Qeveria miraton ngritjen e Korporatës së Investimeve, nis privatizimi de facto i pronave publike

Nga Gerard Gega
Qeveria miraton ngritjen e Korporatës së Investimeve, nis privatizimi de facto i pronave publike Pamje ilustruese, hidrocentral në jug të Shqipërisë.

Socialistët miratuan të enjten pa shumë ndryshime ligjin për Korporatën e Investimeve. Miratimi u bë me 77 vota në parlament pa reflektuar kundërshtitë e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB).

FMN dhe BB e kishin kundërshtuar krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH) për “varësinë nën qeveri, përjashtimin nga ligjet e prokurimit dhe rrezikun që mund t’i shtojë buxhetit të shtetit”.

Ligjii i KISH krijon një kompani shtetërore, e cila privatizon de facto pronat publike në favor të klientëve. Këtë ajo e bën duke i marrë pronat në pronësi “për menaxhim dhe përdorim për investime” pa asnjë mbikëqyrje dhe në anashkalim të çdo standardi ligjor,

Qeveria e ka justifikuar se:

Tërheqja e investimeve përmes KISH nuk është mbështetur me analizë se përse ligjet e mëparshme nuk mjaftonin “për të tërhequr investime strategjike”. Shembull të këtij modeli ka vetëm në vende jashtë BE-së si në Malajzi, Turqi apo në Gjirin Persik nga vendet arabe.

Siç Exit.al ka shkruar më parë KISH mund të:

  • marrë nën kontroll trojet dhe asetet publike dhe t’i përdorë si mjet “për të nxitur investime private”.
  • veprojë si kompani private me asetet publike nën kontrollin e saj.
  • hyjë në marrëveshje me palë të treta, për çdo investim që ajo konsideron të vlefshëm.
  • përdorë asetet e saj si kolateral për të marrë hua të mëtejshme nga institucione financiare.

Ligji thotë se Korporatës do t’i jepet pavarësi e plotë për të menaxhuar asetet publike të Shqipërisë, jashtë kuadrit ligjor aktual. Kjo duke pretenduar se standardet dhe kriteret e mëtejshme do të përcaktohen me akte nënligjore, si Vendime të Këshillit të Ministrave. Korporata përjashtohej nga veprimi i ligjit për prokurimet publike dhe i lihej Këshillit të Ministrave e drejta të përcaktojë “rregulla të posaçme prokurimi dhe konkurrimi” për Korporatën. Kjo qe kritikuar nga FMN dhe BB.

Në shtator BalkanWeb raportoi se ligji qe rishikuar. Në faqen zyrtare të Kuvendit ligji nuk është zbardhur i ndryshuar, por në raportin e Komisionit të Ekonomisë thuhet se çështja e prokurimeve është “qartësuar dhe unifikuar me legjislacionin kombëtar”:

“Për kontratat publike, të cilat financohen nga buxheti i shtetit zbatohen dispozitat e ligjit për prokurimin publik në fuqi.”

Por BB shfaqi sërish kritika:

Mbetemi të shqetësuar për kopetencat e gjera të Korporatës. Për këtë nuk ka patur asnjë dnryshim domethënës. Korporata vazhdon të mbetet si dy, apo tre organizime në një – institucion financiar, zhvillues projektesh dhe menaxher i pronave shtetërore. Këto janë role të ndryshme, të cilat kërkojnë përcaktime të kopetencave, sistemit dhe procedurave.

BB ka shfaqur shqetësime edhe për faktin se në ligj nuk përmendet asgjë për rregullat dhe rreziqet financiare që KISH do të ndjekë si “institucion financiar”. Humbjet thuhet se mbulohen nga fondet e saj, por duke qenë se kapitali do të jetë pasuri publike, nuk përjashtohet mundësia e mbulimit nga buxheti i shtetit.

Objektivat e KISH mbeten të pandryshuara:

  • Nxitja e zhvillimit ekonomik e social përmes projekteve të investimit.
  • Vënia në përdorim më eficient të pronave shtetërore.
  • Kryerja e investimeve duke mobilizuar kapital shtetëror dhe/ose privat.

Me “përdorim më eficent” do të thotë se Korporata do t’ia japë kapitalet e saj privatëve ose për shfrytëzim ose për investime. Kjo konfirmohet më poshtë me shprehjen “mobilizon kapital shtetëror dhe/ose privat” që do të thotë se Korporata do të bëjë një projekt-investimi për një pronë publike, të themi “një kompleks golfi” apo “kompleks rezidencial” diku në bregdet. Vetë do të vërë tokën, privati do të bëjë investimin, duke ndarë me Korporatën aksionet në fushën e golfit apo kompleksit rezidencial, natyrisht sipas marrëveshjeve mes palëve.

Deri më sot qeveria ka dhënë shembujt më të këqij të përdorimit të pronës publike si aset për të tërhequr investime madhore, apo “strategjike”. Rasti i Stadiumit Kombëtar Qemal Stafa, i kaluar në mungesë të plotë transparence, është shembull specifik se si mund të përdoret kjo Korporatë. Shembuj të tjerë janë koncesionet e pakërkuara, hidrocentralet apo skema e propozuar për të ndërtuar Teatrin e ri Kombëtar.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme