Nga Belgjika te Shqipëria, ëndrra e 20-vjeçarit Selahi për të luajtur me kombëtaren

Nga Erblin Vukaj
Nga Belgjika te Shqipëria, ëndrra e 20-vjeçarit Selahi për të luajtur me kombëtaren Lindon Selahi në një ndeshje me Twenten kundër Schalke 04.

Quhet Lindon Selahi (20) dhe njësoj si Marash Kumbulla (19), Keidi Bare (22), Ylber Ramadani (23), apo Taulant Seferi (22) synon debutimin me kombëtaren pasi ka kaluar prej përfaqësueses U-21 të drejtuar nga Alban Bushi.

I pranishëm krah Sokol Çikalleshit në konferencën për shtyp të mesjavës, mesfushori që aktivizohet me Twente-n në Holandë nuk i fshehu emocionet:

“…Kur e kam parë ftesën te klubi kam qenë shumë i lumtur sepse kur kam qenë më i vogël ëndrra ime që të luaj një ditë për kombëtaren… tashi momenti ka ardhur, shpresoj të luaj, por vendos trajneri, unë do të jap maksimumin tim në stërvitje.”

Por kush është Selahi?

Ai u lind më 26 shkurt 1999 në Namur, një qytet qëndror i Belgjikës, 66 kilometra larg Brukseli. Familja e tij është shqiptare gjysmë nga Kosova dhe gjysmë nga Maqedonia e Veriut, që do të thotë se kishte mundësi zgjedhjeje mes 4 përfaqësuesesh të: Maqedonisë, Kosovës, Shqipërisë, ose Belgjikës.

Në fakt pas një ecurie pozitive me skuadrat zinxhire të Standard Liège dhe Anderlecht, Selahi trajneri Thierry Siquet e grumbullon me përfaqësuesen belge të U-15 me të cilën luan dy ndeshje miqësore kundër Gjermanisë.

Lëvizjet e 10 trajnerëve në 4 vite te Standard Liège ia vështirësuan kalimin si lojtar fiks në skuadrën e parë.

Sidoqoftë Alban Bushi i beson dhe e fton të luajë për kombëtaren U-21, menjëherë sapo qe pajisur me pasaportë shqiptare Selahi debutoi me fanellën Shpresa më 28 maj 2018 kundër Suedisë.

Me të mbyllur kontratën me Standard Liège, pas një ndeshje miqësore me Twenten, Selahi i tha po kalimit në Holandë, skuadër me të cilën ka luajtur të gjitha (9) ndeshjet e këtij fillim sezoni duke merituar grumbullimin me kombëtaren e trajnerit Edy Reja:

“I kam luajtur të gjitha ndeshjet në klubin tim (Twente)… më duket se e kam merituar… kam patur mundësi të shkoj edhe me Belgjikën, por kur të thërret Shqipëria dhe e ndjen veten shqiptar shkon atje me 100 për qind.”

Pozicioni që luan

Selahi ka shtat mesatar (1,80m) që i lejon të jetë i zhdërvjellët, agresiv dhe i shpejtë në lëvizjet në mesfushë. Ka këmbë “të buta” për pasime dhe goditje nga distanca. Preferon të godasë me të djathtën. Te Twente trajneri Gonzalo Garcia e aktivizon si mesfushor qendror, bashkë me Oriol Busquets (lojtar i Barcelonës), por Selahi mund të luajë edhe i tërhequr edhe organizator:

“Mund të luaj të gjitha pozicionet në mesfushë. E ndjej më mirë veten si numër 8, por luaj gjithashtu edhe si 10 apo 6, njësoj është për mua.”

Për (9) ndeshjet që ka luajtur ka patur vlerësim mesatar 6.69 që tregon se niveli i tij është premtues. Një tjetër cilësi e Selahit është karakteri, të cilin e tregoi disi edhe në konferencën për shtyp kur tha:

“Skuadra që ëndërroj?! Nuk shikoj larg, ndihem mirë te Twente, ëndrra ime është të luaj më shumë minuta dhe të marr mundësi edhe për kombëtaren, që të luaj gjithashtu shumë edhe këtu.”

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme