Mungesa e madhe e fesë në debatin moral në Shqipëri

Nga Vehap Kola
Mungesa e madhe e fesë në debatin moral në Shqipëri

Ndërkohë që politikanët fajësojnë njëri-tjetrin, grupet anarkiste dhe populiste fajësojnë të ashtuquajturin sistem dhe shumë personazhe publike fajësojnë politikën dhe oligarkinë për gjendjen kritike të vendit, nuk duket se janë të shumtë zërat që e vënë gishtin në plagë.

Kriza e vërtetë në të cilën është zhytur Shqipëria është pikësëpari kriza morale. Përmbledhtazi, ajo shfaqet më qartë në paaftësinë për të shquar të Mirën nga e Keqja dhe të Vërtetën nga Iluzorja, si dhe në pafuqinë për të zgjedhur të Mirën dhe të Vërtetën.

Është kjo krizë morale që i ka bërë shqiptarët të shesin votën, të zgjedhin banditë për t’i qeverisur dhe t’u shërbejnë interesave antikombëtare.

Megjithatë, pakkush dëshiron të flasë për këtë krizë, pasi në këmbim nuk garantohet ndonjë shpërblim. Duket se mbi trupin e sëmurë të Shqipërisë janë mbledhur të gjithë zanatlinjtë, me përjashtim të mjekut. Ngulmimi i kësaj turme zanatlinjsh për të penguar mjekun t’i afrohet pacientit të shtrirë është i kuptueshëm: mjeku rrezikon t’i nxjerrë jashtë loje të gjithë.

Nga kjo kuptohet se interesi i vërtetë i zanatlinjve të merakosur për Shqipërinë nuk është shpëtimi i saj, por vjelja e çfarë ka mbetur pa u plaçkitur.

Një ‘mundësi e artë’ për momentin është populizmi i shfaqur me një propozim mashtrimtar se ndryshimi i sistemit electoral – nga proporcional rajonal në proporcional kombëtar me lista të hapura – do të pengojë përfaqësuesit e mafias dhe oligarkisë të fitojnë poste publike. E thënë më thjeshtë: Avdylajt, Bajrajt apo Balilët nuk do të arrikan të blejnë apo shantazhojnë 10 mijë votues për të bërë njerëzit e tyre deputetë.

Është kaq interesante të vëresh se i gjithë polarizimi i madh mes palëve në ligjërimin publik zhduket si me magji sapo lind mundësia e përfshirjes së feve në këtë ligjërim. Armiqësia e rreptë ndërmjet të djathtëve dhe të majtëve, komunistëve dhe të përndjekurve, sistemit dhe anarkistëve i lë vendin konsensusit të madh se nuk lejohet fjala e fesë në krizën jetike që po kalon vendi.

Në debatin publik të shqiptarëve, roli i fesë si fe pothuajse injorohet plotësisht. Ky injorim i ka bazat në supozimin se feja është një çështje e sferës private dhe e përvojës personale të gjithsekujt dhe se zëri i saj në sferën publike nuk duhet të rivalizojë autoritetin suprem të laicizmit, i kuptuar kështu si botëkuptimi përfundimtar dhe ekskluzivisht i vërtetë rreth njeriut dhe shoqërisë.

Është e vështirë të gjendet në median e shkruar një artikull që të mbulojë thelbin e ndonjërës prej feve, pra, atë që është domethënëse për vetë besimtarët. Nëse ndeshni ndonjë trajtim rreth fesë apo artikull të shkruar nga ndonjë klerik, me siguri do të jetë i lidhur me përmasat sociale, ekonomike e politike të fesë në fjalë. Para pak kohësh, një media e interesuar për të informuar publikun rreth agjërimit të myslimanëve gjatë muajit të Ramazanit ishte mjaft e kujdesshme për të përjashtuar përmbajtjen e drejtpërdrejtë fetare të shkrimeve.

Prirja për të vjelur nga feja fryte socio-politike dhe për të shmangur vetë fenë është vetëpenalizuese. Nëse feja prodhon një ndikim të madh në jetën e komuniteteve më të mëdha botërore, kjo vjen nga thelbi shpirtëror dhe nga parimet doktrinore të saj. Por, nëse feja në Shqipëri nuk ka prodhuar frytet e pritshme prej saj, një prej shkaqeve duhet lypur te kjo censurë e debatit publik. Në këtë të fundit mund të flitet për gjithçka rreth fees, me përjashtim të asaj që e bën fenë të rëndësishme për vetë besimtarët. Kjo i ka mistifikuar dhe i ka mënjanuar besimtarët nga debate publik.

Si mysliman, unë jam i detyruar të përqafoj dhe zbatoj me sa të mundem atë që është shtyllë qendrore e secilës shpallje qiellore: nxitjen dhe përkrahjen e të Mirës dhe kundërshtimin e pengimin e të Keqes. Sado që një përpjekje e tillë është qartësisht universale, drejtues e besimtarë të feve të tjera kanë të drejtën ta konfirmojnë ose jo këtë si institucionin qendror të çdo feje.

Përsëri si mysliman, unë frymëzohem nga parimi universal i artikuluar nga teologu mysliman i shek. XIV, Ahmed Ibën Tejmije, se Zoti i jep jetëgjatësi një shteti të drejtë edhe nëse drejtohet nga jomyslimanë, dhe nuk i lejon jetëgjatësi një shteti edhe nëse drejtohet nga myslimanë.

Prandaj, kontributi i ligjërimit fetar në bërjen e një Shqipërie më të mirë, më të drejtë dhe më jetëgjatë nuk duhet censuruar. Ai duhet kërkuar me ngulm si e vetmja mundësi e mbetur për të prodhuar një rend moral dhe kulturor ideal për vendin.

Mënjanimi nga ligjërimi publik nuk pengon asnjë udhëheqës apo predikues fetar të dënojë kriminalizimin e institucioneve, normalizimin e shit-blerjes së votës dhe simpatizimin e padrejtësisë politike, ekonomike e shoqërore. Por, ky mënjanim i tyre nga çështjet e përbashkëta të shoqërisë sonë i ka çliruar ata padrejtësisht nga përgjegjësia që u ngarkon misioni i tyre fetar. Nëse palët e pushtetshme e kanë të vështirë– ndoshta me të drejtë– të bien dakord sesi duhet të jetë Shqipëria e ardhme, shkaku është se ne nuk mund të unifikohemi rreth një rendi moral dhe kulturor ideal.

Kur shohim historinë e shtetndërtimit shqiptar, mbetemi të habitur se si komunitetet fetare bashkëthemeluan Shqipërinë, pa qenë rivalë, dhe qenë kontribues kryesorë në ndërtimin e institucioneve dhe traditës shtetërore.

Elita fetare e periudhës së Rilindjes Kombëtare jo vetëm shërbeu në detyra të larta institucionale, por ndërmjet dy luftërave botërore i dha shoqërisë një kohezion ideor, me të cilin ajo përballoi për ca kohë përhapjen e ideve totalitare nga palët politike. Kjo elitë e furnizoi ligjërimin publik me idetë e domosdoshme për të sfiduar cilindo vizion mbi shoqërinë që bie ndesh me natyrën njerëzore, ashtu siç kjo kuptohet nga të gjitha fetë.

Miti i shtetit laik, që përjashton dhe zhbën të gjithë kontributet e bashkësive shpirtërore shqiptare, është në fakt një nënprodukt i ateizmit zyrtar të komunizmit. Vendet fqinje, që nuk kanë kaluar përmes diktaturash të ngjashme, si Greqia, Serbia apo Maqedonia kanë kisha që luajnë një rol shumë të madh në prodhimin dhe ruajtjen e kohezionit të rendit moral e kulturor të shoqërisë. Megjithëse roli i tyre nuk dublon kompetencat e institucioneve kushtetuese, pesha e tyre morale mbi popullsinë e gjerë është në gjendje të krijojë kontekstin e domosdoshëm për nxitjen dhe përkrahjen e të Mirës dhe dënimin e pengimin e të Keqes.

Shqipëria e ka vuajtur mungesën e një poli të tillë moral, sepse rrëzimi i komunizmit nuk u pasua nga adoptimi i rendit moral e kulturor të periudhës së Pavarësisë. Komunizmi dorëzoi pushtetin, por ruajti kontrollin mbi ligjërimin dhe i fitoi të gjitha. Pa u restauruar roli i ideve fetare në formimin e rendit moral dhe kulturor të shoqërisë shqiptare, as nga komunizmi nuk do të kemi shpëtuar, as do të jemi bërë një vend i drejtë, shoqërisë së të cilit mund t’i besosh rritjen e fëmijëve.

4 komente

  1. Moisi 21 Tetor, 2019 në 10:21 am

    Plotesisht e vertete; “niseshteja” sociale mungon dhe kete rol mund ta luaje vetem doktrina fetare. Tashme shqiptaret nuk i mban asgje bashke dhe mund te thuash se e urrejne njeri tjetrin. Materializmi Marksist ka vetem nje kundrahelm, besimin ne hyjnoren dhe ne, ne vitin 91, deshtuam ta kthejme shqiperine ne “rrugen e zotit”.
    Pa u zgjatur per te rithene cka u tha mesemiri nga autori, kam vecse nje pyetje; cfare i pengon predikuesit fetare te denoncojne te keqen brenda objekteve te kultit? Dakort ne media jane te censuruar por ne objektin e kultit kush i pengon?

  2. elio 21 Tetor, 2019 në 1:51 pm

    Shteti Shqipetar sikurse te gjitha shtetet civile, eshte LAIK, ndaj kjo nenkupton ndarjen e doktrines fetare nga vendimarjet shteterore. Feja eshte private dhe duhet te mbetet e tille..ne te kunder do jemi te denuar te jemi si Turqia, apo Iraku te cilat jane te perfshira nga nje percarje dhe lufte fetare. Vete perberja fetare shqipetare do te bente qe ne kete vend te shkonim drejt nje percarje fetare..qe NUK DUHET TA LEJOJME!

    • kuku 23 Tetor, 2019 në 4:20 pm

      Ide te tilla te mangeta se shteti eshte laik dhe doktrina fetare nuk ka peshe ne shoqeri jane gomarlleqe me oke. Edhe ne france, ku shteti eshte laik dhe ka nje neveri te qarte nga feja, roli i fese ne sferen publike duket qarte nga fakti se gati 30% e francezeve kane botekuptime te formuara nga feja. per te mos folur per vende te tjera si shba, italia, gjermania, britania, etj… ne artikull nuk behet fjale qe ne vendimmarrjet shteterore dhe qeveritare dhe ne ligjet ne parlament te kete nje vend per doktrinat apo ligjet fetare. autori e ndan qarte kete pune. autori thote qe ne moralin shoqeror, roli i fese duhet peshuar edhe nje here nga establishmenti shqiptar, pasi keshtu si po ecim jemi duke shkuar nga humnera ne humnere. ne qofte pranohet zinxhiri i humnerave thjesht per hir te luftes ndaj fese dhe ‘zakoneve prapanike’, atehere kjo nenkupton se nuk pranohet nje zgjidhje qe do te nxirrte vendin nga kriza morale. Sidoqofte, urime autorit per forcen e fjales dhe per guximin ne parashtrimin e ideve avangarde per shqiptaret. sfida me ‘te menduarit ne bllok’ ne raport me moralin dhe me thyerjen e mendesive komuniste vazhdon.

  3. kuku 23 Tetor, 2019 në 4:28 pm

    edhe nje dicka tjeter: me kete qendrimin shteti laik dhe feja jashte hapesires publike, kemi nja tre a kater regjime qe deshtojme. e vetmja here qe nuk kemi deshtuar eshte pavaresia, ku feja kishte rol kyc ne formulimin e struktures shtetrore shqiptare, si dhe deri diku ne vitet tridhjete ku feja nuk kishte pune ne formulimin e struktures shtetrore, por ku roli publik i fese ishte i padiskutueshem. heret e tjera, me vjen keq, por kane qene deshtime si nga pikepamja e vizionit ashtu edhe ne demet e pamasa per te ardhmen.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme