Nga aeroporti i Rinasit te stadiumi Dinamo, veprat e ndërtuara nga intelektualët e dënuar

Nga aeroporti i Rinasit te stadiumi Dinamo, veprat e ndërtuara nga intelektualët e dënuar

Gjatë viteve të diktaturës komuniste rreth 4 deri në 6 mijë të dënuar, të internuar apo të burgosur, janë shfrytëzuar në punë të rënda.

Ata lëviznin nga një vend në tjetrin, në një zinxhir që ndërtonte Shqipërinë socialiste duke shkatërruar elitën e saj intelektuale.

Kujto.al sjell më poshtë një listë me veprat kryesore të realizuara nga puna e të burgosurve, mes të cilëve, gjeje plot intelektualë, artistë, ish-ministra, politikanë apo klerikë, siç gjeje edhe të mitur apo të sëmurë mendorë që me urdhër të drejtorive përkatëse nxirreshin në punë, me argumentin që vetëm puna mund t’i korigjonte sjelljet e tyre.

Aeroporti i Rinasit

Punimet për aeroportin e Tiranës nisën në shtator 1953 dhe përfunduan më 8 shkurt 1959, datë kur aeroporti ishte gati për pritjen e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, në Tiranë.

Dinamika e të burgosurve ndryshonte nga viti në vit, por kryesisht dominohej nga të burgosurit politikë, të cilët në vitin 1957 përbënin 100 për qind të kampit. Raportet zyrtare vinin në dukje që inxhinier Pandeli Zografi, i dënuar në procesin e Maliqit, u shënonte më tepër normë të burgosurve, duke e akuzuar kështu, edhe një herë të dytë, për të njëjtin “krim”.

Stadiumi Qemal Stafa

U përfundua nga puna e robërve italianë dhe gjermanë.

Kombinati i tekstileve në Yzberisht

Të burgosurit kanë ndërtuar kanalin e kullimit të bojërave me të cila do të ngjyroseshin pëlhurat në këtë kombinat, gjatë vitit 1950. Sigurisht, edhe puna për kanalin e bojërave u bë në terr. Ditën e përurimit, 8 nëntor 1951, askush nuk i përmendi të burgosurit, të cilët tashmë ishin larguar drejt një kampi tjetër pune.

Pallatet Agimi

Ndër godinat e para që u ndërtuan nga kampi nr.4 i krijuar me qëllim që të dënuarit të ndëshkoheshin me anë të punës. Ky kamp u krijua në vitin 1953 dhe në muajt e parë më shumë se gjysma e të dënuarëve ishin të dënuar politikë, raport që u përmbys në vitet në vijim, megjithatë të dënuarit politikë nuk munguan asnjëherë në këtë kamp pune që u vendos pranë Lanës.

Stadiumi Dinamo, sot “Selman Stërmasi”

Stadiumi i projektuar nga Koço Miho u përurua më 8 korrik 1959. Në atë vit, kampi i të dënuarëve të angazhuar në ndërtimin e tij kishte 491 të burgosur.

Sanatoriumi

130 të burgosur u vunë në dispozicion të ndërmarrjes së ndërtimit nga viti 1959 në vitin 1960 për të ndihmuar në ndërtimin e Sanatoriumit.

Kombinati ushqimor “Ali Kelmendi”

Sipas marrëveshjes së ndërmarrjes së ndërtimit dhe përfaqësuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndërtimin e këtij kombinati, i cili do të niste dhe do të përfundonte brenda vitit 1960, do të angazhoheshin 330 të dënuar.

Kompleksi Dinamo

100 të dënuar politikë dhe 50 ordinerë u angazhuan nga viti 1987 për ndërtimin dhe përfundimin në kohë të kompleksit sportiv “Dinamo”.

Hekurudha Vorë-Laç

U përurua më 1 maj 1963. 30 km e gjatë. Në kampin që punoi për ndërtimin e saj, në vitin 1961, kishte 600 të dënuar.

Ndërtime të tjera:

  • Pallatet Puna
  • Pallatet e rrugës “Myslym Shyri”
  • Hyrja kryesore në rrugën e Durrësit
  • Zona e Zogut të Zi
  • Fabrika e bukës
  • Blloku “50 vjetori i Pavarësisë”
  • Kombinati i mishit
  • Peliçeria e Tiranës
  • Ndërtesa të fermës “Gjergj Dimitrov”
  • Uzina e autotraktorëve – një pjesë të punimeve
  • Uzina e sodës kaustike në Vlorë
  • Fabrika e çimentos në Elbasan
  • Fabrika e Çimentos e Fushë-Krujës
  • Uzina e përpunimit të bakrit në Rubik
  • Uzina e superfostatit në Laç
  • Hekurudha Peqin-Elbasan
  • Kriporja e Vlorës
  • Uzina e përpunimit të naftës në Ballsh
  • Uzina e naftës në Cërrik
  • Fusha e aviacionit Kuçovë
  • Hekurudha Vorë-Laç
  • Kriporja e Vlorës
  • Rruga Gramsh-Lozhan
  • Hekurudha Peqin-Elbasan
  • Punime në lumin e Gjadrit
  • Bonifikimi i Thumanës
  • Kanale ujitëse dhe kulluese në Sarandë

 

 

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme