Pezullohet tenderi ‘Lungomare II’ ku fituese qe shpallur kompania Fusha shpk

Nga Gerard Gega
Pezullohet tenderi ‘Lungomare II’ ku fituese qe shpallur kompania Fusha shpk Projekti i Lungomares 2 dhe aksioni i IKMT për prishjen e ndërtimeve.

Fillimi i punimeve për zgjatimin e Lungomares në Vlorë duket se do të vonojë pasi kompania që ofroi më pak ka ankimuar skualifikimin e saj nga tenderi.

Projekti “Vazhdimi i Shëtitores së Vlorës, segmenti jugor nga fushat e sportit deri te tuneli” – apo siç njihet ndryshe, Lungomare 2, – është bërë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Fondi limit i vënë në dispozicion ka qenë rreth 3,8 milionë eurosh (458 milionë lekë).

Në tenderin që u mbajt më 12 shtator, sipas Top-Channel morën pjesë 6 kompani dhe kompania Curri shpk paraqiti ofertën më të vogël, 2,9 milionë euro – rreth 900 mijë euro më pak se fondi limit, ose sa 73 për qind e fondit.

Ofertat:

  • Curri 2,9 milionë euro
  • Fusha 3,1 milionë euro
  • Salillari 3,4 milionë euro
  • Gjikuria 3,5 milionë euro
  • Be-IS 3,5 milionë euro
  • Gener 3,7 milionë euro

Mirëpo Curri shpk është skualifikuar nga FSHZH për “mos plotësim kushtesh”. Fitues është shpallur kompania Fusha shpk, e cila kishte ofruar 3,1 milionë euro – ose sa 81 për qind e fondit.

Ditën e premte Curri shpk është ankuar në Komisionin e Prokurimit Publik duke pezulluar kështu tenderin.

Projekti i Lungomares ka nisur në vitin 2013 dhe kapi koston e 17.2 milionë eurove. Pas shumë vonesave ai u mbyll dy vite më parë. Vazhdimi i tij me rreth 640 metra kalon mbi një zonë të shfrytëzuar për turizëm nga shumë biznese.

Sikurse raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), prej rreth 4 javësh Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vepruar për të prishur rreth 60 ndërtime në zonë. Pronarët e këtyre bizneseve janë përplasur me IKMT-ën dhe policinë duke kërkuar transparencë për projektin dhe dëmshpërblim.

Teksa përuroi mbarimin e punimeve për lagjen e vjetër të Vlorës, Kryeministri Edi Rama tregoi se synimi është që me Lungomaren të vazhdohet më tej deri në Orikum, ATSH citoi Kryeministrin teksa tha se:

“Duhet bërë një ndërhyrje radikale për të krijuar një hapësirë, po kaq cilësore siç është krijuar tashmë hapësira e Lungomares, e bulevardit, që së bashku me zonën historike të Vlorës mbyll kornizën e hapësirës së trashëgimisë historike e kulturore të zonës. Ndërsa po fillojmë punën për zgjatimin e Lungomares 2, fillimisht me zgjatimin deri tek tuneli dhe pastaj me vazhdimin e segmentit tjetër deri në Orikum”.

Muajt e fundit ka patur probleme të theksuara me tenderat e rrugëve. Kontestimet e kompanisë Gjoka Konstruksion për tenderin e tunelit Kardhiq-Delvinë nxorrën në pah përpjekjet që po bëheshin nga kompani të tjera për ta siguruar atë si dhe përkrahjet nga zyrtarët për të ndikuar në zgjedhjen e fituesit.

Për të shmangur të gjitha debatet dhe skandalet që do ta rëndonin edhe më shumë pozitën e qeverisë, Ministria e Infrastrukturës e anuloi tenderin, ndërsa Drejtoresha e Autoritetit Rrugor u dorëhoq.

3 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme