Mbi 1 ton drogë dhe dhjetëra milionë euro kapen në Greqi, Holandë e Brazil, arrestohen disa shqiptarë

Nga Gerard Gega
Mbi 1 ton drogë dhe dhjetëra milionë euro kapen në Greqi, Holandë e Brazil, arrestohen disa shqiptarë Pako me logo të KF Elbasani të gjetura në ngarkesën e 617kg kokainë në Brazil.

Grupet shqiptare të narkotrafikut vazhdojnë të marrin përsipër trafikimin ndërkombëtar të ngarkesave të mëdha të marijuanës dhe kokainës.

Mediat raportuan së fundmi për disa të arrestuar në Greqi e Holandë për mbi 1 ton marijuanë dhe rreth 13 milionë euro para të përftuara nga trafiku i kokainës, ndërsa në Brazil u sekuestruan 617 kilogramë kokainë e shenjuar me logo të klubit të futbollit Elbasani.

Zëri i Amerikës njoftoi për rezultatet e aksioneve të fundit në Greqi ku u sekuestruan 1,172 kilogramë marijuanë dhe u arrestuan 3 skafistë shqiptarë, të cilët po përpiqeshin të trafikonin në Turqi.

NRC në Holandë raportoi sekuestrimin e rreth 13 milionë eurove para të cilat dyshohet se janë nxjerrë nga trafiku i kokainës prej vendeve të Amerikës Latine. Kontrollet në 5 prona të ndryshme në Amsterdam zbuluan sasinë më të madhe të parave të pista të kapura ndonjëherë nga autoritetet holandeze. Për këtë aksion, policia arrestoi 7 persona, dy prej të cilëve ishin shqiptarë.

Më herët në Brazil mediat raportuan sekuestrimin e 617 kilogramëve kokainë të pastër me vlerë 9 milionë dollarë. Droga ishte fshehur në dyshemenë e një kamioni dhe ishte e shenjuar me logon e klubit të futbollit Elbasani.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme