Presidenca: Balla e shumica socialiste përhapin të pavërteta për opinionin e Komisionit të Venecias

Presidenca: Balla e shumica socialiste përhapin të pavërteta për opinionin e Komisionit të Venecias

Zëdhënësi i presidentit Tedi Blushi deklaroi sot se shumica socialiste e veçanërisht kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla kanë shpërndarë në media lajme të pavërteta se sipas Komisionit të Venecias, Presidenti nuk mundet të anulojë zgjedhjet.

Zoti Blushi tregoi para kamerave dy dokumente: deklaratën zyrtare për shtyp të Këshillit të Europës, mbi raportin final të Komisionit të Venecias dhe dokumentin që shumica socialiste ka nisur drejt medieve si deklaratë zyrtare të KV-së.

Duke treguar dokumentet, Zoti Blushi u shpreh:

“Dokumenti i Tao Taos përhap lajmin e gënjeshtërt se sipas Venecias, Presidenti nuk mundet të anulojë zgjedhjet.

Ndërkohë sipas deklaratës zyrtare për shtyp të Këshillit të Europës, mbi raportin final të Komisionit të Venecias thuhet si më poshtë: “Sipas opinionit të miratuar sot, i cili ishte kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruci, Komisioni i Venecias vëren se edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta apo katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhej të miratojë legjislacion ad hoc (të posaçëm) për të shtyrë zgjedhjet”.

Duke këshilluar kështu Kuvendin të investohet në plotësimin e vakumeve ligjore, siç rekomandojnë ekspertët e Venecias, dhe jo të investohet me të gjithë arsenalin e papagajve për të prodhuar dokumente Tao Tao dhe për të keqinformuar opinionin publik.”

Po ashtu Zoti Blushi përgënjeshtëroi qëndrimin e Taulant Ballës para Komisionit të Venecias, sipas së cilit Presidenti Meta nuk ka bërë asnjë tentativë për të vendosur dialogun mes shumicës dhe opozitës:

“Ky dokument [deklarata zyrtare e Komisionit të Venecias] thotë si më poshtë, citoj: “Ekspertët theksojnë thirrjet e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë e tij se shtyrja e zgjedhjeve mund të kishte kontribuar në një kompromis midis palëve. Ata theksojnë mungesën e një sfide të drejtpërdrejtë të Dekreteve të Presidentit përpara ndonjë gjykate”.

Në fund të fjalës së tij, Tedi Blushi theksoi se raporti i plotë me opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias do të bëhet së shpejti publik dhe se në të del qartë se Presidenti Meta nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk mund të shkarkohet.

Pak orë më parë, Këshilli i Europës, në një deklaratë për shtyp, përmblodhi raportin e Komisionit të Venecias, duke thënë se “ndërsa Presidenti mund të ketë vepruar përtej kompetencave të tij kushtetuese, ka të dhëna se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që mund të justifikojnë shkarkimin e tij”.

 

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme