Në pritje të Francës, Presidenca e BE-së drafton vendim pozitiv për negociatat me Shqipërinë

Në pritje të Francës, Presidenca e BE-së drafton vendim pozitiv për negociatat me Shqipërinë

Drafti paraprak i konkluzioneve të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së përfshin hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Drafti, i cili mban datën 11 tetor, është përgatitur nga stafi i Presidentit të Këshillit Europian Donald Tusk, reflekton konsensusin e përgjithshëm të vendeve të BE-së.

Sidoqoftë, ai nuk merr parasysh qendrimin e Francës dhe Hollandës, të cilat, nëse nuk e ndryshojnë qendrimin e tyre në çastet e fundit, duken të vendosura të vendosi veton kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, që përbëhet nga ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së, do të mblidhet më 15-16 tetor për të diskutuar dhe dakordësuar paraprakisht qendrimet e Këshillit Europian, mbledhja e kryetarëve të qeverive të vendeve anëtare, i cili do të mblidhet më 17-18 tetor.

Drafti paraprak i konkluzioneve të takimit të ministrave të jashtëm shprehet:

Duke marrë parasysh arritjet [në zbatimin] e reformave dhe kushteve të vendosura unanimisht nga Këshilli në qershor 2018, Këshilli [i Çështjeve të Përgjithshme], me kusht që të miratohet nga Këshilli Europian vendos hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Drafti, i cili mban datën 11 tetor dhe është përgatitur nga stafi i Presidentit të Këshillit Europian Donald Tusk, përmban disa kushte që do t’i vihen Shqipërisë për t’u plotësuar para se të mund të fillojnë bisedimet në praktikë.

Kështu, konferenca e parë ndërqeveritare—takimi mes dy palëve ku miratohet kuadri i përgjithshëm për zhvillimin e negociatave—e parashikuar për t’u mbajtur në gjysmën e parë të vitit 2020, nuk duhet të mbahet pa filluar funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe pa u bërë përparime në reformën zgjedhore.

Ky kusht, ndonëse reflekton kushtet e vendosura nga Bundestagu, është më i butë në lidhje me refomën zgjedhore pasi nuk kërkon miratimin e saj, por “përparimin” në hartimin e saj si kusht për takimin e parë mes palëve.

Fillimi i negocimit të kapitullit të parë—negociatat zhvillohen me kapituj sipas sektoëve të ndryshëm—gjithashtu kushtëzohet me disa kushte të tjera.

Të përshkruara në mënyrë të përgjithshme këto kushte janë: fillimi i hetimeve për gjykatësit dhe prokurorët e përjashtuar nga vetingu; fillimi i hetimeve për manipulimet zgjedhore; funksionimin e SPAK-ut dhe arritjen e rezultateve konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përfshi në nivelet e larta; miratimin dhe zbatimin e reformës zgjedhore, si dhe zbatimin e vendimit te Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Gjithçka tani mbetet në dorë të Fancës dhe Hollandës, që kanë vendosur të mbajnë qendrim të përbashkët për këtë çështje, i cili deri tani është negativ.

Shpresa e fundit ka qenë biseda e mbrëmshme, gjatë një darke pune në Paris, midis Presidentit Makron dhe Kancelares Merkel, por ende nuk ka asnjë informacion nëse Merkel ka arritur të bindë Makronin në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

2 komente

  1. t 14 Tetor, 2019 në 10:58 am

    Kujt i thone arritje te reformat keta burokrate bufona,qe per ta nuk vlen më niveli i demokratizimit te nje vendi, por thjesht stabilitokracia fallco

  2. n 14 Tetor, 2019 në 1:15 pm

    palaco qe thone reforma ne drejtesi ka bere hapa para. eshte ti vesh vizen komplet.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme