Policia e Shtetit adopton qëndrimin amerikan: MEK konsiderohet “Lëvizja Opozitare Iraniane”

Policia e Shtetit adopton qëndrimin amerikan: MEK konsiderohet “Lëvizja Opozitare Iraniane”

Në një deklaratë për shtyp sot, Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Antiterrorizmit njoftuan se kanë zbuluar një “rrjet terrorist të drejtuar nga regjimi iranian” në Shqipëri. Rrjeti dyshohet se përbëhet nga 4 shtetas iranianë, që formojnë një “qelizë aktive terroriste pjesë e Forcave QUDS —Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, që vepron përtej kufijve të Iranit.”

Asnjë arrestim nuk është bërë deri tani, dhe është e paqartë nëse janë lëshuar apo jo urdhër-arreste ndërkombëtare.

Në një reagim, ish-deputeti i opozitës Edi Paloka pohoi se deklarata e papritur ishte një përpjekje e qeverisë Rama për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve nga moshapja e negociatave me BE-në.

Kjo nuk është hera e parë që qeveria Rama ka zbuluar komplote “terroriste” iraniane. Në dhjetor 2018, qeveria shqiptare dëboi dy diplomatët iranianë nga Shqipëria, mes të cilëve dhe Ambasadorin e Iranit në Shqipëri, për shkak se ishin të dyshuar se kishin cenuar sigurinë kombëtare. Dyshimi kishte të bëntë me një sulm të planifikuar gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri – Izrael. Vendimi për dëbimin e tyre u përshëndet publikisht nga Presidenti amerikan Donald Trump dhe nga Arabia Saudite.

Sipas deklaratës së policisë, “celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK).”

Gjatë një interviste Kreu i Gjyshatës Botërore të Bektashinjve, Edmond Brahimaj konfirmoi se dy persona tentuan të hynin në kryegjyshatë gjatë festimeve të Novruzit në mars 2018. Por është e paqartë nëse këta persona, të cilët atëherë u ndaluan dhe më pas u liruan për mungesë provash, janë mes katër personavve të përmendur sot nga policia.

Duke iu referuar MEK-ut si një “organizatë e opozitës iraniane” dhe një “lëvizje opozitare iraniane”, Policia e Shtetit i bën jehonë deklaratave publike të kryeministrit Edi Rama gjatë fjalimit të tij të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së:

 “Shqipëria është e shqetësuar posaçërisht nga sjellja destabilizuese e Iranit në Lindjen e Mesme, por gjithashtu edhe aktivitetet e tij që shkaktojnë trazi në raport me opozitën iraniane, komunitetin e opozitës iraniane, të cilin e kemi pritur me bujari në vendin tonë, pas masakrave të jashtëzakonshme, të cilave iu janë nënshtruar në vende të tjera. Na është dashur të reagojmë ndaj disa veprimtarive të paligjshme të Iranit dhe interesave të sigurisë […]”

Referenca si “Lëvizja opozitare iraniane” është një ndryshim i bërë së fundmi në gjuhën e qeverisë. Kur shumica e anëtarëve të MEK u transferuan në Shqipëri nga një kamp refugjatësh në Irak në vitin 2016, Kryeministri Rama nuk përmendi kontekstin politik, por përkundrazi iu referua operacionit si “humanitar” në një letër drejtuar Parlamentit:

 “[Ç]do anëtar i organizatës MEK i ardhur në Shqipëri është pajisur me leje qëndrimi, si dhe kartë shëndetësore. Secili prej personave të mbërritur deri më tani në vendin tonë është marrë mbi baza humanitare dhe do të trajtohet sipas kuadrit ligjor në fuqi.

Deri më sot, asnjë prej qytetarëve anëtarë të MEK nuk ka aplikuar për nënshtetësi shqiptare. Dëshiroj t’ju informoj se qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat e nevojshme, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë të huaj, për të qenë në lartësinë e duhur në këtë operacion humanitar të rëndësishëm.”

Në këtë letër nuk përmendet asgjë për veprimtarinë që do t’i lejohej MEK-ut të zhvillonte brenda kampit të tyre në Manzë, pranë Tiranës. Në të vërtetë, emërtimi “opozitë iraniane” duket se ka ardhur nga qeveria amerikane; BE, për shembull, nuk i referohet MEK si “opozita iraniane”.

Nën presidencën e Trump, MEK është bërë qendër e politikës amerikane për Iranin, me zyrtarë të shumtë amerikanë që vijnë në Shqipëri për të takuar liderin e MEK, Merjem Raxhavi. Këtu përfshihen avokati personal Trump, Rudi Giuliani, ish-këshilltari Newt Gingrich, si dhe ish-drejtori i FBI-së Louis J. Freeh, senatori i ndjerë amerikan John McCain dhe një delegacion i senatorëve amerikanë Thom Tillis, Roy Blunt, etj. dhe John Cornyn.

Duke e përcaktuar MEK si “opozitë iraniane”, qeveria amerikane po përpiqet të hapë rrugën për një ndryshim të mundshëm të regjimit në Iran, në të cilin MEK do të luante një rol të mundshëm. Që nga zgjedhja e Trumpit si president, Merjem Raxhavi ka bërë thirrje publike për “kryengritje” në Iran.

Në këmbim, qeveria iraniane ka akuzuar qeverinë shqiptare se po strehon “terroristë”, ndërsa në kampin MEK në Manzë ka pasur raporte për abuzime të të drejtave të njeriut.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme