kafen qe andej e marrin

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme