PD

Liria për polemikë si shërim për Partinë Demokratike

Nga Vehap Kola
Liria për polemikë si shërim për Partinë Demokratike

Me qëllimin për t’i vënë në pah groteskun e lirive të supozuara të qytetarëve në Bashkimin Sovjetik, Ronald Regani i rrëfente Mikail Gorbaçovit sesi një qytetar amerikan dhe një sovjetik haheshin se në cilin vend kishte më tepër liri.

Amerikani i mburret sovjetikut se ai mund të shkonte në zyrën ovale, t’i binte tavolinës me grusht dhe t’i thoshte Reaganit: Z. President, unë nuk jam aspak dakord me mënyrën sesi po e drejtoni këtë vend.

Për çudinë e amerikanit, edhe sovjetiku pretendon se mund ta bëjë këtë gjë: Unë mund të shkoj drejt e në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, t’i bie tavolinës me grusht e t’i them: shoku Sekretar i Përgjithshëm, unë nuk jam aspak dakord me mënyrën sesi po i drejton SHBA-të Presidenti Ronald Regan.

Ndërkohë që opozita në Shqipëri është duke bërë përpjekje të rrëzojë regjimin Rama-Veliaj, nuk duket se ajo është shumë e shqetësuar me varfërinë e debatit të brendshëm të ngritur mbi idetë politike. Në këtë anomali, opozita duket edhe se nuk i duron kritikat e nuk pranon propozime për përmirësimin strukturor dhe doktrinar të saj.

Padurimi me të cilin Partia Demokratike dhe përfaqësues të saj i presin kritikat mund të jetë pasojë e një ideje të shtrembër dhe fëminore se të mos jesh në pushtet të bën imun ndaj gabimit dhe të çliron nga përgjegjësia. Sipas këtij besimi, gjithkush është i lirë të kundërshtojë dhe kritikojë qeverinë, sepse ajo ka përgjegjësinë e administrimit të punëve publike, por jo gjithkush mund të kritikojë përfaqësuesit apo politikat e opozitës. Të paktën jo pa u etiketuar si opozitë e opozitës.

Si rezultat i një mosdurimi të tillë, PD-ja e ka pasur të pamundur të reflektojë plotësisht, sidomos të lexojë gabimet e saj edhe përmes syrit të kritikëve apo kundërshtarëve. Klasifikimi i çdo vërejtjeje si ‘veprimtari armiqësore’ apo si produkt i propagandës së Rama-Veliajt, krijon përshtypjen se PD-ja nuk është e gatshme të ndryshojë aq sa t’ia bëjë të pamundur kundërshtarëve t’i pengojnë rrugën drejt pushtetit.

Kështu, në mënyrë të pavetëdijshme demokratët kanë prodhuar mbështetje për një prej tezave të propagandës së Rama-Veliajt, sipas të cilës në PD nuk ka demokraci, aty nuk pranohet mendimi ndryshe dhe kritika. Sa herë që PD ka shfaqur nervovizëm, ndonjëherë edhe paranojë ndaj kritikave, oficerët e propagandës së regjimit Rama-Veliaj kanë gjetur shkak të paralajmërojnë shqiptarët se ardhja e në pushtet e një partie kaq jotolerante dhe jodemokratike do të ishte e rrezikshme.

Të denoncosh korrupsionin, autoritarizmin, kriminalizimin dhe mafia-shtetin e Edi Ramës në Shqipëri nuk është aspak e lehtë. Por përkrahja që opozita i bën këtyre denoncimeve nuk është e mjaftueshme për të treguar se brenda saj ka liri. Zërat e pakënaqur me opozitën nuk mund të futen në një thes me flirtuesit me pushtetin. Pamundësia për të shquar të parët nga të dytët është tregues i sëmundjes së brendshme të Partisë Demokratike: ajo duket se nuk e duron dot lirinë e gjithkujt për të mos u pajtuar me mendimin e drejtuesve dhe të shumicës. Veçanërisht, ajo duket se nuk e ka të lehtë të pranojë propozimet për përmirësime që kërkojnë ndryshime të dhimbshme brenda saj.

Kjo nuk do të thotë që debate në PD duhet të zhvillohet pa rregulla dhe në thyerje të etikës organizative. Përkundrazi, frymëzimi i diskutimeve të brendshme në Partinë Demokratike duhet të ketë si qëllim përtëritjen ideore dhe njerëzore të saj, ku etika e debatit politik duhet të luajë rolin e një shtrati të domosdoshëm.

Rigjallërimi i polemikës konstruktive mund të prodhojë edhe dhimbje koke për drejtuesit e opozitës. Por, në fund, ky proces do të sendërtojë një strategji më të kopsitur për rrëzimin e regjimit dhe rikthimin e Partisë Demokratike në pushtet.

Për shembull, një vendim që nuk duket se i është nënshtruar një diskutimi të gjerë me anëtarët dhe forumet drejtuese të PD-së është kushti që zgjedhjet e ardhshme duhet të organizohen nga një qeveri tranzitore 6-mujore. Ndonëse është parimisht e drejtë të besosh se zgjedhjet e lira janë të pamundura me Ramën kryeministër, ishte e paqartë sesi opozita do ta largonte atë dhe sesa mundësi kishte kjo nismë politike.

Analiza e shpejtë e PD-së duhet pranuar se ishte lineare dhe e thjeshtëzuar. Faktorët jashtë influencës së opozitës nuk u morën në konsideratë siç duhet dhe fuqia e opozitës për të imponuar një ndryshim në mjedisin politik u mbivlerësua.

Si do të largohej Rama kur ai kontrollonte shumicën absolute të votave në Parlament? A mos opozita besonte se Rama do të vetëdijësohej nga shpërthimi i pakënaqësisë së shumicës së shqiptarëve? Si pajtohet kjo premisë me premisën e vullnetit të Ramës për të mbajtur pushtetin edhe duke manipuluar zgjedhjet apo duke kufizuar liritë dhe të drejtat njerëzore? A kishte një akord ndërkombëtar që ta nxiste opozitën të niste protestat për rrëzimin e qeverisë?

Nëse pranojmë se mafia dhe oligarkia janë shkrirë me qeverisjen autoritare për të krijuar aliazhin e frikshëm të mafia-shtetit, dhe se zgjedhjet e lira janë të kërcënuara nga manipulimi masiv, atëherë duhet të jemi aq kurajozë sa të pranojmë edhe se gjendja nuk mund të ndryshohet brenda 6 muajsh, as nga qeveria më e aftë që mund të prodhojë klasa politike e Shqipërisë.

Opozita do të ketë legjitimitetin dhe kapacitetin për të luftuar mafia-shtetin e Rama-Veliajt, me të tri shtyllat e tij të krimit, oligarkisë dhe propagandës, vetëm duke ardhur në pushtet me zgjedhje të lira. Çdo qeveri e formuar në marrëveshje me Partinë Socialiste, sponsorizuesen kryesore të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar dhe oligarkia, do t’i ketë duart të lidhura. Manipulimin e zgjedhjeve ajo do të mund ta pengonte aq sa e penguan ministrat teknikë të vitit 2017.

Por, që kursi i politikës opozitare të kalojë provën e dilemave të mësipërme, është e nevojshme që Partia Demokratike të përqafojë domosdoshmërinë e debatit të brendshëm. Ndërkohë, që polemika konstruktive dhe etike të rigjallërohen në PD, është e domosdoshme të shtrohet infrastruktura për trajtimin e ideve dhe të përfshihen në forume njerëz që kanë ide.

Përmbushja e PD-së si një parti e djathtë do të ndodhë vetëm përmes lirisë për të debatuar idetë, qëndrimet e politikat, si dhe përmes dijes mbi doktrinën e djathtë. Mungesa e kësaj lirie e ka lënë opozitën në dorë të populizmave, votës tribale dhe nën ndikimin e njerëzve që mbledhin vota duke negociuar me interesat e ngushta të votuesve.

Shërimi i PD-së nga sëmundja, që e bën të mos durojë lirinë e gjithsecilit për të mos u pajtuar me mendimin e drejtuesve dhe të shumicës apo për të ofruar propozime të ndryshme nga ato të drejtuesve, do ta ndihmojë partinë më të madhe të opozitës të gjejë rrugën më efektive për rrëzimin e regjimit Rama-Veliaj dhe për rikthimin e të djathtës në pushtet.

Liria dhe konkurrenca, idetë dhe njerëzit me integritet janë garancia më e madhe për ardhjen në pushtet dhe çlirimin nga influencat e krimit dhe oligarkisë. Kjo do të bëjë që drejtuesit dhe përfaqësuesit politikë të zgjidhen kryesisht mbi gjykimin që kanë të djathtët mbi idetë, dhe jo mbi preferencat dhe interesat e grupeve të caktuara që e kanë konsumuar partinë. Me këtë transformim, PD-ja ka mundësinë e artë të nisë kultivimin e shëndoshë të elektoratit, politikëbërjes dhe qeverisjes së djathtë të vendit.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme